2010-02-15 18:50:49

Ipeshkvijtë irlandezë takohen me Papën. Kardinali Bertone: nga provat, tek përtëritja, por duke i pranuar fajet. Urimet e kardinalit Bredi.


(15.02.2010 RV)Papa filloi sot takimin dyditor me barinjtë e Konferencës ipeshkvnore irlandeze, që ndodhen në Vatikan për shqyrtimin e një çështjeje të rëndë: shpërdorimin e të miturve nga ana e disa prej anëtarëve të klerit vendas. Para takimit me Papën, sot paradite prelatët morën pjesë në kremtimin eukaristik, kryesuar nga kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, në Kriptën e Vatikanit.
Kardinali Bertone foli për krizën tejet të rëndë, që po jeton Kisha në Irlandë, duke nënvizuar se provat më të vështira e më poshtëruese për bashkësinë kishtare, janë ato që i vijnë nga brenda, posaçërisht kur disa njerëz të saj kryejnë akte të urryera. Gjithsesi, nga një provë e dhimbshme – shpjegoi - mund të vijë përtëritja, hiri i shndërrimit shpirtëror e një fe edhe më e madhe. Por kjo mund të realizohet vetëm me kusht, që mëkatari t’i njohë fajet e veta. E të largohet nga tundimi për të rënë në kurthet e Djallit që, kur në shpirtin njerëzor shpërthen stuhia, bën çmos ta nxisë për të humbur besimin në Zotin, duke e shtyrë të bjerë në honin e dëshpërimit të pashpresë. Po – shtoi kardinali Bertone – stuhitë të trembin edhe më shumë, kur e tundin e e shkundin Barkën e Kishës, për faj të mëkateve, që bëjnë njerëzit e saj. Por stuhia më e rrezikshme – vijoi Hirësia e Tij – është ajo, që shpërthen në zemrën e besimtarëve, duke e lëkundur fenë e tyre e duke rrezikuar aftësinë për të pasur besim në Zotin, për t’u mbështetur në provaninë e tij, që s’mungon edhe atëherë, kur një besim i tillë duket vërtetë i vështirë. Atëherë është e nevojshme t’ia besosh gjithë vetveten Zotit, me lutje e përvujtëri. Lufta kundër së keqes nuk ka mbaruar – nënvizoi kardinali Bertone - vijon deri në fund të kohëve. Prandaj Ati Hyjnor na dërgoi, në emër të Krishtit, Shpirtin Shenjt, për të na mbrojtur e për të na ngushëlluar.
Së fundi, Hirësia e Tij uroi që ky takim i ipeshkvijve irlandezë në Vatikan, të bazohet mbi drejtësinë, thënë me dashuri e ta përtërijë impenjimin e bashkimit e të unitetit të barinjve ndërmjet tyre e me besimtarët.
Mbi vizitën e ipeshkvijve irlandezë në Vatikan, të dëgjojmë kardinalin Shon Bredi, kryeipeshkëv i Armagh e Primat i gjithë Irlandës:RealAudioMP3
Përgjigje: I’ve come to Rome many times in my life…
Kam ardhur në Romë shumë herë gjatë jetës sime, por kurrë nuk kam qenë kaq i shoqëruar me lutje, si këtë herë. E di se po kështu janë edhe Ati i Shenjtë e Kuria. Ky është takimi i tretë mbi këtë argument, gjatë shtatë muajve të fundit. Besoj se Ati i Shenjtë duhet të jetë vërtetë i shqetësuar: ky takim u përgatit me kujdes të madh, ndonëse është vetëm një hap në një rrugë shumë të gjatë: shpresojmë se, kur të rikthehemi në Irlandë, ky takim do të shndërrohet në një proces pendimi, përtëritje e pajtimi, për të mirën e të gjithëve. Synojmë të gjithë në arritjen e të njëjtit objektiv, që është mbrojtja e fëmijëve. Jemi një mendimi me pikat e paraqitura nga Ati i Shenjtë gjatë vizitës ‘ad Limina”, të cilat duhen studiuar me vëmendje nga të gjithë njerëzit, që kanë të bëjnë me këtë çështje.







All the contents on this site are copyrighted ©.