2010-02-10 17:11:27

Botohet programi i shtegtimit apostolik të Benediktit XVI në Maltë.


(10.02.2010 RV)Sot Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë botoi programin zyrtar të shtegtimit Apostolik të Papës në Maltë, më 17 e 18 prillin e ardhshëm, me rastin e 1950-vjetorit të mbytjes së anijes, me të cilën lundronte Shën Pali.
Benedikti XVI do të niset nga Aeroporti romak ‘Leonardo da Vinçi, të shtunën, më 17 prill.
Udhëtim dyditor, i ngjeshur me një sërë veprimtarish, duke nisur nga ceremonia e mirëseardhjes, që do të organizohet në orën 17.00, pak pas arritjes, në Aeroportin Ndërkombëtar Maltez të Lua-së, gjatë së cilës Papa do të mbajë edhe fjalimin e parë drejtuar banorëve të arkipelagut.
Më pas, në La Valeta, do t’i bëjë një vizitë mirësjelljeje presidentit të Republikës, në Pallatin e Mësuesve të Mëdhenj.
Në orën 19.45, do të vizitojë shpellën e Shën Palit në Rabat, ku do të lutet e do t’u drejtojë përshëndetjen të pranishmëve.
Shtegtimi do të arrijë kulmin të dielën, më 18 prill, në Floriana, ku Benedikti XVI do të kryesojë Meshën Shenjte, në Sheshin e Hambareve. Pas Meshës, do të kremtojë, po këtu, edhe lutjen e Engjëllit të Tënzot, për të drekuar, në përfundim, me ipeshkvijtë e Maltës dhe grupin, që e shoqëron..
Në orën 16.00 të së dielës do të largohet nga Nunciatura Apostolike e Rabatit, në drejtim të Kalkarës. Papa do të shtegtojë me anije nga Kalkara drejt Portit të Madh të La Valetë. Këtu do të takohet me të rinjtë, të cilëve do t’u drejtojë edhe përshëndetjen e rastit.
Edhe ceremonia e lamtumirës do të mbahet në Aeroportin Ndërkombëtar të Lua-së, në orën 19.10. Fjalimi i fundit i Papës është pikërisht ai i lamtumirës, para nisjes drejt Aeroportit romak të Çampinos, ku pritet të arrijë rreth orës 20.45.

Është vizita e tretë papnore në Maltë, pas dy vizitave të Gjon Palit II më 1990 e 2001. I kushtohet 1950-vjetorit të mbytjes së anijes, me të cilën udhëtonte Shën Pali në arkipelag. Sipas traditës, anija duhet të jetë mbytur në vitin 60, gjatë udhëtimit të Shenjtit drejt Romës. Apostulli i Popujve – lexojmë në Veprat e Apostujve – u prit me humanitet të madh nga popullsia vendase. Këtu u ndalua tre muaj, para se të nisej për Sicili. Si u kafshua nga një nepërkë, pa asnjë pasojë, shumë të sëmurë vendas vrapuan tek ai e u shëruan.
Më 16 qershor 2005, Benedikti XVI, duke pritur ambasadorin e ri maltez pranë Selisë së Shenjtë, kujtoi rrënjët e thella të krishtera të Maltës, trashëgimi vlerash kulturore e fetare, mbi të cilat mund të ndërtohet një ardhmëri me solidaritet e paqe. Krijimi i një Evrope të bashkuar e solidare – pati nënvizuar – është detyrë e të gjithë popujve që banojnë në këtë shtëpi të përbashkët. Evropa duhet të dijë t’i harmonizojë interesat legjitime të çdo kombi, me kërkesat e së mirës së përbashkët të mbarë Kontinentit.

Malta, e pavarur nga Mbretëria e Bashkuar që nga viti 1964, numëron rreth 410 mijë banorë, 98% e të cilëve, katolikë. Që nga një maji i vitit 2004 është Shtet anëtar i Bashkimit Evropian e, nga një janari 2008, ka nisur të përdorë euron.







All the contents on this site are copyrighted ©.