Papa për Ditën Botërore të Thirrjeve: për të qenë dëshmitar i besueshëm, meshtari
duhet të jetojë në miqësi me Krishtin
(16.02.2010 RV)Miqësia me Krishtin është elementi themelor në çdo thirrje për
meshtari: kështu shkruan Papa në Mesazhin për Ditën e 47-të Botërore të lutjeve për
thirrjet meshtarake, që kremtohet më 25 prill, e diela e “Bariut të Mirë”. Në dokumentin,
që u bë i njohur sot, Benedikti XVI ndalet në temën e Ditës: “Dëshmia ngjall thirrjet”
dhe thekson se meshtarët duhet të jenë “shenjë kundërshtie” në botën e sotme. Numri
i thirrjeve, sqaron Papa në Mesazh, varet së pari nga ndërhyrja e Zotit, por favorizohet
edhe nga dëshmia personale e komunitare e atyre që i janë përgjigjur tashmë thirrjes
së Hyjit. Kur ndjek Jezusin, duke i qëndruar besnik Ungjillit, çdo i shuguruar bëhet
shenjë kundërshtie për botën, logjika e së cilës frymëzohet shpesh nga materializmi,
egoizmi dhe individualizmi. Imitimi i Krishtit, identifikimi me Të, shkruan Ati i
Shenjtë, është ideali i jetës së shuguruar e shembulli që japin meshtarët mund të
zgjojë tek të tjerët dëshirën për t’iu përgjigjur pozitivisht thirrjes së Zotit. Lutja
është dëshmia e parë që mund të japë meshtari. Së dyti, përkushtimi e dhurimi i vetvetes
për Zotin, nga ku lind edhe përkushtimi për ata që ia beson Provania Hyjnore. Së treti,
meshtari duhet të jetë njeri i bashkimit, t’i dëgjojë të gjithë e të jetë në gjendje
ta mbajë të bashkuar grigjën që udhëheq, duke e ndihmuar të kapërcejë ndarjet, kontrastet
e keqkuptimet, të falë fyerjet. Edhe një herë, në Vitin Meshtarak, Papa vë në
dukje se nëse të rinjtë shohin meshtarë të izoluar e të trishtuar, natyrisht që nuk
e ndjekin shembullin e tyre. Është e rëndësishme, përfundon Benedikti XVI, që të shuguruarit
ta tregojnë me jetë sa bukur e mirë është të jesh meshtar. Kjo ndodh kur ata i qëndrojnë
besnikë thirrjes së tyre.