2010-02-04 16:11:47

Katolikë dhe ortodoksë: Patriku Kirill I: Me Papën kemi një vizion të përbashkët për Evropën.


(04.02. 2010 RV)“Gjatë viteve të fundit janë regjistruar prirje pozitive në dialogun ndërmjet Kishës ortodokse ruse dhe asaj Katolike romake.” Ky është bilanci i një viti pune që bëri Patriku i Moskës dhe i të gjitha Rusive Kirill I gjatë punimeve të konferencës së ipeshkvijve që u zhvillua në Moskë, një vit pas themelimit të saj.
“Veprimtaritë e përbashkëta dhe takimet e shumta që kemi pasur me përfaqësuesit e Kishës Katolike, - tha Patriku Kirill cituar nga agjencia e lajmeve Sir, - kanë vërtetuar se kemi qëndrime të përbashkëta për shumë çështje që kanë të bëjnë me të krishterët në të gjithë botën moderne. Këto janë shekullarizimi agresiv, globalizimi, prishja e parimeve etike tradicionale etj. Ja vlen të nënvizojmë se në lidhje me këto tema Papa Benedikti XVI mban një qëndrim shumë të afërt me Kishën ortodokse. Dhe kjo shihet në fjalimet, në mesazhet e tij sikurse edhe në pikëpamjet e përfaqësuesve të lartë të Kishës Katolike Romake, me të cilën kemi mjaft kontakte.” vijoi më tej Patriku Kirill I në fjalën e tij.
Më tutje ai vuri në dukje se “një vizion i përbashkët për mbrojtjen e dinjitetit të njeriut në Evropë u pa edhe gjatë takimit të kryeipeshkvit Hilarion Volokalmski me Papën Benedikti XVI dhe me krerët e tjerë të Kuries Romake, në shtatorin e kaluar.
Në fjalimin e tij Patriku Kirill përmendi edhe vendimin e marrë në nëntor nga Gjykata evropiane e të drejtave të njeriut për heqjen e kryqeve nga shkollat italiane. Këtë vendim Patriku Kirill e komentoi me këto fjalë: “Ky ishte një sulm i hapur kundër traditave të krishtera në Evropë,” prandaj Kisha ortodokse ruse i shprehu gjithë solidaritetin e vet Kishës Katolike në Itali.”
Patriku nuk i fshehu “problemet ekzistuese” në marrëdhëniet dypalëshe për të cilat puna vazhdon. Në veçanti ai u ndal tek situata e vështirë në Ukrainë duke uruar që së shpejti pala katolike të ndërmarrë hapa konkretë.







All the contents on this site are copyrighted ©.