2010-02-18 18:23:36

UNESCO-ja paraqet Vitin Ndërkombëtar për afrimin e kulturave.


(18.02.2010 RV)U paraqit sot zyrtarisht pranë UNESCO-s në Paris Viti Ndërkombëtar për afrimin e kulturave, caktuar nga Kombet e Bashkuara si ngjarje kulmore e Dhjetëvjeçarit për kulturën e paqës (2001-2010) me synim nxjerrjen në pah të rolit parësor të njohjes dhe mirëkuptimit të ndërsjellë për harmoninë ndërmjet kombeve.
Synimi kryesor i këtij Viti Ndërkombëtar do të jetë vënia në dukje e efekteve pozitive të kulturave të ndryshme duke e njohur dhe pranuar nevojën e shkëmbimeve të vazhdueshme ndërmjet kulturave dhe fijet e endura që në agimin e njerëzimit. Ndër tjera, UNESCO-ja nënvizon sesi kulturat nuk përfshijnë vetëm artin dhe letërsinë, por edhe stilet e jetës, mënyrat e bashkëjetesës, sistemet e vlerave, traditave dhe besimeve. Pikërisht promovimi i shumëllojshmërisë së këtyre do të thotë të pranosh sfida të reja në nivel vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar. Bëhet fjalë veçanërisht për integrimin e parimeve të dialogut dhe të njohjes së ndërsjellë në politikat e arsimimit, të shkencës, të kulturës dhe të komunikimit, me shpresën se kështu do të ndreqen gabimet në paraqitje, në vlera dhe në stereotipet e gabuara.
Po sot nisi nga puna edhe grupi i i nivelit të lartë për paqën dhe dialogun ndërmjet kulturave, themeluar nga drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-së Irina Bokova. Ky organizëm ka si detyrë të nisë një reflektim mbi përmasat e reja të fjalës “paqe”, në dritën e sfidave të reja që paraqesin globalizimi, krizat e shumta dhe dyndjet e emigrantëve duke u ndalur veçanërisht tek roli i arsimimit dhe i parandalimit të konflikteve.







All the contents on this site are copyrighted ©.