2010-02-08 15:32:10

Benedikti XVI në mbledhjen plenare të dikasterit për familjen: fëmijët dëshirojnë të rrethohen nga dashuria nënës dhe e babait.


(08.02.2010 RV)“Disa anëtarë të Kishës i kanë dhunuar të drejtat e fëmijëve, sjellje kjo që Kisha nuk harron e nuk do të harrojë kurrë ta dënojë ashpër”. Këtë pohoi sot Benedikti XVI, duke pritur në audiencë pjesëmarrësit e mbledhjes plenare të Këshillit Papnor për Familjen.
Dhimbsuria dhe mësimi i Jezusit – shtoi Papa, i cili njoftoi se javët e ardhshme do të botojë një Letër baritore, drejtuar besimtarëve irlandezë, pas disa raporteve gjyqësore mbi shpërdorimet e kryera nga njerëzit e Kishës – kanë qenë gjithnjë thirrje e fuqishme për t’i trajtuar fëmijët me respekt të thellë, kujdes e dashuri.

Kisha gjatë shekujve, duke ndjekur shembullin e Krishtit - vijoi Papa, në sa kujtonte 20-vjetorin e Konventës së OKB-së për të drejtat e fëmijëve – e ka pasur gjithnjë në qendër të vëmendjes mbrojtjen e të drejtave e të dinjitetit të të miturve dhe është kujdesur për ta, në mënyra nga më të ndryshmet. Por mjerisht, në disa raste – shtoi Ati i Shenjtë - disa nga anëtarët e saj, duke vepruar në kundërshtim me këtë impenjim, i shkelën këto të drejta, sjellje kjo gjithnjë e dënueshme nga ana e Kishës.
Fjalët e ashpra të Jezusit kundër atyre, që shkandullojnë qoftë edhe një nga këta të vegjël – vijoi të pohonte Ati i Shenjtë – i impenjojnë të gjithë të mos e ulin kurrë nivelin e këtij respekti e të kësaj dashurie. Prandaj edhe Konventa mbi të drejtat e fëmijëve u mbështet me kënaqësi nga Selia e Shenjtë, pikërisht sepse përmban formulime pozitive, që kanë të bëjnë me bijësimin, kujdesin shëndetësor, edukimin, ndihmesën e fëmijëve me aftësi të kufizuara si dhe mbrojtjen e tyre nga dhuna, braktisja e shfrytëzimi seksual.

Përparësitë baritore për familjen, doracaku kushtuar përgatitjes për martesë, shërbimi ndaj fëmijëve dhe mbrojtja e të drejtave të tyre, janë tri temat e mbledhjes plenare të Këshillit Papnor për Familjen, që u hap sot në Romë me audiencën tek Benedikti XVI.
Në këtë takim marrin pjesë 150 anëtarë të Dikasterit të Vatikanit. Është një Këshill i përtërirë thellë kohët e fundit, pas zgjedhjes së kryetarit, kardinalit Enio Antoneli e të sekretarit të ri, ipeshkvit Zhan Lafit, por edhe të anëtarëve, ndërmjet të cilëve, disa shekullarë.
Pranë tyre, gjatë punimeve, do të japin ndihmesën edhe anëtarët e tjerë, që vijojnë detyrën zyrtare; nëntë çifte të reja bashkëshortësh, përfaqësues të kontinenteve të ndryshme e shtatëmbëdhjetë këshilltarë të rinj. Por, të dëgjojmë kardinalin Antoneli, që na flet për qëllimin e kësaj mbledhjeje plenare:

Përgjigje: - Vërehet gjithnjë më shumë urgjenca për përgatitjen sa më serioze të martesës, në mënyrë që të sigurohet jo vetëm realizimi i frytshëm, por edhe vlera e saj, që sot është e paparashikueshme. Duhet, prandaj, një përgatitje serioze, duke përshkuar një rrugë të gjatë, e jo vetëm doktrinore, por edhe praktike, të fesë e të jetës së krishterë. Ka edhe forma të tjera më të lehta, si kurset, takimet e shkurtëra, por edhe këto duhet të kenë vazhdimësi e të përgatiten me seriozitetin më të madh, duke u mbështetur në Nxitjen Apostolike ‘Familiaris consortio’ të Gjon Palit II. Kjo – tematika e diskutimeve të sotme. Ndërsa nesër e pasnesër do të flitet kryesisht për të drejtat e fëmijëve.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.