Sot me 6 shkurt Kalendari Kishtar përkujton Shën Pal Mikin dhe shokët e tij martirë
(06.2.2010 RV)Pajtor i bashkësisë katolike japoneze, Pal Miki lindi në Kioto
të Japonisë rreth vitit 1564. Është japonezi i parë që u pranua në një urdhër rregulltar
katolik, pra jezuiti i parë japonez. I lindur në një familje të kamur e i pagëzuar
në moshën 5 vjeçe, Pal Miki hyri më pas në një kolegj të Shoqërisë së Jezuitëve. 22
vjeç ishte novic. Arriti rezultate të shkëlqyera në të gjitha lëndët. E mundoi
pakëz vetëm latinishtja, shumë larg nga mënyra e tij e të folurit dhe e të menduarit.
Ndërkaq u bë specialist i përshpirtërisë lindore aq, sa u caktua të predikojë e të
dialogojë me budistët. E kreu me sukses detyrën e ia doli mbanësh t’i kthejë shumë
prej tyre në fenë e krishterë, e cila kishte nisur të depërtonte në Japoni që në vitin
1549, me Shën Françesk Saverin, që kaloi atje dy vjet, duke ia hapur rrugën misionarëve
të tjerë, të mirëpritur nga popullata. Pal Miki qe katekist jezuit shumë i zellshëm.
Punoi me gjithë shpirt për ta përhapur më tej lajmin e mirë të Ungjillit ndërmjet
vëllezërve japonezë. E në sa kryente këtë veprimtari, në Japoni të krishterët nisën
të akuzoheshin se kërcënonin unitetin kombëtar, të arrestoheshin dhe të martirizoheshin.
Pali
u arrestua në dhjetor të vitit 1596 në Osaka. Në burg gjeti tre jezuitë e gjashtë
françeskanë misionarë si dhe 17 terciarë japonezë të Shën Françeskut. Më 5 shkurt
1597 i gjithë grupi i etërve misionarë u dënua me vdekje. Pal Miki i priu drejt kryqave,
që qenë ngritur për ta në njërën nga kodrinat e Nagasakit. Aty edhe i kryqëzuan, si
Mësuesin Hyjnor. E në sa jepte shpirt i kryqëzuar, bëri predikimin e fundit, duke
përsëritur fjalët e Krishtit në kryq: “In manus tuas, Domine, comendo spiritum meum”,
në atë latinishte që e pat munduar aq shumë kur qe i ri.
Ishte koha e persekutimit
të rreptë që shpërtheu kundër të krishterëve japonezë nën Perandorin Toitomi Hideioshi.265
vjet më pas e pikërisht në vitin 1862, i Kryqëzuari i Nagasakit do të shpallej shenjt
nga Papa Piu IX, ndërsa në vitin 1846, në Veronë të Italisë, një seminarist pesëmbëdhjetë
vjeçar, si pati lexuar tregimin mbi këtë kryqëzim, ndjeu fuqimisht shtytjen për jetë
misionare: ishte Daniel Komboni, apostulli i ardhshëm i Nigricisë, apo Afrikës, së
cilës do t’i kushtonte jetën e vdekjen, tre shekuj pas Shën Pal Mikit.