2010-02-10 15:57:52

Intervistë me prof. Etore Goti Tedeskin, presidenti i IOR-it, mbi Enciklikën “Caritas in Veritate”: problemi i uljes së numrit të lindjeve


(10.02.2010 RV)RealAudioMP3 Të dashur dëgjues dje filluam transmetimin e një interviste të gjatë me presidentin e Bankës së Vatikanit IOR(Instituti i Veprave Fetare), prof. Etore Goti Tedeski mbi enciklikën e fundit të Papës Benedikti XVI “Caritas in Veritate”, ku ai shpjegon arsyet e krizës së sotme ekonomike e reflekton mbi mënyrën e daljes prej saj, mbi bazën e parimeve të përshkruara në enciklikë nga Ati i Shenjtë. Sot, ju ftojmë të ndiqni pjesën e dytë.
Në Enciklikën e tij, Papa thotë se nuk mund të ketë zhvillim ekonomik, nëse ulet numri i lindjeve dhe mungon respekti për jetën. Rritja e popullsisë nuk mund të konsiderohet si arsye për moszhvillimin. Të dëgjojmë opinionin e prof. Etore Goti Tedeski:

Zanafilla e vërtetë e krizës – unë personalisht nuk kam asnjë dyshim – është rënia e numrit të lindjeve në vendet perëndimore. Në vitet ’75, teoritë e të ashtuquajturve neo-maltusianë parashikonin se nëse treguesi i popullsisë do të rritej siç kishte bërë vitet e fundit, pra me rreth 4-4,5%, para vitit 2000, miliona vetë do të vdisnin nga uria, sidomos në Azi, në Indi. Kjo tregon qartë se sa aftësi parashikuese mund të ketë njeriu, sidomos të ashtuquajturit sociologë-ekonomistë. Bëri mirë Papa, para pak kohësh, kur i paralajmëroi ekonomistët nga prirja për të bërë parashikime afatgjata, mbi bazën e të cilave merren pastaj vendime, që bëjnë edhe më keq se parashikimet. Kanë parashikuar më mirë gjatë 50 apo 100 vjetëve të fundit, shkrimtarët e mëdhenj si Zhyl Verni dhe Herbert Uells. Por, çfarë ndodhi kur në botën perëndimore u ul numri i lindjeve, ndërsa në të ashtuquajturën Botë e tretë apo e Katërt, meqë nuk dinin të lexonin librat mbi bombën demografike, vazhduan qetësisht të bënin fëmijë, duke përmirësuar edhe jetën e tyre falë shëndetësisë, ushqimit më të mirë etj? Në botën perëndimore treguesi i lindjeve kalon nga 4-4,5% në vitet ’75, në 0% pas pesë vjetësh. Kjo do të thotë që çdo çift kishte vetëm dy fëmijë. Duke rënë numri i lindjeve, bie edhe numri i të rinjve që punojnë, ndërsa rritet numri i të moshuarve që dalin nga sistemi prodhues e duhen mbajtur nga kolektivi. Praktikisht: nëse popullsia nuk rritet, shpenzimet fikse të kësaj strukture ekonomike e shoqërore rriten, pasi rritet kostoja e shëndetësisë dhe e asistencës shoqërore. Jo vetëm kaq: nuk mund të ulen më taksat. Që prej 30 vjetësh, dëgjojmë qeveritë të thonë se do të ulin taksat, por kjo nuk është e mundur. Struktura e një shoqërie me lindje zero pengon uljen e taksave, pasi në të kundërt do të rriteshin eksponencialisht shpenzimet.
Pastaj, kemi edhe një fenomen tjetër. Të rinjtë që nuk punojnë e zhvendosin me vite ciklin e akumulimit të kursimeve; nuk formojnë familje; shpesh familjet nuk mendojnë për fëmijët, prandaj kursimet shpenzohen. Kjo sjell më pak aktivitet financiar në treg e bankat punojnë më pak. Për pasojë, paraja kushton më shumë e është gjithnjë e më e paktë. Për këtë arsye, shpiken të ashtuquajturat prodhime derivate për të kompensuar zvogëlimin e popullsisë. Për shembull, një fenomen është delokalizimi, pra transferimi i prodhimit në Azi, për ta shitur më pas me kosto më të ulët. Rritet prodhimi, por edhe kjo rritje ka një kufi. Duke u shprehur thjeshtë, një njeri mund të bëjë punë jashtë orarit, në masën 10% ose 20%, por më shumë se kaq nuk mund të shkojë, pasi nuk e lejon fiziku. Për të përballuar koston e jetesës mund të shkojë për të blerë në vende me çmime të lira, por pas këtyre lëvizjeve, s’i mbetet tjetër veçse të marrë borxh. Sistemi fillon të rritet falë borxhit të familjeve. Nëse unë si familje kam një prodhim të brendshëm brut prej 100%, mund të shkoj lehtë në 120-130% përmes marrjes së borxhit në një bankë. Por unë duhet të jem në gjendje ta paguaj borxhin, përndryshe ai nuk mund të qëndrojë në këmbë për një kohë të gjatë.
Po jap një shembull: gjatë 10 vjetëve të fundit, treguesi i borxhit të familjeve amerikane, i cili në vitin 1998 ishte mjaft i lartë (68% i Prodhimit të Brendshëm Brut), në vitin 2008 kalon në 96% të Prodhimit të Brendshëm Brut, pra rritet me 28 pikë. Nëse këto 28 pikë i ndajmë për 10 vjetët që kanë kaluar, del një zhvillim prej 2,8% në vit, i cili varet krejtësisht nga konsumizmi dhe borxhi i familjeve amerikane. Në thelb, kjo ka qenë në bazën e krizës, derisa u arrit në ekseset e të ashtuquajturve “subprime”.







All the contents on this site are copyrighted ©.