2010-02-08 17:22:55

Zgjedhje presidenciale në Ukrainë: Janukoviç në krye.


(08.02.2010 RV)Ukraina votoi dje në ballotazh për presidentin e Republikës. Viktor Janukoviç, lider i opozitës filo-ruse duket se ka fituar zgjedhjet, por kryeministrja Julia Timoshenko e akuzon për manipulime. Gjithsesi, kreu i komisionit qendror të zgjedhjeve e ka deklaruar të vlefshëm ballotazhin. Për shpalljen e rezultateve zyrtare duhet pritur 17 shkurti. Për të ardhmen e Ukrainës pyetëm zv.drejtorin e revistës “Familja e krishterë”, Fulvio Skaljone:RealAudioMP3
Kam frikë se e ardhmja e Ukrainës i ngjan trishtueshëm së kaluarës së saj, me zgjedhje të anulluara, me grindje politike të vazhdueshme, që pengojnë debatin e vërtetë politik në vend, i cili, të mos harrojmë, është në pragun e falimentimit. Në vitin 2009 prodhimi i brendshëm brut është ulur me 14%, ndërsa prodhimi industrial me 25%. Gjithsesi, këto zgjedhje janë funerali i të ashtuquajturit Revolucion Portokalli dhe i shpresave që pati zgjuar.
Shumë analistë mendojnë se do të kemi një lidhje të re me Moskën…
Në të vërtetë, kjo është njëra nga lajmet e pakta të mira, në njëfarë mënyre, pasi një nga problemet e së kaluarës së afërt të Ukrainës ishte pikërisht ai i një politike të çmendur kundër Rusisë, të cilën Kievi nuk mund t’ia lejojë vetes, pasi të gjitha furnizimet me energji i vijnë nga Rusia. Moska lëviz 25% të import-eksportit në Ukrainë. Në këto kushte, një vend që bën një politikë kundër një vendi tjetër, i cili në fakt i mban në këmbë ekonominë, është politikisht i verbër, e nga pikpamja ekonomike, vetëvrasës.







All the contents on this site are copyrighted ©.