2010-02-17 18:11:01

Sot pasdite Papa kryesoi Meshën e Përhimjes në Bazilikën romake të Shën Sabinës.


(17.02.2010 RV)Me reflektimin e audiencës së sotme të përgjithshme, Benedikti XVI hyri në atmosferën e fillimit të Krezhmëve, që arriti kulmin pasdite, me takimin tradicional të së Mërkurës së Përhime: Papa shkoi për t’u lutur në bazilikën e Shën Sabinës, në Aventin ku, në orën 17.00, kryesoi Meshën me ritin e bekimit të hirit e të përhimjes.
Në kishën e lashtë, mistike, kremtimi nisi me kumbimin e lutjes prekëse, shkëputur nga Libri i Urtisë:
“Vërtetë ti do gjithçka është
e s’e urren asgjë që ke krijuar:
sepse po ta kishe urryer ndonjë send,
nuk do ta kishe krijuar!” (cfr Urt. 11,23-26).
Janë fjalë që, në një farë mënyre, hapin rrugën krezhmore, duke vënë në themelin e saj, gjithëpushtetin e dashurisë së Zotit, sundimin e tij absolut mbi çdo krijesë, që kthehet në falje të pafundme, të frymëzuar nga dashuria hyjnore për jetën.
Kështu u shpreh Papa në fillim të homelisë, duke theksuar se të falësh, është si të thuash: nuk dua që ti të vdesësh, por të jetosh: dua gjithnjë vetëm të mirën tënde:
Kjo siguri absolute e mbështeti Jezusin gjatë dyzet ditëve, të kaluara në shkretirën e Judesë, pas pagëzimit të marrë nga Shën Gjoni në Jordan. Gjatë kësaj kohe heshtjeje e agjërimi, ai e lëshoi plotësisht vetveten në dorën e Atit e të planit të tij të dashurisë”.
Të tërhiqesh në shkretëtirë e të rrish gjatë, krejtësisht vetëm, për Krishtin do të thoshte t’u delte vullnetarisht përballë sulmeve të armikut, të tunduesit, që e bëri Adamin të bjerë në mëkat. Kështu, nga zilia e djallit, në botë hyri vdekja e nisi beteja kundër tij në fushë të hapur, pa armë të tjera, veç besimit të pakufishëm në gjithëpushtetin e Atit. Më mjafton dashuria jote, ushqehem me vullnesën tënde (cfr Gjon 4,34): kjo bindje kishte mbushur plot mendjen e zemrën e Jezusit gjatë krezhmëve të tij - theksoi Papa, e në vijim shpjegoi:
“Gjithë këtë Zoti Jezus e bëri për ne. E bëri për të na shëlbuar, e njëkohësisht, për të na treguar rrugën që duhet të ndjekim. Shëlbimi është dhuratë, është hir i Hyjit, por për të pasur efekt në jetën time, kërkon miratimin tim, pranimin tim me fakte, vullnetin tim për të jetuar si Krishti, për të ecur pas tij”.
Duke vijuar komentin e leximeve liturgjike, Papa shpjegoi kuptimin e pendesës krezhmore, theksoi se është e domosdoshme të pranojmë se jemi krijesa të brishta, të caktuara nga fati për t’u tretur nën dhe, por njëkohësisht edhe për t’i përkitur përgjithmonë Zotit, si shëmbëllim i tij, ndonëse mëkati e sëmundja vdekjeprurëse e ndotën shumë shpejt tokën e bekuar, që është njeriu:
“I krijuar sipas shëmbëlltyrës të Shenjtit e të të Drejtit, njeriu e humbi pafajsinë e vet e tani mund të bëhet përsëri i drejtë vetëm falë drejtësisë së Zotit, drejtësisë së dashurisë që – siç shkruan Shën Pali – u manifestua përmes fesë në Krishtin” (Rom 3,22).
Edhe në ditët tona njerëzimi ka nevojë të shpresojë në një botë më të drejtë, të besojë se ajo mund të ndërtohet, pavarësisht nga zhgënjimet e përditshme:
Duke nisur Krezhmët e reja, përpjekjen e re të përtëritjes shpirtërore, Kisha thekson se e vetmja rrugë që nuk gënjen, që çon në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, ku të gjithë mund të jetojnë me dinjitet njerëzor, është kthesa personale dhe komunitare”.
E ftesa përfundimtare e Papës ishte: “T’i rrëfejmë sinqerisht mëkatet tona, të kthehemi me gjithë zemër tek Zoti e të pajtohemi me Të. Me ndërmjetësinë e Virgjërës Mari, do të mund ta dëshmojmë me përvujtëri drejtësinë, dhuratë e Zotit, e ta ndihmojmë bashkësinë njerëzore të përparojë në rrugën e dashurisë e të vërtetësisë.
Këto ishin fjalët e Benediktit XVI në mjediset e Shën Sabinës, që mbarështohen nga domenikanët, ku vizitat e papëve të Mërkurën e Përhime humbasin në natën e kohëve, si traditë, e cila nis qysh në mesjetë e rifillon me Papën Gjoni XXIII, pas një periudhe të shkurtër ndërprerjeje. Në Bazilikën e Shenjtores romake filloi sot Stacioni i parë, i ri, i Krezhmëve. Themi i ri, se Krezhmët nuk janë kurrë përsëritje e thjeshtë e të njëjtave sjellje fetare. Përkojnë gjithnjë me kohën kur jetojmë. E hiri mbi kokat e mbi ballin e besimtarëve nuk ka kuptim negativ. Na kujton çka është më pozitive për njeriun: pendesën, për nisjen e një jete të re, përplot me hirin e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.