2010-02-19 17:38:16

Puç në Niger. Bashkësia ndërkombëtare dënon aktin


(19.02.2010 RV)Dënim i njëzëshëm i bashkësisë ndërkombëtare kundër puçit ushtarak në Niger: Që dje, presidenti Mamadu Tangjja është burgosur në një kazermë jashtë kryeqytetit Niamei. Ushtarakët kontrollojnë tashmë krejt vendin dhe i ashtuquajturi “Këshill i Lartë për rivendosjen e demokracisë” ka dhënë urdhër të rihapen kufijtë e të ndalet shtetrrethimi. Duket se gjendja është e qetë. Të dëgjojmë konsullin italian të nderit për vendin afrikan, Paolo Xhilio, që na flet me telefon nga Niamei:
Dihej prej kohësh se gjendja politike ishte e nderë, megjithëse nuk mendohej se mund të arrihej deri këtu. Por, gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave, kur të gjithë ministrat ishin rreth presidentit, ushtarakët morën pushtetin.
Pse u bë ky puç?
Sepse vendi po bëhej i paqëndrueshëm e pastaj, sepse ndoshta ka mbrapa interesa të rëndësishme: nafta, uraniumi, mineralet. Nigeri është një vend me 1 milion e 200 mijë km katror, është vendi i fundit i botës në listën e Kombeve të Bashkuara dhe është më i varfëri në botë. Popullsia jeton me më pak se një dollar në ditë. Mendoj se për njerëzit, pavarësisht nga puçi, nuk ndryshon ndonjë gjë e madhe. Që nga viti 1974, ky është puçi i katërt, të themi “soft”, në kuptimin që nuk kemi pasur ndonjëherë qindra të vdekur. Gjithsesi, Bashkimi Afrikan e dënoi ashpër këtë puç.
Si mund të ndihmojë bashkësia ndërkombëtare?
Do të duhej të mbështetej më shumë vendi në nivelin rural, që të gjithë të mësojnë shkrim e këndim, të mësojnë se mund të fitojnë më shumë e pastaj, mund të mendojmë se gjërat do të ndryshojnë edhe në kryet e shtetit.
Në fund të vitit të kaluar, presidenti Tangjja, në fuqi që prej 10 vjetësh, pati shkrirë parlamentin dhe Gjykatën Kushtetuese, pasi fitoi zgjatjen e mandatit të tij edhe për tri vjet të tjera, në sajë të një referendumi që solli Kushtetutë të re. Opozita pati bojkotuar konsultimin popullor, duke denoncuar grusht shteti nga ana e Tangjjas. Edhe bashkësia ndërkombëtare e pati dënuar vendimin e presidentit. Për të mësuar diçka më shumë për Nigerin, intervistuam gazetarin e revistës së kombonianëve për Afrikën “Nigrizia”, Rafaelo Xordan:
Nigeri, ish-koloni franceze, është një nga vendet e shumta që, megjithëse ka një Kushtetutë të vetën dhe është i pavarur, ka qenë gjithnjë peng i shfrytëzimit ekonomik nga jashtë dhe i nënshtrimit nga pikëpamja institucionale. Për sa i përket politikës së brendshme, nuk ka qenë kurrë në gjendje të zgjedhë një grup drejtuesish të aftë për të qeverisur vendin, që t’u siguronin të gjithëve një jetë dinjitoze. Nigeri, sot, ka shumë vështirësi ekonomike: njerëzit jetojnë në varfëri të skajshme, megjithëse ka mundësi zhvillimi. Përmes lëndëve të para – sidomos përmes uraniumit – Nigeri mund të stabilizohet ekonomikisht.
Cili është roli i bashkësisë ndërkombëtare?
Bashkësia ndërkombëtare e ka vështirë të hyjë në mesin e këtyre gjërave. Të kemi parasysh se në Republikën Demokratike të Kongos është një kontingjent i madh i OKB-së, që po përpiqet të kontrollojë, edhe aty, një gjendje mjaft të ndërlikuar, megjithëse procesi i demokratizimit ka filluar që në vitin 2004 e zgjedhjet janë bërë në vitin 2006. Bashkësia ndërkombëtare po ndërhyn në situata të tjera e Nigeri është lënë pak mënjanë. Por, një pjesë e lojës luhet brenda, pra me grupin politik drejtues, e jo aq e jo vetëm me një ndërhyrje nga jashtë, që mund ta zgjidhë aty për aty situatën, por pastaj duhet ecur përpara.







All the contents on this site are copyrighted ©.