2010-02-08 17:24:56

Në Indi kërkohet një “libër i bardhë” për dhunën kundër të krishterëve në Orisë


(08.02.2010 RV)Është i nevojshëm një “Libër i Bardhë” për situatën në shtetin indian të Orisës, në mënyrë që të zgjidhet me paasnjanësi e transparencë çështja e të shpërngulurve, kthimi i tokave, e drejta për një jetë në paqe. Kjo është thirrja e kryeipeshkvit të Bubanesuarit, imzot Rafal Çinat, pas vizitës së një delegacioni të Bashkimit Evropian në vendet e dioqezës, ku është ushtruar dhunë kundër të krishterëve. “Pavarësisht nga premtimet e qeveritarëve, shkruan imzot Çinat, dinjiteti dhe të drejtat e të krishterëve, viktima të dhunës së vitit 2008, mbeten larg standartit të normalitetit. 15 muaj pas dhunës, mijëra refugjatë jetojnë akoma në rrugë, në strehime të rastit, pa shpresë për të rifituar jetën dinjitoze e nën kërcënim të vazhdueshëm”. Qeveria e vendit, theksoi prelati, nuk është në gjendje të kryejë një proces hetimor të paanshëm e transparent e t’u garantojë njerëzve të drejtat e tyre.
Në të njëjtën kohë, kryeipeshkvi ripohon impenjimin e Kishës në ndihmë të të shpërngulurve. "Po afron stina e musoneve, nënvizon ai, prandaj kushtet e jetesës mund të keqësohen më tej: do të ishte një katastrofë humanitare”. Pas dhunës së 2008-ës, familjet e të shpërngulurve janë rreth 11 mijë, gjithsej 54 mijë vetë. Sot, 1.200 familje janë larguar për në shtete të tjera indiane, rreth 6 mijë jetojnë në periferi të Bubanesuarit e 300 në kampet e refugjatëve në zonën e Kandhamalit. Ata refugjatë që janë përpjekur të shkojnë sërish në shtëpitë e tyre, janë kërcënuar nga ekstremistët hinduistë, që u kanë zënë vendin me dhunë, në indiferencën totale të autoriteteve lokale.
Sipas imzot Rafael Çinat, në Librin e Bardhë të Orisës duhet të përmbahet: kompensimi i refugjatëve për pronat e shkatërruara; punësimi dhe e drejta e tyre për punë; çështja e tokës, e cila mbetet element mbijetese për familjet e zonës.







All the contents on this site are copyrighted ©.