2010-02-04 16:10:18

Mesazhi i Papës për Krezhmët: pa dashurinë e Zotit njeriu nuk mund të zbatojë drejtësinë e vërtetë


(04.02.2010 RV)Njeriu nuk mund ta zbatojë vetë drejtësinë, duhet ta lerë mënjanë iluzionin se është ai që e shfajëson veten e ta lerë veten në dorën e drejtësisë “më të madhe”, që është ajo e dashurisë, drejtësia e Krishtit. Kështu shkruan Papa Benedikti XVI në mesazhin për Krezhmët, që do të fillojnë më 17 shkurt, të Mërkurën e Përhime. Mesazhi, që u paraqit sot në Sallën e Shtypit të Vatikanit, e merr temën nga shprehja e shën Palit në Letrën drejtuar Romakëve: “Vepra shëlbuese (drejtësia) e Zotit u dëftua me anë të fesë në Krishtin”, ku kjo vepër kuptohet si drejtësi e Zotit ndaj mëkatarit.
Papa ndalet fillimisht mbi domethënien e fjalës “drejtësi”, e cila nga pikpamja juridike do të thotë “t’i jepet secilit ajo që i takon”. Për njeriun, shpjegon Papa, janë sigurisht të nevojshme të mirat materiale, por kjo lloj drejtësie nuk mjafton. Benedikti XVI dënon ashpër indiferencën për urinë në botë, por thekson se më shumë se për bukë, njeriu ka nevojë për Zotin e për dashurinë e tij pa interes.
Së dyti, Papa vë në dukje tundimin e përhershëm të njeriut – siç ndodhte edhe me farisejtë – ta gjejë origjinën e së keqes jashtë vetes. Edhe sot e kësaj dite, ideologjitë moderne mendojnë se mund të arrihet drejtësia duke zhdukur arsyet e jashtme të së keqes. Por, nënvizon Papa Racinger, padrejtësia, fryt i së keqes, nuk i ka rrënjët vetëm jashtë nesh; ajo zë fill në zemrën e njeriut, ku gjenden genet e një bashkëjetese të mistershme me të keqen. Me të vërtetë, shpjegon Ati i Shenjtë, njeriu ndjen një forcë të çuditshme gravitacionale, që e bën të përpiqet të sundojë mbi e kundër të tjerëve: është egozimi, pasojë e mëkatit të rrjedhshëm.
Në paragrafin e tretë, Papa ndalet mbi mënyrën se si njeriu mund ta kapërcejë egoizmin, kujton kuptimin që ka drejtësia në urtinë e hebrenjve: t’i japësh të varfërit, të huajit, jetimit e vejushës. Duket sikur kështu, pra duke bërë vepra të mira sipas Ligjit, njerëzit ia kthejnë Zotit të mirën që u ka bërë, duke pasur mëshirë për mjerimin e popullit të vet. Por nuk mjafton për t’u bërë i drejtë e për të vendosur drejtësinë, thekson Papa. Është i nevojshëm “çlirimi i zemrës”, që Ligji, i vetëm, nuk është në gjendje ta realizojë.
“Lajmi i Mirë i krishterë – nënvizon më pas Benedikti XVI – i përgjigjet pozitivisht etjes për drejtësi të njeriut”. Në fakt, drejtësia e Krishtit “vjen nga hiri, ku nuk është njeriu ai që riparon, shëron veten e të tjerët”, por është gjesti i dashurisë së Zotit, që e merr mbi vete “mallkimin” që i takon njeriut, për t’i përçuar atij “bekimin” që i takon Zotit. Kjo është drejtësia hyjnore, krejtësisht e ndryshme nga ajo njerëzore. Para drejtësisë së Kryqit – vazhdon Mesazhi – njeriu mund të rebelohet, pasi ajo i vë në pah se nuk mund t’ia dalë mbanë i vetëm e se ka nevojë për Zotin për të qenë njeri i vërtetë, ka nevojë për faljen e miqësinë e Hyjit.
Falë Krishtit – shkruan Papa – ne mund të hyjmë në drejtësinë më të madhe, që është ajo e dashurisë, drejtësia e atij që ka marrë më shumë se sa ka dhënë. I pasur me këtë përvojë – përfundon Mesazhi i Krezhmëve – i krishteri shtyhet të kontribuojë në formimin e shoqërive të drejta, ku të gjithë marrin aq sa kanë nevojë për të jetuar me dinjitet e ku drejtësia merr jetë nga dashuria.







All the contents on this site are copyrighted ©.