2010-02-11 08:55:53

Më 11 shkurt 1929 themelimi i Shtet Qytetit të Vatikanit


(11.02.2010 RV)Sot bie 81-vjetori i themelimit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit që përkon me paktet lateranense të 1929-tës. Këto pakte, gjithnjë aktuale, u nënshkruan me qëllimin e renditjes së veprimtarisë, së bashku e veçmas, në shërbim të së mirës së njeriut, për të arritur kështu në cakun e harmonisë shoqërore.
11 shkurti, përvjetori i Pakteve Lateranense, mbetet një ngjarje e madhe, e cila më 1929 shënoi "fundin e kundërvënies ndërmjet shtetit e Kishës. Një kundërvënie e tillë vijonte që nga koha Lëvizjes për Bashkimin e Italisë në shekullin XIX, që i pati ndarë veçmas fatet e fesë nga ato të atdheut.
Këto dokumente i dhanë fund ndarjes së dhimbshme ndërmjet qytetarit e besimtarit, duke krijuar mundësitë që besimtarët të marrin pjesë me të drejtë të plotë qytetarie në jetën e vendit dhe të thonë fjalën e tyre si katolikë në të gjitha fushat e jetës.
Vlerat e 11 shkurtit ndikuan fuqimisht edhe për vënien në dukje të rolit që luan Selia e Shenjtë në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare, me qëllim që të konkretizohet mesazhi, mbartës e zëdhënës i të cilit është vetë Kisha, e cila në çdo vend e në çdo kohë ka si qëllim të mbështesë kauzën e njeriut.
Konkordati ndërmjet Italisë dhe Selisë së Shenjtë, njohje reciproke ndërmjet dy palëve, shikohet si model për Evropën. Marrëveshja, tashmë e konsoliduar, ndërmjet Italisë dhe Selisë së Shenjtë, me Konkordatin e rishikuar më 1984, në përkim me mësimet e Konçilit dhe me pjekurinë demokratike të vendit, mund të bëhet një model i vërtetë për Evropën, për të përcaktuar rregulla të qarta në marrëdhëniet ndërmjet dy realiteteve, mbi të cilat bazohet bashkëjetesa e tyre.
Kështu Kisha fitoi të drejtën e plotë për zhvillimin e misionit të saj fetar dhe, në të njëjtën kohë, për të punuar në shërbim të paqes dhe të progresit të popujve. Shteti e Kisha, duke shmangur çdo rrezik kundërvënieje, bashkëpunojnë me sukses për njeriun dhe lartësimin e tij shpirtëror e material. Në drejtpeshimin ndërmjet dy përkatësive qëndron edhe e fshehta e lirisë dhe e progresit në kontinent. Ajo që ishte arritja e veçantë konkordatare, mund të bëhet referim i qartë për Evropën që po ndertohet.







All the contents on this site are copyrighted ©.