2010-02-19 17:41:25

Haiti: shi pa pushim e ndihma të pakta. Dëshmia e rektorit të madh të salezianëve


(19.02.2010 RV)Në Haiti, rreth një milion e gjysmë personat që kanë mbetur pa strehë u gjendën gjatë natës në një emergjencë tjetër, atë të shiut të papushuar. Rritet edhe rreziku i epidemive, pasi në kampet e kryeqytetit Port-o-Prens higjiena nuk është në nivelin e duhur. Tërmeti në vendin karaibik ka lënë plagë të hapura edhe për bashkësinë e rregulltarëve e të misionarëve, sidomos për salezianët. Të dëgjojmë rektorin e madh të salezianëve në Haiti, atë Paskual Çavez Vilanueva:
Shtëpitë tona në Port-o Prens janë praktikisht të shkatërruara krejtësisht ose pjesërisht… Të gjitha, vërtet të gjitha! Asnjëra nuk ka mbetur në këmbë. Gjithsesi, sivëllezërit tanë kanë hapur dyert: mjafton të mendojmë se në Operën e Torlanos, ku kemi një shtëpi formimi, janë 12 mijë refugjatë, që mundohemi t’i ndihmojmë çdo ditë. Në Sitè-Soleil – lagjja më e varfër e Port-o-Prens - dhe në Pëtit Vilë shkolla fillore është dëmtuar. Edhe aty kemi hapur një kamp tjetër për 1.200 vetë. Tani, duhet të veprojmë në fushën edukative, natyrisht në ato famulli që kanë mbetur në këmbë. Duhet të ndihmojmë të rifillojë jeta. Nuk them normaliteti, pasi kjo do të jetë e mundur me një koordinim të ardhshëm, që e kapërcen planin e emergjencës. Do të jetë e nevojshme të rindërtojmë të gjitha ato struktura, që na lejojnë t’u japim shpresë në të ardhmen të rinjve e popullit të Haitit.
Cila është gjendja e popullatës? Çfarë mendon, çfarë dëshiron, si e përjeton situatën?
Mendoj se akoma janë të shtangur, akoma nuk e kanë marrë veten. Ishte një tragjedi kaq e madhe, saqë kuptohet pak nga pak, duke parë sa nevoja kanë njerëzit e duke vërejtur me sa vështirësi plotësohen ato. Në ato kampe ku kurimi, shoqërimi psikologjik, shpërndarja e ushqimit dhe e ujit, mbështetja shpirtërore kanë qenë më të mira, gjërat shkojnë më për së mbari. Ndërsa, në kampe të tjera, ndihet zemërimi që rritet, pasi njerëzit e ndjejnë veten të braktisur, në mëshirë të fatit. Kjo mund të sjellë dhunë.







All the contents on this site are copyrighted ©.