2010-02-09 16:54:12

Shqipëri:eshtrat e viktimave të komunizmit në Dajt, mjekësia Ligjore merr në dorëzim skeletet


(09.2.2010 RV)Mjekësia Ligjore ka marrë në dorëzim mbetjet fosile të gjetura nga gërmimet në malin e Dajtit pranë “Arshivës së Bashkisë së Tiranës”.

Policia e Tiranë informoi dje se nga deklarimet paraprake, behet fjalë për skeletet e 19 –të personave të ekzekutuar në periudha të ndryshme në kohën e Regjimit Komunist. Vetëm gjatë ditës së djeshme është gjetur edhe një kafkë njeriu.

Besim Ymeraj drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, i cituar nga Gazeta Shqiptare se në morg është ngritur e gjithë infrastruktura e duhur për t’i hetuar dhe identifikuar skeletet e dorëzuara. Në Institutin e Mjekësisë Ligjore ndodhet e instaluar edhe aparatura për analizimin e ADN-ve, e cila pritet të jetë kyçi që do të zgjidhë enigmat e identiteteve të skeleteve të gjetura në malin e Dajtit.

Veprimet e ekspertëve të Mjekësisë Ligjore pritet të kryhen bashkë me ato të oficerëve të policisë gjyqësore do të saktësojnë nëse skeletet janë të personave të pushkatuar nga komunizmi prej vitit 1975 apo të personave të të ekzekutuar të viteve 1988-1989-1990, kur qytetarë të shumtë synonin të hynin nga ambasadat e huaja në Tiranë për të shpëtuar nga regjimi komunist.

Pikërisht mungesa e prangave, zinxhirëve dhe mjeteve të tjera “lidhëse” në një pjesë të madhe të skeleteve të gjetura, ka ngjallur dyshime që mes tyre të ketë edhe të ekzekutuar të viteve 1988-1989-1990.

Edhe kryeministri Sali Berisha e la dje të hapur mundësinë që eshtrat e gjetura një ditë më parë në Malin e Dajtit t’i përkasin gushtit të vitit 1990, kur u përfol se u ekzekutuan pa gjyq në Malin me Gropa qytetarë që tentonin të kalonin rrethimin e ambasadave.

Ndërkohë policia në njoftimin për shtyp thotë se “eshtrat janë gjetur nga familjarë, në një luginë në fshatin Qerret Komuna Dajt, në afërsi të vendstrehimit për kohë lufte të Ish Komitetit Ekzekutiv Tiranë.

Eshtrat janë gjetur në gropa me një distancë thuajse të njëjtë, 5 metra larg nga njëra-tjera. "Në zonën e varrezës masive dyshohet të ketë ende eshtra nga të pushkatuar të tjerë të regjimit"- shkruan sot GSH.

Oficerët e policisë vazhdojnë kërkimet në vendngjarja për të gjetur sende personale të viktimave, me anë të të cilave mund të bëhet identifikimi i tyre. Ndërkohë që një ekip tjetër oficerësh të policisë së kryeqytetit kanë marrë në pyetje disa pjesëtarë të familjeve të viktimave të ish-regjimit komunist, që kishin bërë kërkime për gjetjen e të afërmve të tyre të pushkatuar dhe që zbuluan këtë varrezë masive. (nga BalkanWeb)







All the contents on this site are copyrighted ©.