2010-02-11 12:50:10

Mesila Doda kërkon një referendum për hapjen e dosjeve për të evidentuar të gjitha rastet e krimeve të komunizmit


(11.2.2010 RV)RealAudioMP3 Në Shqipëri e vërteta mbi periudhën e persekutimit, të dënimin, të vrasjeve të qytetarëve e të krimit në përgjithësi që bëri regjimi komunist, vjen pikërisht nga viktimat e pafajshme, nga ata që flijuan jetën për vlera e bindje shpirtërore, kulturore, kombëtare e politike për çka jetuan, vepruan, dëshmuan dhe flijuan jetën me martirizim. Pra zbardhja e së vërtetës së hidhur të periudhës së errët të diktaturës komuniste po del nga katakombet shqiptare. Pas sa e sa përpjekjesh që janë bërë në forma të ndryshme për t’i lënë në harresë krimet dhe viktimat, tani duket se gjëra po lëvizin në drejtim të duhur, atë të së vërtetës e të drejtësisë.
Deputetja e PD-s, Mesila Doda kerkon mbajtjen e një referendumi për hapjen e dosjeve për të evidentuar të gjitha rastet e krimeve dhe spastrimin apo largimin nga jeta publike shtetërore të atyre personav që kanë qenë të implikuar në krimet e regjimit komunist.
Drejtori i Mjekësisë Ligjore, Besim Ymaj në një intervistë për ATSH-në tha se “ekspertimi ligjor i eshtrave të zbuluara pak ditë më parë, në një varr masiv rrëzë malit të Dajtit në Tiranë, të cilat i përkasin personave të ekzekutuar nga regjimi komunist, “është një procedurë e gjatë që duhet respektuar hap pas hapi, duke filluar nga këqyrja, administrimi, inventarizimi, ekspertimi ligjor i mbetjeve kockore të gjetura në malin e Dajtit". Më pas, sipas tij, do të vijohet me matjet antropometrike të të gjitha kockave, për të përcaktuar gjininë, moshën.
"Pasi të kemi arritur në këtë fazë do të përqendrohemi në mënyrën e ekzekutimit të personave, shkaqet që kanë çuar në këtë ekzekutim, deri në etapën e fundit, atë të identifikimit të personave", shpjegoi z. Ymaj.
Ndërsa konfirmon se eshtrat e këtyre personave ndodhen prej dy ditësh në morgun e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, ai bën të ditur se grupi hetimor me ekspertë të kriminalistikës, oficerë të Policisë Gjyqësore, mjeko- ligjore, nga dita e pardjeshme kanë filluar punën për administrimin, këqyrjen, ekzaminimin e mbetjeve kockore të gjetura në varrin masiv, rreth 8 kilometra larg Tiranës.
Drejtori i Mjekësisë Ligjore nuk dha një shifër të saktë të numrit të trupave që i përkasin këto mbetje kockore, ndërsa nënvizoi se "aktualisht jemi në fazën e inventarizimit të mbetjeve kocokore, për të bërë më pas bashkimin e tyre. Në vijim do të punohet për të zbuluar se kujt i përkasin dhe rrjedhimisht do të kemi një numër të saktë të trupave".
Ndërsa flitet se eshtrat u përkasin personave që janë ekzekutuar në periudha të ndryshme, duke filluar nga vitet 1970- 1975, drejtori Ymaj shpjegoi se "nuk mund të kemi një përfundim të saktë për kohën kur janë ekzekutuar këto trupa, pa përfundimin e këtyre etapave, pasi paraprakisht duhen bërë dhe ekzaminimet kimike, ndryshimet që pësojnë këto kocka gjatë erozionit, mbetjes për shumë kohë". Të gjitha viktimat janë ekzekutuar me plumb pas koke e më pas trupat janë futur në qese të zeza plasmasi.
Sipas tij, ka disa tregues që përcaktojnë kohën e ekzekutimit apo të varrosjes së trupave.
Për drejtorin e Mjekësisë Ligjore, procedura e ekzaminimit për këtë rast do të zgjasë edhe për faktin se kemi të bëjmë me më shumë se një trup. "Ne do të ndalemi në detaje për çdo trup për të arritur në një konkluzion të saktë", shtoi Ymaj, duke kërkuar në këtë proces dhe bashkëpunimin me ekspertë të Prokurorisë.
Si ekspert mjekoro- ligjor, ai e quan një ekspertim të vështirë rastin në fjalë, por nënvizoi se institucioni që drejton disponon të gjitha mjetet e nevojshme për të kryer këtë ekzaminim.
"Në fazën e fundit të këtij procesi, që është përcaktimi i identitetit për çdo trup, do të kërkohet ekzaminimi përmes ADN-së , çka do të japë një përcaktim të plotë dhe të saktë për çdo njërin prej trupave. Në këtë hap kërkohet një bashkëpunim i gjerë, deri me të afërmit e viktimave të mundshme", përfundoi drejtori i Mjekësisë Ligjore.
Ditë më parë, media njoftoi se rreth 8 km larg Tiranës, u gjetën eshtrat e disa personave të vrarë me një plumb mbas koke, të cilët mendohen se janë pushkatuar nga regjimi komunist. Lajmi u konfirmua më pas dhe nga Policia e Shtetit.
Policia bëri të ditur se gjatë këqyrjes së vendit të gjetjes së këtyre eshtrave, përveç mbetjeve kockore u gjet dhe një kafkë njeriu, e cila ndodhet për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Pjesëtarë të familjeve të viktimave të ish- regjimit komunist, që kanë bërë kërkime për gjetjen e të afërmve të tyre të pushkatuar, janë pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana të hetimit. Policia tha se nga deklarimet paraprake bëhet fjalë për skeletet e 19 personave të ekzekutuar në periudha të ndryshme në kohën e regjimit komunist.
Në pjesën e dytë të intervistës sonë me deputeten e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Mesila Doda, do të flasim mbi hapat që priten të bëhen për të zbardhur krimet e regjimit komunist si: mbajtjen e një referendumi për hapjen e dosjeve për të evidentuar të gjitha rastet e krimeve dhe spastrimin apo largimin nga jeta publike shtetërore të personave që kanë qenë të implikuar në krimet e regjimit komunist. Mbi këto e tjera ta dëgjojmë pjesën e dytë të intervistës me Mesila Dodën....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.