2010-02-05 19:36:55

Vogëlimi i pabarazisë gjinore, çështje thelbësore për Shqipërinë


(05.2.2010 RV)Forumet e organizuara nga OSBE-ja në qytete të ndryshme të Shqipërisë krijojnë mundësi bashkëpunimi për gratë pjesëmarrëse. Zvogëlimi i pabarazisë gjinore në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të jetës publike mbetet një çështje kyç për Shqipërinë dhe për këtë qëllim, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi sot në Shkodër, një forum me gratë drejtuese në jetën politike dhe publike.
"Të gjithë partnerët vendas dhe ndërkombëtarë janë të gatshëm të punojnë për zvogëlimin e pabarazisë gjinore në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe jetës publike", tha Renate Herrmanns, zëvendëskryetarja e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Deputete të Kuvendit të Shqipërisë dhe zyrtare të larta të pushtetit qendror dhe vendor diskutuan se si të rrisin pjesëmarrjen e grave në të gjitha sferat e jetës politike dhe publike dhe se si të forcojnë aftësitë e tyre.
Zyra e shtypit pranë OSBE-së bëri të ditur se forumet mundësuan bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit mes grave, në përputhje me objektivat e Strategjisë Kombëtare të Barazisë Gjinore dhe Dhunës në Familje.
Sipas zëvendësministres së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Filloreta Kodra "këto forume synojnë të nxisin pjesëmarrjen aktive të grave në procesin zgjedhor, si dhe të rrisin kapacitetet e grave të zgjedhura dhe atyre që synojnë të zgjidhen".
"Në këtë mënyrë, ato do të kthehen në një forcë lobuese të fuqishme, duke bërë që autoritetet publike të jenë më përgjegjëse dhe t'u përgjigjen nevojave dhe kërkesave të grave e vajzave", tha znj. Kodra.
Forumi i organizuar në Shkodër, por edhe forumet që janë organizuar më parë në Tiranë, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, mblodhën gra aktive në qeverisje, në institucionet publike dhe në shoqërinë civile.
Forumet e organizuara janë pjesë e një projekti trevjeçar të Prezencës së OSBE-së, të financuar nga qeveritë e Suedisë dhe Vendeve të Ulëta, që synojnë të rrisë rolin e gruas në qeverisje.







All the contents on this site are copyrighted ©.