2010-02-19 17:39:49

Mijëra shtegtarë dynden në Padovë për të nderuar reliket e Shëna Ndout, vendosur në elter.


(19.02.2010 RV)Shëna Ndou po bën një mrekulli të re. Një turmë e pafundme njerëzish, me gjatësi një gjysëm kilometri, pret çdo ditë para Bazilikës së Shenjtit të Mrekullive. E, të nesërmen, njerëzit rikthehen në heshtje, gjunjëzohen përsëri e përsëri para relikeve të Shenjtit, duke u lutur për nevojat e veta, të Kishës e të njerëzimit.
Reliket janë mbi elter, për nderim nga besimtarët, e do të qëndrojnë aty deri nesër, 20 shkurt, kur do të vendosen përfundimisht në Kapelën e saporindërtuar të Arkës.
Nderimi në elter përkon me Festën e Mbartjes së relikeve të Shenjtit, që kremtohet çdo vit më 15 shkurt.
I fundmi ekspozim i relikeve në elter është ai i vitit 1981, që zgjati një muaj, për t’u krijuar 700 mijë vetëve mundësinë e nderimit të relikeve të Shëna Ndout. Por këto ditë ky numër është dyfishuar, gjë që nuk pritej. Flitet për 120 mijë shtegtarë vetëm në katër ditët e para. Një lumë i pandalshëm fytyrash, duarsh e zemrash, nga Italia e nga mbarë bota, në lutje e në pritje për t’u takuar përsëri me Shenjtin pajtor. Kapërcejnë pragun e Bazilikës padovane me ritmin 2000 vetë në orë, pasi kanë pritur në radhë dy-tri orë përgjatë rrugës Beludi e tremes së Shenjtërores. Një flijim i vogël, për një emocion të jashtëzakonshëm. E kështu preket me dorë pohimi i Benediktit XVI në audiencën e përgjithshme të javës së kaluar, kushtuar Shëna Ndout: “Një prej Shenjtorëve më popullorë të Kishës katolike e teologu më i madh i familjes françeskane”.
Papa kujtoi kryesisht mësimet e këtij Shenjti, tejet të nderuar nga besimtarët katolikë, kushtuar lutjes, parë si lidhje dashurie e si bisedë e përzemërt me Zotin. Kujtoi edhe bamirësinë e tij të mirënjohur, që gjen shprehjen në përbujtjen e të varfërve e në bindjen se do të jenë pikërisht varfanjakët ata, që do të na mikpresin në qiell. Mësim me vlerë – theksoi Papa – sidomos për kohën tonë, të tronditur nga kriza ekonomike. Më pas, duke kujtuar aftësinë e Shenjtit si predikatar, i ftoi meshtarët t’i përgatisin me kujdes të madh homelitë, për ta paraqitur në mënyrë sa më të kuptueshme e prekëse, bukurinë e amshuar të Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.