2010-02-12 17:01:47

Radio Vatikani, zë i Papës dhe i Kishës në trojet e kontinentit dixhital, mbushi 79 vjet.


(12.02.2010 RV)Radio Vatikani mbushi sot 79 vjet. Historia e saj nis si ‘Stacion radiofonik”, krijuar nga Gulielmo Markoni me dëshirën e Papës Piu XI, për të arritur tek emitentja e sotme, gjithnjë më e zhdërvjelltë e multimediale, mbi bazën e evolucionit që hapi rrugën dixhitale e atë të uebit. Radioja e Papës e ka rinuar disa herë fytyrën, pa e prekur kurrë frymën e sintetizuar në Statutet e saj: “Të kumtojë me liri, besnikëri e fryt lajmin e krishterë, duke përhapur në të katër anët e tokës mësimet e Papës”.
Fjalët e para, që u shqiptuan më 12 shkurt 1931, janë ato të Gulielmo Markonit, shpikës i radios dhe të Piut XI, që i përuroi transmetimet me radiomesazhin e tij drejtuar botës, në praninë e Atë Gjuzepe Gjanfrançeskit S.J., drejtor i parë i emitentes.

Kanë kaluar 79 vjet që nga ajo ditë, po Radio Vatikani vijon ta çojë në të katër anët e Planetit zërin e Papës e të Kishës, duke kaluar kufijtë, duke kapërcyer pa frikë pengesat politike e kulturore e duke rrokur mbarë kontinentet me mesazhin e vet të paqes e të vëllazërisë. Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës, më 12 shkurt 2006, Benedikti XVI, që do ta vizitonte Radion pak ditë më pas, më 3 mars 2006, nënvizoi: “... me mjetin e radios e pastaj të televizionit, mesazhi i Ungjillit dhe fjalët e papëve kanë mundur të arrijnë më shpejt e më lehtë ndër të gjithë popujt”.
Benedikti XVI është papa i gjashtë që vizitoi Radio Vatikanin pas Piut XI; Piut XII, papës së dramave të Luftës II Botërore; Gjonit XXIII, papës të Enciklikës ‘Pacem in Terris’ në një botë ku sundonte lufta e ftohtë; Palit VI, që përmbylli punimet e Koncilit II të Vatikanit, nisur nga paraardhësi i tij dhe Gjon Palit II. E Benedikti XVI gjatë vizitës, së tij, përuroi pllakën përkujtimore kushtuar pikërisht “Kardinalit Vojtila” në Studion 3, ku Papa i ardhshëm i pati dhënë mbi 30 intervista Programit Polak pranë Radio Vatikanit.

Sot Radio Vatikani, përveç transmetimit me valët tradicionale ajrore, ka arritur të flasë lirisht gjuhën më të përparuar të multimedialitetit e të ueb-it. Me një objektiv, që ka mbetur i pandryshueshëm për 79-vjet: të çojë, me mikrofonet e saj, në botë, zërin e Papës e të Kishës, të gjejë, pa u lodhur kurrë, mënyra e hapësira të reja, për të përhapur, ndërmjet lajmeve, Lajmin e Mirë. Është një bashkësi profesionale me 384 punonjës nga 59 kombe, me 54 gjuhë, që transmeton 23 mijë orë vjetore.
Papa Benedikti XVI, duke vizituar radion më 2006, i porositi punonjësit e saj:
“Vijoni, të dashur miq, të kryeni veprimtarinë tuaj në areopagun e komunikimit modern(…). Por mos harroni se, për ta kryer me sukses këtë mision që ju është besuar, duhet natyrisht përgatitja e përshtatshme teknike e profesionale, por, mbi të gjitha, është e nevojshme të kultivoni vazhdimisht në shpirtin tuaj, frymën e lutjes e të bashkimit besnik me mësimet e Krishtit e të Kishës së tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.