Benedikti XVI vizitoi sot paradite, strukturat e Karitasit dioqezan romak të Stacionit
Termini
(14.02.2010 RV)Sot, nga ora 10.00 deri në orën 11.30, Papa u takua përsëri
me njerëz që strehohen në vendet e varfërisë e të vuajtjes. Gjithnjë më të shpeshta
takimet e kësaj natyre për Atin e Shenjtë. Me gjestet e tij, Ipeshkvi i Romës prin
në rrugën e bamirësisë e, sipas fjalëve të njohura të Shën Injacit të Antiokisë, dëshmon
dashurinë e Zotit për njerëzit e përvujtë, të plagosur në korp e në shpirt. Njëkohësisht
e njeh bashkësinë romake me situatën konkrete të vuajtjes, në të cilën jetojnë të
rinj e pleq, të shëndoshë e të sëmurë, italianë e të ardhur nga të katër anët e botës.
Kjo vizitë bëhet në një vit, në të cilin Evropa është posaçërisht e vëmendshme
ndaj të varfërve, gjë që e tregon fakti i shpalljes së 2010-tës, “Vit evropian i
luftës kundër varfërisë dhe përjashtimit të njerëzve nga radhët e shoqërisë”.
Në prag të kësaj vizite të Papës, Komisioni i Episkopateve të Bashkësisë Evropiane
dhe Karitasi Evropa, u drejtuan një letër baritore të gjithë anëtarëve të Konferencave
ipeshkvnore të Kontinentit të vjetër, përmes së cilës i porositën të bëjnë gjeste
konkrete simbolike, duke hartuar në dioqezat e tyre, një program kishtar, në ndihmë
të të varfërve. E kjo nuk është aspak veprimtari e veçantë, e përkohshme,
por themelore për Kishën. Mjafton të kujtojmë impenjimin e dioqezës së Romës, që ka
kryeipeshkëv vetë Papën, në shërbim të të varfërve. Në rrjedhë vitesh, dioqeza romake
ka ngritur 37 struktura, të cilave u shtohen 220 nisma, drejtuar nga Karitaset famullitare:
qendra dëgjimi, ambulanca, mensa e veprimtari të tjera bamirëse. Vetëm në Romë ka
nëntë pika shërbimi për ushqimin e njerëzve, që kalojnë periudha të vështira, të gjitha
të drejtuara nga Karitasi dioqezan. Një nga këto struktura, është ajo që ka
hapur një mensë të njohur pranë Stacionit hekurudhor Termini, në Romë. Përveç mensës,
struktura ka edhe mjediset e strehimit dhe poliambulancën. E hapur në vitin 1993,
ushqen çdo ditë 500 gra e burra të pastrehë, alkoolistë, pleq të braktisur, të sëmurë
mendorë, të cilëve nuk mjaftohet t’u japë ndihmë ushqimore, por edhe e sidomos, mbështetje
shpirtërore. Mes këtyre njerëzve ishte për vizitë Papa, të cilin e priti Kardinali
Mëkëmbës, Agostino Valini dhe autoritete të tjera të Kishës e të Karitasit Romak.
I pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Romës, Xhani Alemano, shoqëruar nga autoritete
të tjera civile. Ati i Shenjtë vizitoi strehën, poliambulancën, farmacinë dhe sallën
e mensës, ku zbuloi e bekoi një pllakë përkujtimore. Në të njëjtën sallë u
mbajt edhe pjesa zyrtare e takimit, gjatë së cilës Papën e përshëndetën disa nga pjesëmarrësit.
Mori fjalën, më pas, edhe Ati i Shenjtë. Vizita përfundoi rreth orëve të mesditës,
me rikthimin e Papës në Vatikan, për kremtimin e lutjes së Engjëllit të Tënzot me
besimtarët.