2010-02-08 15:01:25

Benedikti XVI kujton dramën e krizës ekonomike, që prek posaçërisht njerëzit më të ligshtë e më të pambrojtur.


(08.02.2010 RV)“Asnjeri nuk është pronar i jetës së tij!” dhe “të gjithë jemi të thirrur për ta ruajtur e për ta respektuar”. Në Ditën kushtuar mbrojtjes së jetës, Benedikti XVI kujtoi përsëri dramën e krizës ekonomike, e cila godet posaçërisht njerëzit më të ligshtë e më të pambrojtur, duke uruar një impenjim më të madh për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor.
Duke kujtuar temën: “Forca e jetës, sfidë për varfërinë”, Papa bashkoi zërin me mesazhin e ipeshkvijve italianë për Ditën kombëtare kushtuar Jetës dhe në vijim theksoi se në periudhën aktuale, plot me vështirësi ekonomike, bëhen edhe më dramatike mekanizmat që, duke prodhuar varfëri e duke krijuar pabarazi të ndjeshme shoqërore, plagosin e fyejnë jetën dhe godasin rëndë sidomos njerëzit më të ligshtë e më të pambrojtur:
“Një situatë e tillë, prandaj, nxit impenjimin për promovimin e zhvillimit të përgjithëm njerëzor, që të kapërcehen, kështu, mungesat e skamja e na kujton, sidomos, se qëllimi i njeriut nuk është mirëqenia, por është vetë Zoti e se jeta e njeriut duhet mbrojtur e duhet përkrahur në çdo fazë të zhvillimit të saj. Askush nuk është pronar i jetës së vet, por të gjithë jemi të thirrur ta ruajmë e ta respektojmë, që nga çasti i zënies e deri në shuarjen e saj të natyrshme”.
Duke kujtuar se kjo Ditë, në Dioqezën e Romës vijon me “javën kushtuar jetës e familjes, Papa u shpreh kështu:
“Uroj që këto nisma të realizohen me sukses e inkurajoj veprimtarinë e këshilltarëve, të shoqatave e të lëvizjeve, si dhe të pedagogëve universitarë, të impenjuar në mbrojtjen e jetës e të familjes”.
Frymëzohej nga liturgjia e djeshme, katekizmi i Papës i cili, para lutjes së Engjëllit të Tënzot, foli për thirrjen hyjnore të Izaisë, për peshkimin e mrekullueshëm, në të cilin ishte i pranishëm Simon Pjetri e për Shën Palin, që ndjen thellë në shpirt se është i padenjë përpara fytyrës së Zotit. E Ati i Shenjtë nënvizoi pikërisht dëshminë e përvujtërisë së tyre:
“Në këto tri përvoja shikojmë se takimi i vërtetë me Zotin e nxit njeriun t’i njohë varfërinë dhe mungesat, kufizimet dhe mëkatin e tij. Por, pavarësisht nga kjo brishtësi, Zoti, i pasur me mëshirë e ndjesë, e shndërron jetën e njeriut dhe i bën thirrje ta ndjekë pas”.
Prej këndej, thirrja e Papës për të mos u ngujuar mbrenda kufijve të vetvetes, por për t’i mbajtur sytë ngulur tek Zoti e tek mëshira e tij mahnitëse, për ta shndërruar zemrën e për të vijuar, me gëzim, ecjen në gjurmët e Krishtit, duke lënë gjithçka për Të:
“Njeriu shikon dukjen, por Zoti shikon zemrën” (1 Sam 16,7) e, nga nga njerëzit e varfër e të ligshtë, por plot besim në Të, bën apostuj sypatrembur e lajmëtarë guximtarë të shëlbimit”.
Duke u nisur nga Shkrimi Shenjt, Papa u drejtoi një ftesë të posaçme meshtarëve, në Vitin që u kushtohet:
“I ftoj të gjithë meshtarët ta gjallërojnë gatishmërinë e tyre bujare për t’iu përgjigjur çdo ditë thirrjes së Zotit me të njëjtën përvujtëri e me të njëjtin besim, që patën Izaia, Pjetri e Pali”.
Pastaj, lutja drejtuar Zojës së Bekuar:“Maria ngjalltë në secilin nga ne dëshirën për t’i thënë Zotit ‘po’-në e vet me gëzim e përkushtim të plotë”.
Në përshëndetjet përfundimtare, Benedikti XVI u kujtoi besimtarëve e se më 11 shkurt, ditë e përkujtimit të Zojës Lurdë, në Ditën Botërore kushtuar të sëmurëve, do të kremtojë Meshën Shenjte me të sëmurët, në bazilikën e Shën Pjetrit.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.