Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot: Jezusi u jep të varfërve të shtypurve atë që
u takon, por revolucioni i tij realizohet me dashuri, me Kryq e me Ringjallje.
(15.02.2010 RV)Pas vizitës në Strehën e Karitasit, Papa kryesoi, dje në mesditë,
lutjen tradicionale të Engjëllit të Tënzot, nga dritarja e studios së tij private,
në Vatikan. Mijëra, shtegtarët e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, në një ditë
të zymtë e të akullt dimërore, që megjithatë mund të quhej gazmore, për shkak të pranisë
shumëngjyrshe të një morie fëmijësh, veshur karnevale, në të dielën e fundit të kësaj
feste popullore. Benedikti XVI komentoi Ungjillin e djeshëm të Lumnive, duke
nënvizuar se Jezusi nuk u përgjigjet me revolucion politik shpresave për drejtësi
të të varfërve e të të shtypurve. Përgjigja që jep, është dashuria, Kryqi e Ngjallja
e tij. Më pas Papa uroi popullsitë e Kinës e të Vietnamit, të cilat dje kremtonin
Vitin e Ri hënor. E, së fundi, duke kujtuar festën e djeshme të Shenjtorëve Qirili
e Metodi, pajtorë të Evropës, pohoi se vlerat e krishtera, që u përhapën nga Shenjtorët
vëllezër, mbeten baza kryesore e bashkimit të Evropës. Papa komentoi Ungjillin
e Lumnive, sipas rrëfimit të Shën Lukës, që na nxit të bëjmë pyetjen: “Pse Jezusi
i shpall të lum të varfërit, të uriturit, të munduarit e të gjithë ata, që poshtërohen,
për shkak të Tij? “Sepse drejtësia e Zotit do të bëjë që këta njerëz
të ngihen, të gazmohen, të shpërblehen për çdo akuzë; me një fjalë, sepse i pranon
që tani në Mbretërinë e tij. Lumnitë na kujtojnë se ka një drejtësi hyjnore, e cila
e larton njeriun, që poshtërohet padrejtësisht e e ul atë, që lartëson vetven (cfr
Lk 14,11). Luka, pasi përsërit katër herë ‘Lum ju!” shton edhe katër paralajmërime:
“Mjerë ju, të pasur, mjerë ju, sepse, siç thotë Jezusi, punët do të ndryshojnë, të
parët do të bëhen të fundmit e të fundmit, të parët (cfr LK 13,30)”. Kjo
drejtësi e kjo lumni – shpjegoi Ati i Shenjtë – realizohen në Mbretërinë e qiellit,
që do të përmbushet në fund të kohëve, por që është e pranishme që tani në histori.
Atje ku të varfërit ngushëllohen e pranohen në gostinë e jetës, pikërisht atje duket
që tani drejtësia e Zotit. Papa, duke i inkurajuar të gjithë ata që, në të katër anët
e botës impenjohen, pa asnjë interes, në vepra drejtësie e dashurie, kujtoi se pikërisht
temës së drejtësisë ia kushtoi sivjet Mesazhin për Krezhmët, që do të fillojnë të
mërkurën e ardhshme, dhe i ftoi të gjithë ta lexojnë e ta meditojnë: “Ungjilli
i Krishtit i përgjigjet pozitivisht etjes së njeriut për drejtësi, por në mënyrë krejt
të papritur e mahnitëse. Jezusi nuk propozon ndonjë revolucion të tipit shoqëror a
politik, por revolucionin e dashurisë, të cilin e realizoi me Kryqin e Ringjalljen
e tij. Mbi të mbështeten lumnitë, që propozojnë një horizont të ri drejtësie, të përuruar
nga Pashkët, falë të cilit mund të bëhemi të drejtë e të ndërtojmë një botë më të
mirë”. Më pas Papa i lartoi lutjen Virgjërës Mari, të cilën të gjitha breznitë
e shpallin ‘të Lume’, sepse besoi në lajmin e mirë, që ia kumtoi vetë Hyji: “Ta
lemë të na prijë në rrugën e Krezhmëve, për t’u çliruar nga shpresa e kotë se na mjafton
vetvetja; ta pranojmë se kemi nevojë për Zotin, për mëshirën e tij, e të hyjmë, kështu,
në Mbretërinë e tij të drejtësisë, të dashurisë e të paqes”. Pas lutjes
së Engjëllit të Tënzot, Papa uroi popullsitë e Azisë, duke u drejtuar një përshëndetje
të veçantë Kinës e Vietnamit, që po kremtojnë Vitin e Ri hënor: “Janë ditë
feste, që këta popuj i jetojnë si rast i përshtatshëm për të fuqizuar lidhjet ndërmjet
pjesëtarëve të familjes e ndërmjet breznive. U uroj të gjithëve ta pasurojnë më tej
trashëgiminë e vlerave shpirtërore e morale, me rrënjë të thella në kulturën e këtyre
popujve”. Së fundi, duke përshëndetur besimtarët polakë, Benedikti XVI
kujtoi festën e djeshme të Qirilit e të Metodit, pajtorë të Evropës: “Vlerat,
që përhapën në Kontinetin tonë, Shenja e Kryqit, Ungjilli i Krishtit e jeta, sipas
Ungjillit – tha Papa - mbeten themeli i forcës shpirtërore të popujve e të bashkimit
të Evropës; e kanë shumë rëndësi edhe për ne. Të lutemi – përfundoi Papa - që Apostujt
e Shenjtë të Sllavëve të na prijnë përsëri në rrugët e fesë".