2010-02-16 17:37:17

Papa Benedikti XVI ipeshkvijve irlandezë: abuzimi i klerit me të miturit është krim, mëkat e dështim i Kishës në misionin e saj


(16.02.2010 RV)Pedofilia është një ‘krim i urrejtshëm’ e ‘mëkat kundër Zotit’ e për këtë arsye Kisha duhet të vepron ‘me nxitim’, ‘me vendosmëri, ndershmëri e guxim’, për të dalur nga kriza. Kështu tha mes tjerash Papa Benedikti XVI në mbarim të takimit me kryesinë e Kishës irlandeze që është përfshij një çështjen e rëndë të shpërdorimit të të miturve nga ana e disa prej anëtarëve të klerit irlandez, nga viti 1975 deri më 2004, në dioqezën e Dublinit. Benedikti XVI shpreson që Kisha të rikuperojë ‘besueshmërinë morale’, e prelatët e Kishës irlandeze kanë ripohuar impenjimin e tyre për të bashkëpunuar me gjykatën e drejtësinë civile për të hedhur dritë mbi këtë çështje të rëndë, të dhimbshme e të turpshme.
Të përballohet me guxim dhe ndershmëri situata e dhimbshme e abuzimeve seksuale me të miturit nga ana e disa rregulltarëve dhe priftërinjve. Kjo është thirrja e Benediktit XVI drejtuar ipeshkvijve irlandezë mbledhur dje e sot në Vatikan për të diskutuar pikërisht mbi këto ngjarje të dhimbshme. Në përfundim të mbledhjes, Salla e Shtypit e Selisë Shenjte nxorri një komunikatë në të cilën përsëritet impenjimi i prelatëve për të bashkëpunuar me institucionet. Po ashtu u njoftua se gjatë Kohës së Krezhmëve, do të botohet një letër baritore e Papës Racinger drejtuar katolikëve irlandezë.
Më 15 dhe 16 shkurt Ati i Shenjtë Benedikti XVI u takua me ipeshkvijtë irlandezë dhe anëtarët e Kuries Romake për të diskutuar situatën serioze që ka dalë në pah në Kishën e Irlandës. Së bashku ata shqyrtuan dështimin e autoriteteve kishtare irlandeze të cilat për vite me radhë nuk kanë vepruar si duhet në lidhje me abuzimet seksuale me të mitur nga ana e disa rregulltarëve dhe priftërinjve. Të gjithë pjesëmarrësit pranuan se kjo krizë e rëndë ka çuar në një humbje të besimit në udhëheqjen e Kishës dhe ka dëmtuar dëshminë që i bën ajo Ungjillit dhe mësimeve morale të tija.
Takimi u zhvillua me shpirtin e lutjes dhe të vëllazërisë. Atmosfera e çiltër dhe e hapur i siguroi ipeshkvijve mbështetjen e nevojshme për ta trajtuar siç duhet çështjen në dioqezat e secilit.
Në paraditen e 15 shkurtit, pas një fjale të shkurtër nga Ati i Shenjtë Benediktit XVI, secili nga ipeshkvijtë irlandezë solli propozimet dhe vërejtjet e veta. Ipeshkvijtë folën sinqerisht për dhimbjen dhe zemërimin, për tradhëtinë, skandalin dhe turpin që iu kanë shprehur atyre shumë prej personave që kanë rënë viktimë e këtyre abuzimeve. Gjithashtu indinjatë shprehën edhe laikët, priftërijtë dhe rregulltarët në lidhje me këtë çështje.
Po ashtu ipeshkvijtë përshkruan mbështetjen dhe ndihmesën që po japin me mijëra vullnetarë laikë të përkushtuar nëpër famulli për të garantuan sigurinë e fëmijëve në të gjitha aktivitetet e Kishës, dhe theksuan se ndonëse gabimet në gjykim dhe në mosdenoncim përbëjnë thelbin e kësaj krize, janë marrë masa domethënëse për t’u garantuar të miturve dhe fëmijëve sigurinë. Gjithashtu ata theksuan edhe impenjimin e tyre për të bashkëpunuar me autoritetet ligjore në Irlandë, si në veri ashtu edhe në jug, dhe me Komisionin Kombëtar për Sigurinë e Fëmijëve në Kishën Katolike, në mënyrë që standardet e Kishës, politikat dhe procedurat e saj të garantohen dhe të përfaqësojnë më të mirat në këtë zonë.
Nga ana vet Ati i Shenjtë vuri në dukje se abuzimi seksual me fëmijët dhe të miturit jo vetëm që është një krim i urryer, por edhe një mëkat i rëndë që fyen Zotin dhe lëndon dinjitetin njerëzor krijuar sipas shëmbulltyrës së Tij. Papa tha se situata e tashme nuk do të mund të zgjidhet shpejt dhe i nxiti ipeshkvijtë t’i drejtohen problemeve të së kaluarës me ndershmëri dhe guxim. Po ashtu Papa Racinger tha se shpreson që takimi i tanishëm do të ndihmojë në bashkimin e ipeshkvijve dhe do t’i bëjë ata të flasin njëzëri në lidhje me marrjen e hapave konkretë që kanë si qëllim t’i ngushëllojnë dhe t’i shërojnë viktimat e abuzimeve, duke i dhënë hov përtëritjes së besimit në Krishtin dhe kredibilitetit shpirtëror dhe moral të Kishës.
Ati i Shenjtë Benedikti XVI gjithashtu vuri në dukje edhe krizën e përgjithshme të besimit që ka goditur Kishën dhe e lidhi këtë me mungesën e respektit për njeriun, dhe, se si dobësimi i fesë ka qenë një faktor themelor që ka kontribuar në dukurinë e abuzimit seksual me të vegjëlit. Ati i Shenjtë Racinger po ashtu theksoi nevojën e një reflektimi më të thellë teologjik mbi këtë çështje dhe bëri thirrje për përmirësim të përgatitjes njerëzore, shpirtërore, akademike dhe baritore, si të atyre që janë kandidatë për t’u shuguruar, ashtu edhe të atyre që janë shuguruar me kohë.
Ipeshkvijtë patën mundësi të shqyrtojnë dhe të diskujtojnë një projektplan të Letrës Baritore të Atit të Shenjtë drejtuar katolikëve të Irlandës. Tani, Ati i Shenjtë Racinger duke pasur parasysh edhe vërejtjet e ipeshkvijve irlandezë do të përfundojë letrën e tij, që pastaj do të botohet gjatë kohës së Krezhmëve.
E ndërsa ipeshkvijtë po kthehen nëpër dioqezat e veta, Ati i Shenjtë kërkoi që këto Krezhëm të kremtohen si kohë lutjeje drejtuar Zotit për të çuar Shpirtin Shenjtë dhe dhuratat e Shpirtit Shenjtë dhe forcën e Tij në Kishën e Irlandës.







All the contents on this site are copyrighted ©.