2010-02-04 16:33:22

Shqipëri: Oficerët e Sigurimit Shqiptar shpejt do të mund të kthehen në zyrat shtetërore.


(04.02.2010 RV)Ish-oficerët e Sigurimit të Shtetit Shqiptar do të mund të ngarkohen përsëri me detyra në qeveri dhe në drejtësi. Kështu vendosi Gjykata e Lartë e Tiranës duke e shfuqizuar ligjin që ua ndalonte oficerëve të Sigurimit të Shtetit marrjen në punë në zyra, ose ngarkimin e tyre me përgjegjësi shtetërore.
Vendimi i Gjykatës u kritikua ashpër nga Partia Demokratike e cila e pati miratuar këtë ligj. Deputetja e Partisë Demokratike Mesila Doda propozoi që çështja tani të zgjidhet me referendum popullor.
Siç njofton ATSH-ja, Lëvizja e Legalitetit u shpreh dje në "mbështetje të çdo ligji që synon të dënojë krimet e komunizmit".
Nënkryetari i kësaj partie, Murat Basha, tha sdje në një konferencë për shtyp, se "ne vazhdojmë të jemi konsekuentë në qëndrimin tonë për hapjen e dosjeve të diktaturës komuniste, dhe pastrimin e administratës shtetërore nga të gjithë ata, që në emër të diktaturës dhe luftës së klasave, kanë kryer krime karshi shoqërisë shqiptare".
"Dënimi i krimeve të komunizmit dhe shkëputja nga e kaluara, nuk mund të bëhet me masa gjysmake që përjashtojnë përgjegjësitë penale të individëve të implikuar drejtpërdrejt në krime. Ripunimi dhe paraqitja rishtas e ligjit të lustracionit edhe mbi bazën e këtij kriteri, është një domosdoshmëri dhe detyrim moral i maxhorancës aktuale", tha Basha.
Gjykata Kushtetuese rrëzoi katër ditë më parë ligjin e lustracionit, ndërkohë që deputetja e PD-së, Mesila Doda, tha për mediat se "PD-ja do ta ankimojë atë deri në Strasburg".
Një rrugë tjetër, sipas saj, është paraqitja e një ligji të ri në parlament, por edhe nisma për një referendum popullor. Nga ana tjetër, PS-ja e ka cilësuar rrëzimin e këtij ligji si një vendim të drejtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.