2010-02-04 16:10:32

Pëtering për Mesazhin e Papës: Evropa ta shndërrojë solidaritetin në projekt politik.


(04.02.2010 RV)RealAudioMP3 Evropa ka nevojë për një shpirt të ri solidariteti, që të gjejë ekuilibrin e duhur me parimet e lirisë e të barazisë. Kështu foli ish-presidenti i Parlamentit Evropian, Hans-Gert Pëtering, tani kryetar i Fondacionit “Konrad Adenauer”, i cili hapi sot paradite Konferencën e Shtypit për paraqitjen e Mesazhit të Papës për Krezhmët e këtij viti. Krah tij, kryetari i Këshillit Papnor “Cor Unum”, kardinali Paul Jozef Kordes. Të dëgjojmë së pari, Hans-Gert Pëtering:
“Politikisht, flitet për “solidaritet”. Teologjikisht, kemi folur gjithnjë për dashuri e bamirësi. Në këto fjalë – dashuri, solidaritet, vëllazërim – gjendet çelësi për kuptimin e vërtetë të përgjegjësive të të krishterëve në botë – një kuptim i përshtatshëm për epokën tonë të globalizimit. Solidariteti e dashuria kërkojnë mbrojtjen dhe kujdesin për dinjitetin universal të çdo njeriu, në çdo anë të botës e në çdo rrethanë”.
Por vëllazërimi e solidariteti duhen shndërruar në projekte politike, theksoi Pëtering, i cili vuri në dukje se solidariteti është ulur në Evropë, pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Shuma të paimagjinueshme, vuri në dukje ai, janë investuar nga shtetet për të përballuar krizën financiare e megjithatë, zbatimi i dashurisë e i bamirësisë, sidomos lufta kundër urisë në botë nuk janë në nivelin e duhur. Për këtë, shtoi:
“Evropa dhe bashkësia ndërkombëtare kanë detyrimin moral për të marrë përsipër përgjegjësi të mëtejshme. 2010-a si “Vit evropian për luftën kundër varfërisë dhe përjashtimit shoqëror” ofron kornizën ideale për një impenjim më të fortë e më të frytshëm të Bashkimit Evropian në favor të më të varfërve të planetit”.
Nuk është aq e vështirë sa duket, sqaroi Pëtering, i cili dha shembullin e një projekti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i quajtur “Unitaid”, për luftën kundër Sidës, malaries, tuberkulozit dhe sëmundjeve të tjera në 93 vende të varfëra, falë fondeve të mbledhura nga kompanitë e fluturimeve ajrore, që e rritën me 1 ose 2 dollarë çmimin e biletës. Brenda tri vjetëve u mblodhën një miliard e gjysëm dollarë për projektin. Por, përfundoi ish-presidenti i Europarlamentit, drejtësia e paqja kanë nevojë që popujt të respektojnë njëri-tjetrin e sidomos bindjet e fenë:
“Respekti i ndërsjelltë në dialogun ndërkulturor nuk do të thotë të mbyllen sytë para kontrasteve të pakapërcyeshme. Gjithsesi, do të jemi në gjendje ta ndalojmë fanatizmin në botën e shekullit të 21-të, vetëm nëse i privojmë fanatikët, që duan ta ndryshojnë botën me dhunë, nga pretekstet shpirtërore, falë të cilave mund të manipulojnë personat. Kemi pra nevojë për një dialog të sinqertë solidariteti ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, ndërmjet të krishterëve e hebrenjve”.
Edhe kardinali Kordes, duke paraqitur një sintezë të Mesazhit të Papës për Krezhmët, theksoi se si qendra e tij është tema e drejtësisë. Prelati përmendi rastin e Darfurit e nënvizoi se për të arritur drejtësinë, ashtu siç shkruan Benedikti XVI, është e nevojshme të dilet nga iluzioni se mund ta vendosim vetë atë, pasi kjo është zanafilla e padrejtësisë:
“Fjala e Papës është sidomos një sfidë që vullneti ynë t’i nënshtrohet Zotit e të besojë në Të. Nxjerr pra në plan të parë atë që harrohet lehtë nga diskutimi i përgjithshëm për drejtësinë e paqen. Vetëizolimit të njeriut – mund të flasim për një lloj “autizmi të njeriut shkaktuar nga shekullarizimi” - Papa Benedikti XVI i kundërvë ofertën e dashurisë së Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.