Ipeshkvijtë rumunë në vizitë ad limina në Vatikan. Imzot Robu: katolikët po ikin jashtështetit
nga varfëria.
(09.02.2010 RV)Ipeshkvijtë e Konferencës
ipeshkvnore të Rumanisë filluan sot në Vatikan vizitën e tyre “ad limina”. Imzot Joan
Robu, kryeipeshkvi i Bukureshtit dhe kryetari i ipeshkvijve rumunë u takua dje me
Benediktin XVI. Por, më hollësisht, mbi gjendjen e Kishës Katolike në Rumani në mikrofonin
e radios sonë le të dëgjojmë vetë Imzot Robun:
Përgjigje: Konferenca
Ipeshkvnore rumune pasqyron në strukturën e saj fizionominë e larmishme të Kishës
katolike në Rumani. Ne kemi tri rite: atë latin, bizantin dhe armen – dhe tri gjuhë
kryesore liturgjike: rumanishten, hungarishten dhe gjermanishten. me një fjalë Kisha
jonë është një lloj pasqyre e vetë Kishës universale.
Pyetje:Cila
është veprimtaria e Kishës katolike në Rumani?
Përgjigje: Ajo zhvillon
një veprimtari që tashmë i ngjason gjithnjë e më tepër jetës së Kishave që nuk kanë
kaluar një periudhë persekutimi si ne. Ndërsa përpara vitit 1989 veprimtaria baritore
mund të zhvillohej vetëm brenda mureve të kishave, sot fusha e baritorisë është zgjeruar.
Për shembull masmediat, shkollat, universitetet, spitalet, ushtria, burgjet, veprimtaria
me të rinjtë, me të moshuarit si edhe veprimtari të tjera shoqërore.
Pyetje:
Cilat janë marrëdhëniet me Kishën ortodokse?
Përgjigje: Nuk e di
nëse mund të flasim për marrëdhënie, domethënë për marrëdhënie të dendura. Është më
me vend të flasim për bashkëjetesë. Jemi më afër njëri-tjetrit nëpërmjet një respekti
të ndërsjellë. Por nuk kanë munguar as tensionet, edhe pas vizitës së Papës Gjon Pali
II. Edhe tani ka ende tensione, për shembull ndërmjet Kishës ortodokse rumune dhe
Kishës greko-katolike për shkak të pronësive si kisha, qela, kuvende etj, që janë
konfiskuar padrejtësisht nga regjimi komunist dhe i janë dhënë Kishës ortodokse.
Pyetje:
Si po ndryshon shoqëria rumune?
Përgjigje: Ndikimi i botës perëndimore
nga ky këndvështrim është gjithnjë e më i fortë dhe kjo për shkak të masmediave, të
emigracionit, të turizmit etj. E para vështirësi që më vjen në mend është se shumë
familje katolike kanë emigruar, me një fjalë pra, plakja e vrullshme e shumë bashkësive,
sepse ata që kanë ikur për arsye punësimi, kanë qenë kryesisht të rinjtë. Kështu që
në një moment kur po përpiqeshim për një unitet më të madh dhe një përparim të mëtejshëm
të bashkësive tona, u vu re kjo ikje e madhe jashtështetit, për shkaqe materiale.
Fatkeqësisht autoritetet shtetërore nuk tregohen edhe aq të ndjeshme ndaj kësaj dukurie.
Pyetje:
Cili ka qenë ndikimi i diktaturës komuniste në shpirtin e rumunëve?
Përgjigje:
Të them të drejtën, unë mendoj më tepër për atë që është ndërtuar gjatë këtyre
njëzet vjetëve liri në shpirtin e besimtarëve tanë, gjë që nuk është e lehtë për t’u
matur. Ne barijtë, ipeshkvijtë, meshtarët jemi mësuar me këtë vështirësi. E dimë se
është e vështirë të shihen frytet e veprimtarisë baritore për të cilët kemi punuar
dhe pikërisht për këtë arsye, po thoshja se nuk më pëlqen të flas për fryte, por më
mirë për hirin e Zotit që ka zbritur mbi ata që na janë besuar. Sidoqoftë dëshirojmë
ta sigurojmë Atin e Shenjtë se Kisha rumune e ka ruajtur mirë identitetin e saj katolik,
dhe edhe sot e kësaj dite e ruan.