Benedikti XVI kryesoi Koncistorin për shenjtërimin e gjashtë të Lumëve.
(19.02.2010 RV)Katër Shenjtorë e Shenjtore bashkëkohorë, nga tre kontinete,
të gjithë të lindur në gjysmën e shekullit të 19-të; ndërsa dy të tjerë, ndërmjet
viteve 1400 e 1500. I përkasin këtyre dy epokave gjashtë të Lumët, sot në qendër të
vëmendjes në Koncistorin e zakonshëm publik, kryesuar në sallën e Koncistorit të Pallatit
Apostolik në Vatikan, nga Papa Benedikti XVI, i cili vendosi që Kremtimi për shenjtërimin
e tyre të mbahet të dielën, më 17 tetor 2010.
Të përshkosh etapat e jetës
së një Shenjtoreje ose të një Shenjtori, është njëlloj si të përshkosh ngjarjet më
pozitive të periudhës historike, kur këta njerëz i shërbyen Kishës, duke ndikuar
fuqimisht edhe mbi zhvillimin e shoqërisë së kohës së tyre. Kjo ndodhi sot paradite,
në Vatikan, kur Benedikti XVI hapi e kryesoi, përmes kremtimit solemn të Orës së Gjashtë,
Koncistorin për miratimin e gjashtë Çështjeve, që kanë të bëjnë me shenjtërimin e
gjashtë të Lumëve.
T’i njohim nga afër, duke nisur nga Maria e Kryqit Mëklop
(1842-1909) e cila, më 17 tetorin e ardhshëm, do të bëhet e para Shenjtore australiane.
U lind në gjysmën e shekullit të 19-të, në Melburn. Australia e asaj kohe ishte një
grumbull kolonish, me jetë të varfër e primitive. E varfër ishte edhe familja e vajzës,
së cilës, megjithëse tejet e tërhequr nga jeta rregulltare, iu desh të hiqte dorë
prej kësaj dëshire, për të mbajtur familjen. 18 vjeçe e gjejmë duke dhënë mësim në
një qytet të vogël të jugut. Me famullitarin, Atë Uds, themelon shkollat e para katolike,
në të cilat jepej mësim falas, duke luftuar, kështu, konkretisht, kundër plagës së
analfabetizmit. Shumë shpejt me të u bashkua një grup mësuesesh, të gatshme të jepnin
mësim pa pagesë. Ato u bënë bërthama e Kongregatës së Motrave të Shën Jozefit të Zemrës
së Krishtit, të cilat më pas u njohën me emrin Jozefinet. Nga Nëna Meri, siç nisi
të thirrej Shenjtorja e ardhshme, të gjithë mësuan t’i shkollonin fëmijët, t’i ndihmonin
familjet e tyre e të bëheshin familje për të burgosurit, me të cilët nuk merrej askush.
E Nëna Meri nuk kishte frikë të hynte e vetme në qelitë e dënuarve me vdekje, për
të fashitur në zemrën e tyre instinktet e frikës e të urrejtjes, në orën e fundme,
duke i ngushëlluar me fjalë të qëlluara e duke i dëgjuar me dashuri motre, ashtu si
nuk kishte bërë askush, para saj. Në vend të njohjes së meritave, u shpërblye me shpifje.
U akuzua për veprimtari armiqësore, sepse nuk pranonte t’u jepte para autoriteteve.
Për fat të keq, thashethemet peshuan shumë më rëndë se vepra e dashurisë së krishterë
e, në vitin 1871, ipeshkvi i Adelaides e shkishëroi, atë e motrat e saj, duke i dëbuar
Jozefinet nga qyteti, për t’i kërkuar, më pas, me shumë përvujtëri, ndjesë për këtë
veprim, si dhe rikthimin në qytet. Në këtë kohë Nënë Meri inkurajohet drejtpërdrejt
nga Papa Piu IX, gjë që e lehtëson njohjen kanonike të Institutit të saj, të cilin
e drejton, si Eprorja e parë, deri në vdekje.
I Lumi Andre Beset (1845-1937),
kanadez nga Monreali, është vetëm tri vjet më i ri se Motra Meri. Jetim
që në moshën 12 vjeçe, më pas emigrant në SHBA, mësohet ta nderojë në mënyrë të posaçme
Shën Jozefin. Pasi rikthehet në qytetin e lindjes, hyn si rregulltar në Kongregatën
e Shenjtes Krygjë e i besohet detyra e portierit të Kolegjit të Zojës së Bekuar, detyrë
që do të vijonte ta kryente për 40 vjet me radhë. Do të kryente dhe detyra të tjera,
si ajo e infermierit, e berberit, e kopshtarit, por mbi të gjitha, detyrën e njeriut
të Zotit. Devocioni për Shën Jozefin e ndihmoi të nxjerrë hirin e shërimeve të jashtëzakonshme
e qelia e tij u bë cak i përhershëm shtegtimesh, ku kërkonin ndihmë njerëz nga më
të ndryshmit. I konsideruar si i sëmurë, që kur ishte dëshirtar, vëllau Andre vdiq
në moshën 91 vjeçe, në vitin 1937. Ishte bërë aq i njohur e i nderuar, sa dita e vdekjes
së tij u shpall ditë zije në të gjithë Kanadanë.
Bashkëmoshtare
e Andre Beset është spanjollja Gjovana Jozefa Cipitria i Barriola (1845-1912).
Gjysëm analfabete, shumë shpejt do të bëhej e njohur për devocionin e saj të posaçëm
ndaj Eukaristisë e Zojës së Bekuar. Fryt i kësaj bote të rrallë shpirtërore, do të
ishte dashuria e jashtëzakonshme për të varfërit, me të cilët ndante bukën, veshjen,
e edhe një pjesë të mirë të rrogës. Në këtë jetë plot gjallëri, nuk mund të mos i
lindte ideja për t’ia kushtuar gjithë jetën Zotit e të varfërve: nisi, kështu, që
në vitin 1869, punën për themelimin e Kongregatës së Bijave të Jezusit. Mori emrin
Kandida Maria e u vu në krye të Institutit, që lindi në Salamankë, në vitin 1871.
Simotrat e saj iu kushtuan, së bashku me të, edukimit e shkollimit të fëmijëve. E
Kandida Maria, pavarësisht nga kufizimet e saj intelektuale, u bë shpirti i veprës
e priu me besim të patundur në Provaninë Hyjnore, e cila ia dëgjoi gjithnjë lutjet.
Po
në gjysmën e 1800-tës, në Kazoria, pranë Napolit, lindi Julia Salxano(1846-1929).
E rritur në jetimore, u bë mësuese në një shkollë fillore, ku nuk u kujdes vetëm për
mësimin e fëmijëve, por edhe për edukimin e tyre shpirtëror. Ndërsa jepte mësim, organizoi
laboratore të qepjes, në të cilat përgatiteshin sendet e nevojshme për kishat e varfëra.
E aq i madh ishte përkushtimi i saj, sa të meritonte lavdërime jo vetëm nga autoritetet
kishtare, por edhe nga ato civile. Bëri kushtet e përjetshme në vitin 1905. Pak më
përpara ishte themeluar Kongregata e MotraveKatekiste të Zemrës së Krishtit.
Shenjtorja e ardhshme ishte katekiste e frymëzuar e plot dashuri për të gjithë njerëzit,
dashuri që buronte nga adhurimi i Zemrës së Krishtit.
Kamila Batista Varano
(1458-1524) qe bijë e princit Jul Qesari nga Varano, sundimtar i Kamerinos. U
rrit në një pallat, ndërmjet dëfrimeve, që ia mundësonte rangu i lartë i familjes.
E pra, në këtë atmosferë të zbrazët, plot me kotësira, u ndez shkëndija, që e shtyu
të kërkojë një jetë të thellë shpirtërore. Kur ishte ende 8-9 vjeçe, siç tregon vetë
në një autobiografi, bëri një kusht, pasi dëgjoi predikimet e françeskanit Domeniko
nga Leonesa. Kushti ishte të derdhte një lot çdo të premte, në kujtim të Mundimeve
të Krishtit. Nuk arriti ta mbajë gjithnjë këtë premtim, për shkak të atmosferës që
e rrethonte, së cilës nuk i pëlqenin lotët. Atëherë ajo vendosi të zgjidhte kuvendin,
pavarësisht nga kundërshtimet e të jatit. Dëshira e saj triumfoi e ajo veshi zhgunin
françeskan në kuvendin e Shën Kjarës, në Urbino, duke marrë emrin motër Batista. Pasojnë
vite të tëra misticizmi; Mundimet e Krishtit vijojnë të jenë në qendër të jetës së
saj. Ngjarjet e hidhura, që ia trondisin familjen, e detyrojnë të ikë, por pastaj
rikthehet në Kamerino, ku vijon të jetojë, si abateshë, deri në vdekje, duke u bërë
pikëmbështetje për të gjithë, përfshirë edhe autoritetet civile e fetare.
Tetë
vjet pas vdekjes së motër Batistës, lindi në Poloni Stanislao Kazhimirçik (1433-1489).
Bir i një këshilltari bashkijak e i një nëne shtëpijake, Stanislao studioi në famullinë
e ngritur nga Kanonikët rregulltarë Lateranensë. Ky takim qe vendimtar për jetën e
tij. Në moshën 23 vjeçe hyri në këtë Urdhër, ku u thellua me kujdes e dashuri në studimin
e Biblës. Ishte njeri praktik, me ndjenjë të lartë përgjegjësie, mësues i madh i shpirtit,
tejet i nderuar nga bashkëvëllezërit. Me fjalën e tij e me jetën e tij shembullore
rregulltare, iu kundërvu erërave të para të humanizmit, rrymë e re mendimi, që ia
mbyllte portat lartimit të shpirtit njerëzor drejt Zotit. Vdiq në moshën 56 vjeçare.
Në ditët e salikimeve të tij, siç dëshmojnë dokumentet, ndodhën shumë mrekulli.