2010-02-03 12:34:29

Përfundoi vizita “ad Limina” e ipeshkvijve të Anglisë e të Uellsit. Intervista me kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore.


(03.02.2010 RV)Përfundoi vizita e ipeshkvijve të Anglisë e të Uellsit në Vatikan, gjatë së cilës u takuan dhe u pritën në audiencë nga Papa Benedikti XVI. Në fjalimin e tij, Papa u kërkoi ipeshkvijve të dëshmojnë pa frikë fenë e tyre dhe ta ngrenë zërin për aspekte të ndryshme të jetës shoqërore, me të cilat nuk janë dakord, siç është për shembull, ligji që u jep mundësinë homoseksualëve të njihen si çift. Kryeipeshkvi i Uestminsterit, Vinsent Nikols, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore bën një bilanc të kësaj vizite të rëndësishme, në mikrofonin tonë:RealAudioMP3
Kjo vizitë ad Limina ishte një përvojë me të vërtetë pozitive e inkurajuese. Folëm, për shembull, për nevojën që Kisha të japë dëshmi publike në jetën politike të vendit. Folëm për ta ushqyer fenë përmes liturgjisë e lutjes. Folëm për thirrjen për meshtari në jetën rregulltare, për sfidat që ka përpara Kisha. Ne jemi krenarë për traditën tonë, fryt pozitiv i Iluminizmit, nga pikpamja e dinjitetit të individit dhe e lirisë së ndërgjegjes. Por, siç na tha edhe Papa, duhen shmangur ekstremizmat, si nga ana e katolikëve radikalë, ashtu edhe nga ana e laikëve. Shprehjet e radikalizmit, që nuk tregojnë respekt për të tjerët, karakterizuar nga një lloj aciditeti, nuk kontribuojnë në debatin që duam.
Papa konfirmoi edhe vizitën e tij baritore në Britaninë e Madhe…
Jemi shumë të lumtur që e dëgjuam nga vetë Papa konfirmimin për vizitën në Angli, në Uells e në Skoci. Detajet e vizitës nuk janë përcaktuar akoma, por ajo që më gëzon është se ftesa i erdhi Atit të Shenjtë zyrtarisht e formalisht nga Mbretëresha, pak javë më parë, e se përgatitja e vizitës përfaqëson një ushtrim të mirë bashkëpunimi ndërmjet qeverisë, Kishës Katolike e Kishës Anglikane. Vetëm para një jave mora pjesë në një takim ministrash, ku ishin të pranishëm edhe kryeipeshkvi i Kanterburit, përfaqësuesit e Kishës së Skocisë e edhe përfaqësuesit katolikë.







All the contents on this site are copyrighted ©.