2010-02-18 16:39:45

Benedikti XVI takohet me klerin e Romës: meshtarët që i binden Zotit dhe janë të mëshirshëm me njeriun sjellin dritë në botë


(18.02.2010 RV)Një leksion mbi meshtarinë. Papa Benedikti XVI u foli sot paradite meshtarëve të dioqezës së Romës, mbledhur në Sallën e Bekimeve në Vatikan, me në krye kardinalin vikar, Agostino Valini. Një meditim intensiv, në formën e “lectio divina”, përqëndruar mbi disa pjesë të Letrës drejtuar Hebrenjve.
Meshtarë krejtësisht njerëzorë e plotësisht të Zotit, me zemrën mbushur me ndjenja për të gjithë, të mëshirshëm ndaj botës e mjerimit të saj e të frymëzuar nga bindja para Hyjit, që nuk do të thotë të heqësh dorë nga ndonjë gjë, por të bësh një akt bashkimi të lirë me Të. Këto ishin shtyllat në të cilat u mbështet leksioni i Atit të Shenjtë për meshtarët romakë, duke u nisur nga këndvështrimi i Besëlidhjes së Vjetër e duke e krahasuar me atë që ka përfaqësuar Krishti për historinë e Shëlbimit. Sipas bindjeve të lashta, Mesia duhej të kishte sidomos një aspekt mbretëror. Autori i Letrës drejtuar hebrenjve, pohoi Papa, zbulon një varg të Psalmit 110 – “Ti je meshtar përgjithmonë, sipas mënyrës së Melkisedekut” – dhe e fut në shkrimin e tij, duke i dhënë Biblës dritë të re:
“Jezusi, jo vetëm që plotëson premtimin e Davidit, aspiratën e Mbretit të vërtetë të Izraelit e të botës, por realizon edhe premtimin e meshtarit të vërtetë… Autori i letrës, duke zbuluar këtë varg, e kupton se në Krishtin të dyja premtimet bashkohen: Krishti është Mbreti i vërtetë, Biri i Zotit… por edhe meshtari i vërtetë e kështu, krejt bota e kultit, krejt realiteti i flijimeve, i meshtarisë që është në kërkim të meshtarit e të flijimit të vërtetë, gjen në Krishtin çelësin e përmbushjen e vet”.
Më pas, Papa nënvizoi një karakteristikë tjetër të meshtarisë së Krishtit, që i jep kuptim thirrjes së çdo të shuguruari:
“Një meshtar, për të qenë vërtet ndërmjetës i Zotit me njeriun, duhet të jetë njeri…dhe Biri i Zotit u bë njeri pikërisht për të qenë meshtar, për të realizuar misionin e meshtarit… Ky është misioni i meshtarit… të jetë ndërmjetësues, urë që lidh e çon njeriun tek Zoti, tek shëlbimi i tij, tek drita e tij e vërtetë, tek jeta e tij e vërtetë”.
Nëse meshtari është “urë” që lidh njerëzimin me hyjninë, shpirti i tij duhet të ushqehet – theksoi Papa – me lutjen e përditshme e të vazhdueshme e me Eukaristinë:
“Vetëm Zoti mund të më sjellë në vete, mund të më autorizojë, mund të më bëjë të marr pjesë në misterin e Krishtit, vetëm Zoti mund të hyjë në jetën time e të më marrë për dore…Gjithnjë e sërish duhet të kthehemi te Sakramenti, të kthehemi te kjo dhuratë me anë të së cilës Zoti më jep aq sa unë nuk mund të jap kurrë… meshtari duhet të jetë vërtet njeri i Zotit, duhet ta njohë Hyjin nga afër dhe e njeh në bashkim me Krishtin. Duhet ta jetojmë këtë bashkim”.
Kjo mënyrë jetese, nguli këmbë Benedikti XVI, i kërkon meshtarit të ketë ndjenja e lidhje miqësie, sipas vullnetit të Zotit. Një kthim zemre jo i thjeshtë, nëse kemi parasysh mënyrën e përciptë me të cilën merren gjërat nga mentaliteti bashkëkohor:
“Kështu thuhet: “Gënjen, njeri është; vjedh, është njerëzore”. Por ky nuk është njeriu i vërtetë. Njerëzore është të jesh bujar, njerëzore është të jesh i mirë, njerëzore është të jesh njeri i drejtësisë…duke dalë, me ndihmën e Krishtit, nga ky errësim i natyrës sonë… Është një proces jete që duhet filluar me edukimin për meshtari, por duhet realizuar e vazhduar gjatë gjithë jetës”.
Meshtari, që është njeri plotësisht i realizuar, ka zemër të mëshirshme. Nuk është mëkati, tha Ati i Shenjtë, shenja e “solidaritetit” ndaj dobësisë njerëzore, por forca për ta bashkëndarë peshën e tij, për ta shëlbuar e pastruar, me të njëjtën aftësi për t’u mallëngjyer, që pati edhe Jezusi gjatë jetës së vet, aftësi që i lejoi ta çonte britmën e tij për mëshirë “deri në veshët e Zotit”:
“Ne meshtarët nuk mund të tërhiqemi si në internim, jemi të zhytur në mundimet e kësaj bote e duhet, me ndihmën e Krishtit e në bashkim me Krishtin, të përpiqemi ta shndërrojmë, ta çojmë drejt Zotit”.
E së fundi, bindja. Ajo, shpjegoi Papa:
“Është një fjalë që nuk na pëlqen në kohën tonë. Bindja duket si tjetërsim, si servilizëm… Në vend të fjalës “bindje”, duam si fjalë kyçe antropologjike “lirinë”. Por duke e parë nga afër këtë problem, shohim se këto dy gjëra shkojnë bashkë… Pasi vullneti i Zotit nuk është vullnet tirani… por është vendi ku gjejmë identitetin tonë të vërtetë… Ta lusim realisht Zotin, që të na ndihmojë të shohim se kjo është liria e të bindemi me gëzim, për ta marrë për dore njeriun e për ta çuar – me shembullin, me përvujtërinë, me lutjen e me veprimtarinë tonë baritore – në bashkimin me Zotin”.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.