2010-02-14 07:22:25

Benedikti XVI në Seminarin e Madh Romak: Gëzimi që ndjehet kur njeh Zotin, të jetë nxitje për veprimtari misionare.


(14.02.2010 RV)Siç ndodh çdo vit në festën e pajtores së Institutit, Zojës së Besimit, që u kremtua dje, Papa vizitoi Seminarin e Madh Romak, u takua me seminaristët dhe u ndalua për darkë me ta. Në kapelën e Zojës së Besimit e pritën 200 seminaristë. Sivjet në takim ishin të pranishëm edhe studentët e seminareve të tjera të kryeqytetit, të Seminarit të Vogël, të Kapranikës, të Nënës së Shëlbuesit e të seminarit të Dashurisë Hyjnore. Pas një përshëndetjeje të shkurtër, mbajtur nga Rektori, imzot Gjovani Tani dhe këngës ‘Veni Creator’, Papa mbajti për ta një Lectio Divina, mbështetur tek fragmenti i Ungjillit të Shën Gjonit, që dikton urdhërimin e ri: “Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si ju desha unë!”.
Krishterimi nuk është moralizëm. Nuk mund t’i bindemi vetëm një ligji, që është jashtë nesh, e as na kërkohet të jetojmë sipas moralizmit heroik. Kështu u shpreh Papa gjatë Lectio Divina. Duke komunikuar lirisht me seminaristët, kujtoi edhe konceptin e drejtësisë në Besëlidhjen e Re, sipas të cilit njeriu është i drejtë në se e jeton mirë fjalën e Zotit. Kështu vijon të jetë edhe sot – nënvizoi – por për të krishterin drejtësia e vërtetë nuk është ajo e bindjes para disa normave. Është ajo e dashurisë krijuese, që e gjen vetvetiu të bukurën e të mirën.
Kujtojmë se Seminari i Madh Romak është seminar dioqezan, që pranon edhe studentë të dioqezave të tjera, të cilët më pas rikthehen në dioqezat tyre për të kryer shërbimin meshtarak. Në këtë çast numëron 85 nxënës, nga të cilët, 28 janë të dioqezës së Romës, 21 të dioqezave të tjera italiane e 14, të huaj.







All the contents on this site are copyrighted ©.