2010-02-10 17:11:07

Në audiencën e përgjithshme, Papa foli për Shën Antonin e Padovës, që na mëson të lutemi, t'i ndihmojmë të varfërit, ta duam Kryqin.


(10.02.2010 RV)Sot, në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan, Benedikti XVI ia kushtoi katekizmin Shën Andout të Padovës, bashkëkohas i Shën Françeskut, të cilin Ati i Shenjtë e quajti “Një nga shenjtorët më popullorë të Kishës së gjithëmbarshme”. Papa kujtoi kryesisht mësimet e këtij Shenjti, tejet të nderuar nga besimtarët katolikë, kushtuar lutjes, parë si lidhje dashurie e si bisedë e përzemërt me Zotin. Kujtoi edhe bamirësinë e tij të mirënjohur, që gjen shprehjen në përbujtjen e të varfërve e në bindjen se do të jenë pikërisht varfanjakët ata, që do të na mikpresin në qiell. Mësim me vlerë – theksoi Papa – sidomos për kohën tonë, të tronditur nga kriza ekonomike. Më pas, duke kujtuar aftësinë e Shenjtit si predikatar, i ftoi meshtarët t’i përgatisin me kujdes të madh homelitë, për ta paraqitur në mënyrë sa më të kuptueshme e prekëse, bukurinë e amshuar të Krishtit.

Lisbona ishte vendlindja e tij për tokë, Padova, vendi prej nga u nis për qiell. Ndërmjet këtyre poleve gjeografike, që u bënë në shekuj simbole universale të Shenjtit, e kaloi jetën njerëzore e shpirtërore Antoni i Padovës (emër, që në shqip, mori trajtën Ndue), njeri i pajisur me shkencë e gojtari të krishterë aq, sa të ngarkohej nga eprorët me detyrën që t’i kushtohej kryesisht predikimeve. Shkrimet e tij - vërejti Benedikti XVI - janë plot me freskinë dhe me bukurinë e Ungjillit deri në atë masë, sa edhe sot e kësaj dite, 800 vjet pas vdekjes së tij, mund t’i lexojmë me të njëjtin përfitim shpirtëror. E jo vetëm. Shëna Ndou i Padovës, që deshi të bëhej vëlla i vogël e që më 1221 njohu personalisht Shën Françeskun në Kapitullin e famshëm të rrogozave, ishte ai që, me dhantitë e spikatura të mençurisë, të drejtpeshimit e të zellit apostolik – shpjegoi Papa – dha një ndihmesë të shquar në zhvillimin e përshpirtërisë françeskane. Por në predikimet e tij vërehet edhe një cilësi tjetër themelore, ajo e afshit mistik:
“Në këto Sermone, apo predikime, Shën Andou flet për lutjen, si për një lidhje dashurie, që e shtyn njeriun të bisedojë ëmbëlsisht me Zotin, duke provuar një gëzim të papërshkrueshëm, i cili e mbush plot shpirtin, që lutet. Antoni na kujton se njeriu që lutet, ka nevojë për një atmosferë heshtjeje, e cila nuk përkon me shkëputjen nga zhurma e jashtme, por është përvojë shpirtërore, që synon ta largojë njeriun nga hutimet e shkaktuara prej shqetësimeve të shpirtit, duke krijuar heshtjen e vetë shpirtit”.
Në këtë rrugëtim të mirëfilltë të jetës së krishterë, të cilin Shenjti e propozon me mësimet e tij, lutja krijon mundësitë që Zoti të hyjë në sferën e ndjenjave, të vullnetit, të zemrës, duke ndjekur katër rrugë, të cilat Papa i nënvizoi për besimtarët e sotëm:
T’ ia hapim plot besim zemrën tonë Zotit: ky është hapi i parë i lutjes; jo vetëm ta dëgjojmë fjalën, por ta hapim zemrën në praninë e Zotit; pastaj të bisedojmë përzemërisht me Të, duke e ndjerë të pranishëm në shpirt; më pas- gjë shumë e natyrshme – t’ia paraqesim nevojat tona; e, së fundi, ta lavdërojmë e ta falënderojmë”.
Në kohën kur jetoi Shenjti i Mrekullive, dëshira për t’u lutur ishte zbehur ndjeshëm. Qytetet dhe tregtitë, që nisën të lulëzojnë përsëri në fillim të shekullit të 13-të, flasin edhe për rritjen e numrit të njerëzve të pandjeshëm ndaj nevojave të të varfërve:
“Antoni më se një herë i ftoi njerëzit të mendojnë për pasurinë e vërtetë, atë të zemrës, që na bën të mirë e të mëshirshëm e na ndihmon të mbledhim thesare për Qiell (…). Thua s’është ky, miq të dashur, një mësim tejet i rëndësishëm edhe për sot, kur kriza financiare dhe humbja e ekuilibrit ekonomik shkaktojnë varfërimin e shumë njerëzve dhe krijojnë kushte mjerimi? Në Enciklikën time “Caritas in Veritate” kujtoj: “Që të funksionojë në mënyrë korrekte, ekonomia ka nevojë për etikë, jo për çfarëdolloj etike, por për një etikë që është mike e njeriut”.
Dishepull i Shën Françeskut, Antoni e vuri Krishtin në qendër të thirrjes e të apostullimit të tij. Përveç kësaj - shtoi Benedikti XVI – për Antonin është themelor kundrimi i Kryqit, që mbetet po aq i rëndësishëm edhe për kulturën bashkëkohore:
“Vegimi i Kryqit i frymëzon Antonit mendime mirënjohjeje për Zotin e nderimi për njeriun; kështu të gjithë, besimtarë e jo besimtarë, mund të gjejnë tek i Kryqëzuari e tek simboli i tij, një domethënie, që ta pasuron jetën (…) Në këtë mënyrë, i tërë dinjiteti njerëzor duket në pasqyrën e Kryqit e shikimi i ngulur drejt tij, është gjithnjë burim i njohjes së këtij dinjiteti”.
Nga një predikatar i shquar, si Shën Andou i Padovës, mendimi i Papës shkoi tek ata, që kanë sot detyrën ta bëjnë komunikimin e bazave të fesë energjik, të kuptueshëm e të paharrueshëm. Benedikti XVI e përfundoi katekizimin duke e nxitur klerin, në Vitin meshtarak, që vijon, të jetë i zellshëm në shërbimin e kumtimit e në aktualizimin e Fjalës së Zotit para besimtarëve, posaçërisht – porositi Papa - përmes homelive liturgjike:
“Ato të jenë paraqitje e bukurisë së amshuar të Krishtit, pikërisht ashtu siç porosiste Shëna Ndou: “Në se predikon Krishtin, ai i shkrin zemrat e ngurrta; në se i lutesh, Ai i ëmbëlson tundimet e hidhura; në se mendon për Të, ta mbush zemrën plot dritë; në se e lexon, Ai ta shuan etjen e mendjes”.
Gjatë përshëndetjeve të posaçme, drejtuar grupeve, mbledhur në Sallën e Palit VI – ndërmjet të cilëve, të rinjtë e kryedioqezës së Brindizi-Ostunit, cak i një vizite baritore më 2008-tën dhe përfaqësuesit e Komitetit Zonal Lacio të Federatës Italiane të Futbollit, të cilët Papa i ftoi ta ushtrojnë sportin me gëzim e qetësi - një përshëndetje e veçantë iu drejtua shtegtarëve kroatë, me rastin e një përvjetori shumë të dashur, që përkujtohet në vendin e tyre e në Kishën mbarë:

“Ujedno danas slavimo i spomendan...Sot kremtojmë përkujtimin e të Lumit Luigj, kardinalit Stepinac, ipeshkëv martir, i cili 50 vjet më parë flijoi jetën duke dëshmuar fenë. Ruajeni kujtimin e martirëve tuaj e, në sa ecni në gjurmët e tyre heroike, në të sotmen e Kishës, bëhuni kripë e tokës e dritë e botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.