2010-02-15 14:49:30

Benedikti XVI për vizitë në Karitasin e Romës: Kisha i do të varfërit dhe nuk i braktis. Institucionet të impenjohen për një shoqëri të drejtë e solidare


(15.02.2010 RV)Në të varfërit Kisha sheh fytyrën e Zotit: kështu pohoi dje Papa Benedikti XVI, gjatë vizitës në Qendrën e Karitasit pranë Stacionit Termini në Romë. Ati i Shenjtë u takua me të varfërit, me të braktisurit, me mjekët dhe vullentarët, që u shërbejnë. Vizita u bë në kuadrin e Vitit evropian për luftën kundër varfërisë. Një rast për të rinovuar përpjekjet në çdo nivel për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë e solidare.RealAudioMP3
Papa u prit me duartrokitje e brohoritje në strukturën e Karitasit, ku foli me disa nga personat që banojnë në të. Në Mensën e Karitasit, pas bekimit të pllakës përkujtimore të vizitës, Benedikti XVI u përshëndet nga kardinali vikar i Romës, Agostino Valini, i cili e quajti Karitasin dioqezan “një fshat i vogël bamirësie e dashurie” në zemër të kryeqytetit italian. Prelati nuk mungoi t’u drejtojë edhe një thirrje autoriteteve, që të bëjnë më shumë për shtresat e varfëra të popullsisë. Kujtojmë se qendra e Karitasit mban emrin e ish-drejtorit të ndjerë “Don Luigji Di Liegro”, i cili ka qenë edhe në Shqipëri e ka ndihmuar në themelimin e Karitasit të Tiranës, duke aktivizuar vullnetarët e tij në shpërndarjen e ndihmave të emergjencës, menjëherë pas rënies së diktaturës komuniste.
Më pas, Papës iu dorëzua Kryqi i restauruar i Kishës së Shën Pjetrit në Ona, zona më e dëmtuar nga tërmeti i Abrucos. Prekëse, fjalët e Xhovana Kataldos, një nga personat që banojnë në strukturën e Karitasit, ndërsa fliste për kryqin:
“Mbi atë Kryq, ndarë më dysh nga tërmeti, është dhimbja e të gjithë neve që banojmë në këtë Strukturë, e njerëzve të Abrucos, e të vegjëlve të Haitit, martirizimi zemërshqyer i etërve dhe nënave, që në vdekjen e bijve të tyre rijetojnë sërish dhimbjen e Shën Marisë. Një dhimbje e pashpjegueshme, që ta këput shpirtin, por jo e dëshpëruar. Kryqi, që Jua dhurojmë të restauruar, nuk është imazhi i vuajtjes, por i pritjes së agimit e të shpërblimit”.
E për shpresë foli edhe Papa në fjalimin e tij, përmes të cilit iu drejtua të varfërve e të braktisurve të strehuar nga Karitasi:
“Ta dini se Kisha ju do shumë e nuk ju braktis, pasi në fytyrën e secilit prej jush sheh atë të Jezusit. Ai deshi të identifikohej veçanërisht me ata që ndodhen në varfëri e në nevojë. Dëshmia e bamirësisë dhe e dashurisë, që konkretizohet në këtë vend, i përket misionit të Kishës sëbashku me shpalljen e të vërtetave të Ungjillit”.
Njeriu, vazhdoi reflektimin e tij Papa, nuk ka nevojë vetëm të ushqehet materialisht e të ndihmohet në momente të vështira, por ka nevojë të dijë edhe se ai ekziston, ka nevojë të njohë të vërtetën mbi vetveten, mbi dinjitetin e tij. Benedikti XVI përmendi enciklikën e tij të parë “Deus Caritas est” për të ripohuar se pa të vërtetën, bamirësia e dashuria kthehen në sentimentalizëm:
“Kisha, me shërbimin e saj në favor të të varfërve, është e impenjuar në shpalljen e të vërtetave mbi njeriun, i cili duhet prej Zotit, është krijuar sipas shembëlltyrës së tij, është shëlbuar nga Krishti dhe është thirrur në bashkimin e amshuar me Të”.
Përmes kësaj dashurie që konkretizohet me Karitasin, nënvizoi Ati i Shenjtë, shumë vetë zbulojnë dinjitetin e humbur, nganjëherë për shkak të ngjarjeve tragjike, dhe rifitojnë besimin në vetvete e shpresën për të ardhmen. Kështu, ata provojnë se jeta e tyre mbrohet nga Dashuria, që është Zoti, e falë saj marrin kuptim e rëndësi:
“Kjo siguri e thellë zgjon në zemrën e njeriut një shpresë të madhe, të qëndrueshme, të ndritshme, një shpresë që të jep guximin për të vazhduar rrugën e jetës, pavarësisht nga dështimet, vështirësitë e sprovat që e shoqërojnë”.
Duke iu drejtuar vullnetarëve të Karitasit, Papa i ftoi t’i konsiderojnë të varfërit si një nga thesaret më të çmuara të jetës së tyre. E pati fjalë inkurajuese edhe për autoritetet e përgjegjësit e institucioneve shtetërore:
“Për të nxitur bashkëjetesën paqësore, e cila i ndihmon njerëzit të njihen si anëtarë të së njëjtës familje njerëzore, është e rëndësishme që përmasa e dhurimit falas të bëhet element përbërës i jetës së përditshme dhe i marrëdhënieve ndërpersonale. Kjo bëhet gjithnjë e më urgjente, nga dita në ditë, në një botë ku duket se mbizotëron logjika e fitimit dhe e plotësimit të interesave personale”.
Qendra e Karitasit, theksoi Papa, është një vend i çmuar për të edukuar me vlerat e Ungjillit. Përvoja e vullnetarit është shkollë e vërtetë, ku njerëzit mësojnë si të ndërtojnë qytetërimin e dashurisë, mësojnë të mirëpresin tjetrin, pavarësisht nga ndryshimet e dallimet. Streha e Karitasit, përfundoi Benedikti XVI nuk duhet parë si një vend ku dashuria është vetëm fjalë, apo ndjenjë, por një vend, ku ajo është realitet konkret, që bën të hyjë drita e Zotit në jetën e njerëzve dhe të krejt bashkësisë civile:
“Kjo dritë na ndihmon ta shohim me besim të nesërmen, të sigurtë se edhe në të ardhmen qyteti ynë do t’i mbetet besnik vlerës së mikpritjes, kaq shumë të rrënjosur në historinë e në zemrën e qytetarëve të tij”.
“Një qytet ku edhe një njeri i vetëm vuan më pak, është më i mirë”, thoshte don Luigji Di Liegro. Sfidë humaniteti, që Papa Benedikti XVI e ripropozoi me vizitën e djeshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.