Sot me 9 shkurt kalendari Kishtar përkujton Shën Apolloninë, virgjër e martire.
(09.2.2010 RV)Apollonia është pajtore qiellore e dentistëve, sepse gjatë martirizimit,
i qenë shkulur të gjithë dhëmbët e dhëmballët. Prandaj ikonografia, shumë e pasur,
e paraqet me palmën e martirizimit në njërën dorë e me darën e dentistit në tjetrën. Shën
Apollonia u martirizua në vitin 249 pas Krishtit në Aleksandri të Egjiptit, gjatë
persekutimit barbar që shpërtheu kundër të krishterëve të qytetit. Turma e tërbuar,
pasi plaçkiti dhe shkretoi shtëpitë e besimtarëve e ndjekësve të Krishtit, e zvarriti
Apolloninë jashtë qytetit. Aty u ndez një zjarr dhe vajza e krishterë u kërcënua
se do të digjej e gjallë në se nuk do të pranonte të blasfemonte kundër Jezu Krishtit,
nëse pra nuk pranonte të mohonte fenë në Krishtin Shpëtimtar. Ajo kërkoi ta linin
të mendohej një çast të vetëm, e ndërsa ata prisnin mohimin e saj, Apollonia u hodh
vullnetarisht ndërmjet flakëve dhe u shkrumbua ndër sytë e salvuesve të saj, që mbeten
me gojë hapur nga guximi i vajzës së krishterë virgjër. Mbylli kështu ditët e
një jete kaluar me lutje e vepra bamirësie, duke u bërë pishtar për t’u ndriçuar të
gjithë njerëzve rrugën që çon në mbretërinë qiellore. Fundi i saj pati ngjallur shumë
diskutime teologjike, që kanë të bëjnë me qëndrimin ndaj vetëvrasjes, në se mund ta
quajmë kështu vdekjen e Shenjtores, duke pasur parasysh se Kisha katolike nuk pranon
që njeriu të vendosë mbi fatin e jetës së vet, sepse jeta është në dorë të Zotit.