2010-02-17 18:09:58

Meshë e kryesuar nga kardinali Sodano për shpirt të viktimave të tërmetit në Haiti


(17.02.2010 RV)“Njerëzit e të gjitha kohëve s’pushojnë së bëri pyetje për të këqijat fizike e morale, që e trondisin thellë jetën njerëzore, por përballë dhimbjes së vëllezërve, dishepujt e Krishtit e kanë për detyrë të japin ndihmesën e tyre me vepra konkrete bamirësie”.
Këtë theksoi mbrëmë kardinali Anxhelo Sodano, dekan i Kolegjit Kardinalor, gjatë kremtimit eukaristik për shpirt të imzt Jozef Serge Miot, kryipeshkëv i Port-o-Prëns, që humbi jetën nën gërmadha, si dhe të të gjitha viktimave të tërmetit, i cili tronditi rëndë Haitin më 12 janarin e kaluar. Statistikat e fundme – kujtoi Hirësia e Tij gjatë Meshës në Bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe - flasin për 200 mijë të vdekur e po aq, të plagosur.
E kësaj tragjedie i duhet shtuar edhe gjendja dramatike e një numri të madh njerëzish të pastrehë, të detyruar të emigrojnë. Përveç kryeipeshkvit të Port-o-Prëns – kujtoi dekani i Kolegjit Kardinalor, fjalët e të cilit u botuan në gazetën italiane ‘Avvenire’- priftërinjtë, rregulltarët e rregulltaret e paguan me jetë shërbimin që i bënë, me vite, bashkësisë haitiane. Një shërbim – shpjegoi – i kryer me bujari në shkollat, spitalet, strehët ndihmëse për jetimët e pleqtë e në vepra të tjera të dashurisë së krishterë. Është forca e fesë – vërejti më pas kardinali Sodano – që të shpëton nga pesimizmi, që mund të duket i natyrshëm në këto rrethana kaq të trishtuara.
Para se të fillonte Mesha, kardinali Low nënvizoi se përgjigjja bujare, që dha gjithë bota, është shenjë e qartë e solidaritetit. Por, për fat të keq, përvoja njerëzore na mëson – theksoi Hirësia e Tij – se ngjarje si këto mund edhe të harrohen me shpejtësi. E nuk duhen harruar!







All the contents on this site are copyrighted ©.