2010-02-15 18:52:01

Strehimi dhe respekti për dinjitetin e emigrantëve, ripohohen në dokumentin përfundimtar të Kongresit botëror të baritorisë për emigrantët.


(15.02.2010 RV)“Kisha duhet t’ua hapë krahët të gjithë emigrantëve, pavarësisht nga mosha, besojma e bindjet”. Është ky një nga përfundimet, që përmban dokumenti i Kongresit të 6-të botëror të baritorisë për emigrantët e refugjatët, mbajtur më 9 deri më 12 nëntor 2009, në Vatikan. Teksti ripohon nevojën për ta vënë në plan të parë njeriun dhe dinjitetin e tij, në përpjekjen për përballimin e një sfide të tillë shumëpërmasshe.
“Shenjë e kohëve” – quhet fenomeni i emigracionit, që ndikon fuqimisht – lexohet në dokument – mbi shoqëritë tona. Duke analizuar pasojat dramatike të tij, vihet në dukje se modelet më të mira të shoqërimit për emigrantët, kalojnë përmes ripërcaktimit të shoqërisë, që është e thirrur ta shikojë si detyrë të dorës së parë, mbrojtjen e njeriut dhe të dinjitetit të tij. Përmes kësaj perspektive, mund të lindë një shpresë e vërtetë, ndonëse emigracioni, duke qenë sfidë shumëpërmasëshe, vërteton se pasiguria dhe frika nga njerëzit e ardhur prej larg, mund të çojnë lehtësisht në thellimin e diskriminimit, të racizmit, të kriminalizimit të emigrantëve në shoqërinë e shekullit të 21-të. E nuk duhet harruar se kjo shoqëri ndodhet prej kohe përballë trafikut të qenieve njerëzore, martesave të rreme e nganjëherë edhe përballë torturave në kampet e pritjes. Është e qartë – theksohet në dokument – se përpjekja për të mbrojtur kufijtë si dhe politikat kufizuese, që pengojnë hyrjen e emigrantëve, i ndajnë e i shkatërrojnë familjet, duke nxitur edhe protestat, që e kanë burimin në padrejtësitë shoqërore.
Në kundërshtim të dukshëm me përpjekjet për ta kufizuar hyrjen e emigrantëve - vijon teksti – ekonomitë botërore kanë nevojë për më shumë lëvizje njerëzore, prandaj duhet ta promovojnë këtë aspekt. Ndërsa për Kishën, fenomeni i madh i emigracionit përbën një problem të dorës së parë, që mund të zgjidhet duke i ndihmuar emigrantët ta ruajnë kulturën e tyre e, njëkohësisht, duke nxitur vendin përbujtës t’i hapë portat kulturës së viseve, prej nga vijnë emigrantët. Në këto rrethana, Kisha mund e duhet të rishfletojë Udhëzimin “Erga Migrantes Caritas Christi”, gur kilometrik për kategorizimin e emigrantëve, që ndihmon shumë për forcimin e mekanizmave të koordinimit baritor e dioqezan.
Këshilli Papnor për baritorinë e emigrantëve e të endacakëve shpreh bindjen se do të ishte tejet i frytshëm edhe bashkëpunimi e bashkimi ndërmjet Kishave të origjinës e atyre mikpritëse, gjë që çon në një kuptim më të drejtë të emigracionit e hap horizonte të reja për vetë punën baritore në këtë drejtim.
Shqetësim i natyrshëm shprehet për fëmijët, që mbeten në vendlindje, duke paguar një haraç të rëndë, për shkak të ndarjes nga familjet: traumë kjo, e cila mund të vërë në rrezik edukimin e tyre si dhe shoqëritë e së nesërmes. Kisha është e thirrur të zhvillojë një veprimtari ndërmjetësuese e ndihmëse në çdo këndvështrim, sidomos në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Duke u shndërruar në pikë takimi, posaçërisht për emigrantët e rinj, Kisha mund të neutralizojë efektin negativ të shekullarizimit e të japë një ndihmesë të shquar në veprimtarinë për ta shndërruar emigracionin në mundësi për ungjillëzim, duke respektuar plotësisht rrugën që dëshiron të zgjedhë emigranti.
Së fundi, teksti uron të thellohet bashkëpunimi me qeveritë, me shoqërinë civile e bashkësinë ndërkombëtare, për të promovuar konceptin e ‘një Autoriteti politik botëror”, që merret me emigracinin në nivel globalI rëndësishëm edhe impenjimi i mjeteve të komunikimit për të gjetur drejtpeshimin ndërmjet shembujve negativë e atyre pozitivë të emigracionit, duke vënë në dukje figura të shumta emigrantësh që, me punën e me kontributin e tyre, japin një ndimesë të shquar për pasurimin e vendit ku janë strehuar, e jo më pak, për trojet e tyre, kur kthehen përsëri në vendlindje.







All the contents on this site are copyrighted ©.