Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 5-të gjatë vitit kishtar “C". Zoti i thërret
të gjithë; edhe atë që nuk dëgjon!
(06.2.2010 RV)Dëgjues të nderuar ja përsëri në takimin javor me Fjalën e Zotit
të liturgjisë së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet
biblike të liturgjisë Hyjnore të dielës së 5-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë,
sipas kalendarit liturgjik. Temë të përbashkët e Leximeve biblike të kësaj së
diele është thirrja dhe misioni: i katër apostujve të parë, për çka na tregon pjesa
e Ungjillit nga Luka; i Isaisë profet, për çka ai vet rrëfen e kujton në leximin e
parë; e Palit, në predikimin që ai u bën Korintianëve mbi ringjalljen, për çka flet
leximi i dytë. Pra, Zoti na thërret të lëmë gjithçka e ta ndjekim pas: vetëm
kështu jeta, vetëm kështu peshkimi do të jetë i begatshëm sepse do ta kemi kuptuar
se të rrezikosh gjithçka për Krishtin është siguria më e madhe që mund të kemi në
jetë. I refuzuar prej besimtarëve të sinagogës, jashtë heshtjes së thellë të tempullit,
Jezusi shkon në plazh, në zhurmën e zërave të portit (limanit) të vogël të Karfarnaumit,
vend takimesh për hebrenj e të huaj, e aty fillon t’ua kumton të gjithëve Ungjillin
e vet. Jo vetëm hebrenjve por edhe te huajve; jo vetëm besimtarëve por edhe të
pafeve; jo vetëm njerëzve të përshpirtshëm por edhe mëkatarëve; fjala e mësuesit hyjnor
është për të gjithë, pa dallim e pa përjashtim. Përvijohet kështu Kisha, bashkësia
e mëkatarëve të falur apo të atyre që janë në kërkim të faljes së Hyjit, shtëpi e
hapur për çdo njeri; shtëpi që ka një pasuri të vetme: ungjillin; bashkësi që ka vetëm
një propozim: fjalën e Jezusit. Fjalë jetëdhënëse që shkon përtej çdo shprese e eksperience
njerëzore. Hyji ka dashur që Fjala e tij të përhapej në saje të bashkëpunimit të
njeriut. Para kësaj përgjegjësie të madhe, reagimi i parë i çdo njeriu duket se është
i përbashkët; peceptimi i paaftësisë, i papërshtatëmërisë personale për një mision
kaq fisnik e të lartë. Kështu ishte për Isainë profet, i cili e konsideron veten “njeri
me buzë të papastërta”, e për Palin që pohon, “unë jam më i vogli ndër apostuj; unë
nuk jam i denjë as të quhem apostull”. Po kështu edhe Pjetri, para fuqisë së fjalës
së Mësuesit Hyjnor, nuk mundi të bëj asgjë tjetër përpos se të rishqyrtojë gjendjen
e tij personale prej mëkatari. Vetëm hiri i Zotit që na dhurohet falas, mund ta
përtërijë brendinë e zemrës e të shpirtit dhe të na bëjë të aftë të jemi atë çka nuk
do të kishim menduar kurrë të bëhemi e të jemi, pa ndihmën e hirit të Zotit. Thirrja
pra është të mos kemi frikë, sepse me Zotin gjithçka është e mundur në jetë. Thirrja
e Zotit nuk është vetëm për të ndjekur rrugën e jetës meshtarake e atë rregulltare,
por që të gjithë njerëzit, që të bëhemi e të jemi bijë të Zotit, vëllezër njëri me
tjetrin, të krishterë të vërtetë. Kisha është e tërë misionare, po sot ka pak misionarë,
Kisha është e tërë apostolike, po sot mjerisht ka shumë pak apostuj. Këndej të gjithë,
priftërinj, rregulltarë, rregulltare e besimtarë jemi të thirrur prej Zotit t’ia kumtojmë
me fjalë e t’ia dëshmojmë jetë dashurinë e Tij hyjnore çdo personi e botës mbarë.
Thirrja e Zotit është dhuratë: e këtë nuk duhet të harrojë asnjëri prej nesh, që është
i thirrur të ndërtojë qytetërimin e dashurisë. Nga leximet biblike të liturgjisë
hyjnore të kësaj diele na vjen thirrja për ta dëgjuar Fjalën e Zotit, që ta bëj autentike
e të frytshme jetën tonë dhe misionin e bashkësisë së krishterë si dhe atë të çdo
personi që beson në Krishtin, që brenda realitetit, mentalitetit e dokeve të botës
së sotme e dëshmon dashurinë e Zotit për çdo njeri e përçon mesazhin e shpresës së
jetës së amshuar. E këtu mund t’i dëgjoni leximet biblike dhe komentin mbi liturgjinë
e Fjalës Hyjnore... Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Is 6, 1-2.3-8
Profeti
na tregon takimin e madh të jetës së tij: Ai ka parë Hyjin, tre herë të shenjtë. Hyji
rrinte ndenjur në një fron të lartë dhe të madhërishëm dhe profeti është trembur para
Zotit të botës. Ishte përgatitur një tryezë ku Hyji u dhurohej të gjithëve e
më shumë mëkatarëve të ftuar nga Hyji vetë. Këtu qëndron shenjtëria tronditëse e
Hyjit: Ai bëhet një realitet i thjeshtë dhe i përvuajtur ashtu si buka, për të shuar
urinë e njerëzve të padenjë dhe të uritur.
Lexim prej Librit
të Isaisë profet
Në vitin e vdekjes së mbretit Ozi, e pashë Zotin duke
ndenjur në një fron të lartë e të madhërishëm. Kindat e petkut të tij e mbushnin Tempullin.
Serafinët qëndronin në këmbë përngjatë tij. I brohoritnin njëri-tjetrit: “Shenjt!
Shenjt! Shenjt Zoti i Ushtrive! Plot është toka mbarë me lavdinë e tij!” E u dridhen
pragjet e shtatkave të dyerve nga zëri shungullues dhe shtëpia u mbush me tym. Unë
thashë: “I mjeri unë, qetash sharrova, sepse jam njeri me buzë të papastra, banoj
në popull buzësh të papastra, e me sy të mi e pashë Mbretin, Zotin e Ushtrive!” Atëherë
njëri nga serafinët vrapoi drejt meje: në dorë kishte një gacë që e mori me mashë
nga elteri. Me të ma preku gojën e më tha: “Ja, me gacë i preka buzët e tua, mëkati
yt u shlye, faji yt u fal!” Atëherë e dëgjova zërin e Zotit që thoshte: “Kë të
dërgoj? Kush do të na shkojë?” Unë përgjigja: “Qe, ku më ke, më dërgo mua!” Fjala
e Zotit.
Psalmi 138
T’i këndojmë Zotit, para engjëjve të
tij ---------------- Me gjithë shpirt të falënderoj, o Zot, sepse i dëgjove
fjalët e gojës sime. Të këndoj në praninë e engjëjve, adhuroj në drejtim të
Tempullit tënd të shenjtë. ---------------- E lavdëroj Emrin tënd për dashurinë
e besnikërinë tënde, sepse e madhërove tesve premtimin tënd. Sa herë të thirra
në ndihmë, ti më vështrove, shpirtit tim ia kërthndeze fuqitë. ---------------- Do
të të lavdërojnë, o Zot, të gjithë mbretërit e tokës, sepse i dëgjuan premtimet
e gojës sate. Do t’i këndojnë udhët e Zotit, sepse e madhe është lavdia e Zotit. ---------------- Çka
kam filluar, Zoti do ta kryejë për mua. E amshueshme është, o Zot, mirësia jote: mos
e përbuz veprën e duarve të tua! ---------------- Leximi i dytë 1 Kor 15,
1-11
Pali na paraqet “Besojmën” e parë të krishterë. Mesazhi që duhet
të shpallet është themeli i besimit tonë: Krishti i vdekur, i varrosur, i ringjallur
në të tretën ditë, i shfaqur të Dymbëdhjetëve është i pranishëm në bashkësinë që i
lutet. Të besosh do të thotë t’i referohesh besimit të bashkësisë primitive të
ndërtuar nga dëshmitarët okularë.
Lexim prej Letrës së parë
të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Tani, o vëllezër, po ju përkujtoj
Ungjillin, që ju pata predikuar, që e pranuat e në të cilin qëndroni. Me anë të tij
jeni në udhën e shëlbimit nëse do ta mbani ashtu si jua kam predikuar; përveç se në
paçi besuar kot. Dhe njëmend, më së pari ju shpalla ato të vërteta që edhe unë
vetë i mora: se Krishti vdiq për mëkatet tona sikurse e paralajmëroi Shkrimi shenjt.
Qe varrosur e të tretën ditë u ngjall së vdekuri, si u tha në Shkrimin shenjt. Iu
duk Kefës e pastaj të dymbëdhjetëve. Pastaj u duk vëllezërve që ishin së bashku më
shumë se pesëqind vetë, prej të cilëve shumica janë ende gjallë e disa kanë vdekur.
Pastaj iu dëftua Jakobit e mandej të gjithë apostujve. Më së fundi m’u dëftua edhe
mua, dështakut. E në të vërtetë, unë jam më i vogli ndër apostuj; unë nuk jam i
denjë as të quhem apostull, sepse e kam salvuar Kishën e Hyjit. Por, në saje të hirit
të Hyjit, jam ky që jam, dhe hiri i tij në lidhje me mua nuk ka qenë i kotë. Madje
u mundova të veproj më shumë se të gjithë ata, njëmend, jo unë vetëm, por edhe hiri
i Hyjit me mua. Pra, si unë, ashtu edhe ata: kështu predikojmë e kështu edhe ju besuat.
Fjala e Zotit.
Ungjilli Lk 5, 1-11
Jezusi i kërkon
Simon Pjetrit të hedhë rrjetën për peshk. Ai e bën duke ndjekur fjalën e Mësuesit.
Mrekullia e peshkimit është një rast për të ftuar dishepujt të bëhen peshkatarë të
njerëzve. Krishti dhe dishepujt e tij janë angazhuar të shpëtojnë njerëzimin
e mbizotëruar nga fuqia e së keqes. Të jesh peshkatar i njerëzve sot, do të thotë
të angazhohesh në të gjitha situatat për të shpëtuar njeriun nga shkatërrimi i së
keqes.
Leximi nga Ungjilli shenjt sipas Lukës
Ishte
një ditë Jezusi në bregun e liqenit të Gjenezaretit e, ndërsa populli po shtyhej rreth
tij për të dëgjuar fjalën e Hyjit, pa dy lundra buzë bregut të liqenit: peshkatarët
kishin dalë e po i lanin rrjetat. Hyri në njërën prej atyre lundrave – në atë që ishte
e Simonit – dhe iu lut ta largonte pakëz prej tokës. U ul e, prej lundrës, mësonte
turmën. Kur pushoi së foluri, i tha Simonit: “Grahi në ujë të thellë e qitni
rrjetat tuaja për të zënë peshk.” Simoni i tha: “Mësues, gjithë natën u përpoqëm e
nuk zumë asgjë; por, pasi po thua ti, do t’i qes rrjetat.” Si bënë kështu, zunë një
sasi të madhe peshqish – gati po u shqyheshin rrjetat. Atëherë u dhanë shenjë shokëve
në lundrën tjetër të vinin e t’u ndihmonin. Ata erdhën dhe i mbushën të dy lundrat
aq sa gati u fundosën. Kur pa Simon Pjetri, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha:
“Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar!” Vërtet, për arsye të peshkut që
zunë, mbeti shtang prej habisë ai dhe të gjithë tjerët që ishin me të; gjithashtu
edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, bashkëgjuetarë të Simonit. Jezusi i tha Simonit:
“Mos ki frikë! Tash e tutje do të zësh njerëz.” Ata, si i sollën lundrat në breg,
lanë gjithçka e shkuan pas tij. Fjala e Zotit.