2010-02-06 13:57:32

Shenjtorët e Javës së ardhshme 07-14 shkurt


Sot e diel 7 shkurt, Kisha kremtoi të dielën e 5-të gjatë vitit kishtar e po sot më 7 shkurt kalendari Kishtar përkujton edhe Shën Rikardin meshtar dhe të Lumin Piun IX, papë.
Këta na nxisin të meditojmë për revolucionin fetar që solli Jezu Krishti, i cili u kujtoi njerëzve se pastërtia fizike nuk duhet ngatërruar me pastërtinë fetare, që është pastërti e shpirtit. Është zemra ajo që duhet pastruar - vijon të na porositë Krishti.
Nesër e hënë 8 shkurt, sipas kalendarit Kishtar do të kremtohet festa e Shën Jeronim Emilianit, themelues i Etërve Somaskë, pajtor i jetimëve dhe i të rinjve të braktisur dhe e Shën Jozefina Bakhitës, virgjër.
Liturgjia e ditës na kujton se Zoti e krijoi gruan e ia dha burrit me qëllim që të dy të jenë një trup i vetëm.
Të martën e ardhshme me 9 shkurt do të kremtohet Shën Apolonia. Liturgjia e kësaj dite na kujton thirrjen e Krishtit kur shëron shurdhmemecin: Effatŕ! Hapuni!. Kjo fjalë Hyjnore u thuhet të gjithë atyre që marrin pagëzimin. E Zoti dëshiron t’i hapim jo vetëm veshët dhe gojën, por sidomos zemrat, që në to të hyjë bota, të hyjë dashuria, të hyjë dialogu e sidomos, njohja e vërtetë e Zotit.
Shën Skolastika, virgjër, motra e Shën Benediktit dhe Shenjtërit Zotiku, Gjaçinti e Amanci martirë, që do të kremtohen të mërkurën që vjen me 10 shkurt. Liturgjia e ditës na kujtojnë se Krishti është gjithnjë i mëshirshëm e kujdeset që njeriut të mos i mungojë buka e përditshme, por mbi të gjitha kujdeset të shuajë urinë e tij shpirtërore, urinë për jetën e vërtetë.
Të enjten me 11 shkurt, sipas kalendarit liturgjik, Kisha katolike kremton festën e Zojës Lurdë. Liturgjia na kujton se Dhjetë urdhërimet e Tënzot përmbushen plotësisht në ligjin e dashurisë, që e solli Jezusi e se pikërisht mbi bazën e dashurisë do të gjykohemi!
Të premten e ardhshme me 12 shkurt, Kisha do të kremtojë Shën Saturninin me shokë, martirë të Abitenes. Liturgjia e festës na çon në ditën kur Kaini ngriti dorën kundër të vëllait, Abelit. Është vëllavrasja e parë në historinë e njerëzimit. Na kujton se flijimi që i pëlqen më shumë Zotit, është dashuria e vëllait për vëllain, e njeriut për njeriun, larg çdo lakmie e përpjekjeje për ta ngritur lumturinë vetjake mbi fatkeqësinë e tjetrit.
Liturgjia e festës së të Lumit Jordani i Saksonisë, meshtar dominikan, që do të kremtohet të shtunën më 13 shkurt, na kujton porosinë e Krishtit: “Ruhuni nga tharmi i farizejve dhe i Herodit!”. E kjo do të thotë se njeriu i drejtë, larg çdo hipokrizie e servilizmi, nuk lakmon pasuri: i mjafton ‘Buka e Zotit’, që është vetë Jezu Krishti. Në historinë e Kishës të gjitha veprat e mëdha nisin nga përvujtëria e vogëlsia e njerëzve fare të papërfillur nga bota, por tepër të pëlqyer nga Zoti.
Të dielën e ardhshme më 14 shkurt, Kisha kremton të dielën e 6-të gjatë vitit Kishtar e po këtë ditë më 14 shkurt, kalendari Kishtar kujton edhe Shën Çirilin, murg e Shën Metodin, ipeshkëv, Pajtorë të Evropës si dhe Shën Valentinin.
Shembulli i jetës së tyre na kujtojnë se mbarë kufijtë e tokës do të shohin shëlbimin që vjen nga Zoti përmes nxënësve të tij, të cilët në rrjedhë shekujsh venë në jetë porosinë e Krishtit: “Shkoni në mbarë botën e predikoni Ungjillin!”. E Pajtorët e Evropës, që Kisha do t’i kremtojë më 14 shkurt, qenë pionierë të inkulturimit, përmes të cilit krijohen kushtet që feja të rrënjoset në çdo kulturë.







All the contents on this site are copyrighted ©.