2010-02-03 13:06:52

Imzot Gjergj Volaj (1904-1948), u pushkatue në Shkodër 62 vjet ma parë


Imzot Gjergj Volaj (1904-1948), u pushkatue në Shkodër 62 vjet ma parë
“Nënë, mos qaj për atë që po sheh tashti. Qaj më mirë për atë që do të vijë”
3 prill 1948, pushkatohet në Shkodër Imzot Gjergj Volaj
Pjetër Pepa
Imz. Gjergj Volaj ka lindur më 21 shtator 1904, në fshatin e bukur Shirokë, pak kilometra larg Shkodrës. Fshat me shumë tradita, që i dha Shqipërisë njerëz në zë, si: Mikel Koliqin, kardinalin e parë shqiptar, Ernest Koliqin, shkrimtar, Frederik Shirokën, kirurgun e përmendur, Atë Anton e Mark Harapin e sa të tjerë. Më 19 tetor 1916 hyn në Seminarin Papnor Shqiptar në Shkodër, ku studion filozofi e merr një kulturë të gjerë. Që në ditët e para të jetës së tij në Seminar, u dallua si student i zellshëm, i aftë dhe kokulur. Edhe në shkollën teologjike të Padovës ai fiton një respekt të veçantë nga eprorët dhe shokët e tij të klasës. Megjithëse eshte i huaj, eprorët e shkollës e emërojne prefekt të Seminarit Minor (të ulët) të Sienës (Itali). Kardinali Della Costa (në atë kohë ipeshkëv i Padovës) dhe arqipeshkvi Della Pietra (atëherë Delegat Apostolik në Shqipëri) e lavdëruan për sjelljen e tij shembullore. Më 28 qershor 1930, shugurohet meshtar nga shkelqësia e tij Arqipeshkvi metropolitan i Shkodrës, Imzot Lazër Mjeda. Emrohet famullitar në fshatrat Mali i Jushit, Shkrel, ku qëndron deri në vitin 1936 ku, meshtari i ri merret me veprimtari apostolike për katër vjet në Malin e Jushit dhe gjashtë vjete në famullinë e madhe të Shkrelit, një zonë kjo e thellë malore. Emrohet Ipeshkëv i Sapës me qender ne Nenshate dhe shugurohet në këtë detyrë më 8 gusht 1940, në moshën afro 35 vjeçare. Populli besimtar i këtyre dy famullive gëzohet shumë për emërimin e lartë të Tij, por, njëkohësisht, e ndjen shumë largimin e këtij bariu të mirë. Emërimi i të nderuarit Gjergj Volaj si ipeshkëv i Sapës në Shqipërinë e Veriut, më 26 qershor 1940, nuk qe një e papritur e madhe për katolikët shqiptarë. Selia e shenjtë nuk do të mund të kishte zgjedhur një klerik më të mirë dhe një njeri në të cilin të kishte më besim grigja e tij sesa Gjergj Volaj. Qe i 10-ti ipeshkev i Sapes pas Imz. Gjergj Kolecit. Kur e nis shërbimin në ipeshkëvinë e Sapës, një nga më të rëndësishmet e Veriut ishte 36 vjeç, ipeshkvi më i ri i botës, gjë e ndodhur rrallë ndër ipeshkëvijtë katolikë. Në Shqipëri kjo pat ngjarë vetëm me Imzot Simon Gjeçin dhe Imzot Lazër Mjeden.
Vella i At Viktor Volajt, ben pjese ne grupin e ipeshkvijve te permendur kur kisha ishte ne lulezim por qe do te zhdukej nga meria antifetare komuniste. Qe njeri me kulturë të gjerë, predikator dhe organizator i mirë në Dioçezin e Sapës, ku qëndron deri në vitin 1947. Orator, posacerisht i pergatitur ne dogem, moral, histori , sociologji. Per tu permendur eshte pretku i mbajtur me rastin e vdekjes se Imz. Gasper Thacit, pretk qe sigurisht do te shpejtonte arrestimin e tij.
Mjerisht Imzot Gjergj Volaj në moshën 40- vjeçare do te behej edhe ipeshkëvi më i ri i pushkatuar.
Arrestohet e torturohet në mënyrën me çnjerzore “Shetitet demostrativisht“ me pranga ne duar neper Bulevardin Stalin, dhe denohet me vdekje ne Kinema Rozafa, Shkoder. Shume qytetar shkodrane paten mundesine ate dite, qe me dhimbje te thelle e deshperim te madh, ta shihnin ate, pas torturave cnjerezore, duke kaluar me duar te lidhura neper Bulevardin Stalin, kur kthehej tashme i denuar me vdekje.
Ekzekutohet me pushkatim me 3 prill 1948.
Me vone, ne vitet e demokracise, emri i tij perjetesohet në pllakën e Kishës së Shkrelit si martir i fese.
Le t’ i referohemi arkivit: Dosja 1297. Fillimisht duhet te kemi parasysh se Imz. Gjergj Volaj eshte arrestuar me 20 maj 1947 dhe, qe nga kjo kohe e deri ne pushkatimin e tij me 4 prill 1948 mbahet ne qelite e sigurimit te Shkodres, ndaj ,merren me mend torturat e vuajtjet njevjecare qe ka kaluar. Po kjo duhet pranuar edhe per Pater Rrokun, qe sic do te kemi mundesi te shohim, del ne gjyq mjaft i “ligeshtuar“.
Edhe ketu, gjithcka fillon si zakonisht me nje :
Proces verbal- 25 maj 1947; “I pandehuri Gjergj Volaj tha: Sikurse e kam deponuar edhe në Proçes ashtu edhe para gjyqit, në Prill të vitit 1945 Mons. Thaçi më kishte thanë se në Komitetin e Demokristianes bëjnë pjesë edhe shekullarë (civila) si Cin Serreqi, Ndrek Kaçulini dhe Guljelm Suma dhe në gusht kemi ba nji mbledhje me të gjithë antarët që kanë kenë dakort”. Cin Serreqi thotë se: Nuk asht e vertetë. Deshmitarët e tjerë vazhdojnë, si Dom Nikoll Deda, etj. nje mori faqesh te deshmishe, perballjesh e kundershtishe te pafund qe perfundojne dikur me:
Proces-verbal i Prokurorise: Shkodër me 25.XI 1947 - Prokurori ushtarak Namik Qemali. Vepra e ketyre dy terroristëve Mons. Volaj e Pader Gurashit nuk mund të merret e ndarë nga e gjithë fushata anti -popullore që ka percaktue Kleri katolik si para luftës duke zënë fill që në kohët e lashta e deri pas luftës e mbas çlirimit. Monsinjor Volaj e Padre Gurashi, D. Ndoc Sahatçija, D. Nikoll Deda, Mons. Thaçi, P. Dajani e P.Fausti, P.Gjon Shllaku etj. kane qenë elitë e të ashtuquajturës Demokristiane dhe njikohësisht drejtues të Klerit. Kështuqë pllanet që do t’hartonte kjo epiqendër fashiste ishin vije dhe moto per të gjithë antarët e tjerë të kësaj organizate terroriste të krijueme në gjirin e klerit katolik. Këta binin në kontakt direkt me Misionin anglo-amerikan. Në mbledhjen e parë për t’ja arrrijtë këtij qellimi kanë marrë pjesë kuadrot udhëheqëse terroriste të Demokristianes dhe delegacioni i Klerit ka qenë perfaqësuar nga Mons.Volaj , Dom Ndoc Deda, etj. Për Ballin e Legalitetin kanë qenë Cin Serreqi, Guljelm Suma, Pjeter Shan Deda, Caf Dragusha e Ragip Gjyrezi; Për intelektualët: Paulin Pali, Myzafer Pipa e Ragip Meta ndersa të deleguar nga Tirana për Komitetin Qendror të Organizatës terroriste, Riza Dani. Këtu eshte diskutuar shkrirja e të gjitha grupeve deri atëhere egzistuese në një të vetme. Gjithashtu janë marrë masa që në te, të marrin pjesë edhe vajzat, per këte ka punuar Donat Kurti e Sami Repishti ku janë futur Neta Cepi, Neta Baba e shumë vajza tjera shkodrane “të cilat ishin të urdhëruara që për hir të këtij qellimi të vinin në çmim edhe cvirgjërimin e tyre femror dhe të pranonin të skandalizoheshin”
Shoke gjyqtare: Nuk eshte zor të kuptohet se deri ku arrin poshtërsija e njerëzve të kësaj Organizate me principe të shemtuara dhe të dobëta. Kjo eshte edukata e këtyre kërmave të qelbëta. Me këte frymë kurvërimi i përgatiste të rijtë dhe të rejat Pater Donat Kurti. Ata deshen ta transformonin vendin tonë në një bordello Musolinjane.
Dhe, mbas gjithe kesaj poshtersije e shpifjeje, kerkon per 9 te pandehurit - Dulo Kali, Mons.Gjergj Volaj, Bilbil Hajni, Xhelal Hardoli, Cin Serreqi, Ragip Meta, Osman Haxhija, Shaban Abdullahi, Isa Meta- denimin -ME VDEKJE; Per te pandehurit - Padre Gurashi, Abaz Hysi, Myrto Dani, Jakup Dani…me Burgim te perjetshëm. Për të pandehurit....Syrja Anamali e Nuh Duli me 20 vjet privim lirije. Për të pandehurit: .Sami Rrepishti, Hafiz Derguti, Sulo Kurti e Hajdin Tafa me
15 vjet privim lirije - Per të pandehurit…10 vjet…5 vjet etj…Konfiskim i pasurisë së luajtshme e të pa luajtshme - Prokuror Namik Qemali. Dhe vijon menjehere me pas tjetra:
Proces verbal i gjykates...; Prokurorija ushtarake e Qarkut Shkodër …me akt akuzen e saj N. 469 dt. 11.XI.1947 i solli për gjykim gjykatës … ProcesVerbal: N’EMER TE POPULLIT - Këshilli i Gjykatës Ushtarake Shkodër me Kryetar Kap. I Misto Blaci dhe Antarë - Pertef Alizoti e Anastas Koroveshi… Në audiencen publike me dt. 27.XI.1947 ora 16 ditë e ejte në Sallën e Kinema Rozafatit Shkodër………….Mbi çeshtjet penale të rregjistruara me Nr. 459 deri 480 të Radhorit Themeltar për vitin 1947 kundra : Taf Osmani , Nuh Cufi, Tom Ejlli , Abaz Mahmetaj , Hajdar Hajdari, Jakup Alija, Abaz Smajli , Osman Haxhija , Myrto Dani , Shaban Alija , Xhelal Hardolli, Bilbil Hajni , Sulo Selmani , Dulo Kali , Hafiz Musa Derguti, Pater Rrok Gurashi , Mons. Gjergj Volaj, Cin Serreqi, Syrja Anamali , Sami Rrepishti , Ragip Meta , Isa Meta.
Rezulton se…Mons. Gjergj Volaj, i biri i Lazrit dhe i Tones, vj. 43, shqiptar, i vobektë, arësim të lartë, filozofi, teologji, Ipeshkëv, lindur në Shirokë e banues Nënshat, i arrestuar me daten 20.5.1947 i përfaqësuar nga avokat Qemal Shehu akuzuar si inisiator i organizatës Demokristiane që në vjetin 1942 me inisiativen e Klerit katolik reaksionar që kishte udhëzime nga Vatikani e Papa për të bërë ç‘të ishte e mundur që kjo Parti të mobilizonte gjithë Klerin kundër Lëvizjes N.Cl., të grumbullonte dhe organizonte rininë e të gjitha rrethet fetare si Dom Bosko etj…Me inisiativen e Komitetit Qendror të Demokristianes u krijua Komiteti Qarkor me kryetar Mons Thaçin dhe me antarë, Mons.Vinçenc Prendushin, Mons.Bernardin Shllakun, Mons.Frano Gjinin , Mons.Gjergj Volajn, Pater Mati Prendushin, P. Gjovani Fausti, Pjeter Shan Deda, Kel Shan Deda, Ndrek Kaçulini, Zef Haxhija, Cin Serreqi, Guljelm Suma, Simon Daragjati etj.
Pikë kryesore ishte dështimi i zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945 duke pasë përfaqesitë e tyre edhe në Kuvendin e Shqipërisë si Riza Dani, Zef Haxhija, Kolë Prela etj…Se ka qenë armik i popullit qyshë në vitin 1930 duke u bërë agjent i fashizmit dhe informator në interesë të Italisë imperialiste për okupacionin e Shqipërisë prej saj…Se okupacionin fashist për të cilin kishte punuar prej kohësh e ka pritur me gëzim të math…Se gjatë luftës N.Cl. ka punuar në favor të fashizmit dhe tradhëtarëve…Se qyshë në vitin 1926 ka qenë një nder figurat me aktivite të Klerit ...Se ka qenë inisiator i krijimit dhe organizimit të Partisë Demokristiane të ashtuquajtur Social-Demokrate, një nga antarët më aktiv të Klerit…Se ka ushtruar aktivitet në grumbullimin e forcave reaksionare dhe ka qenë i lidhur ngusht me kriminelët e arratisur...Se si frut i punë së tij u bë i mundur realizimi i perpjekjeve të Llesh Marashit si dhe Lëvizja e 9 Shtatorit...Se eshtë munduar të pengojë reformat e Pushtetit Populor etj…Dhe natyrisht ne baze te gjithe ketyre akuzave:
Vendosi: denimin e 8 (tetë) prej tyre Me VDEKJE ...( Gjergj Volaj eshte me numurin 4)
Njoftim: 321/1947 - Gjykatës Ushtarake Shkodër. Gjegje shkreses Suej n. 778 dt,. 10.12.1947- Aprovohet ndeshkimi me vdekje i dhëne prej asaj gjykate kundra: Cin Serreqi nga Shkodra, Bilbil Hajni nga katundi Progonat i Kurveleshit, Xhelal Hardolli nga Shkodra, Dulo Kali nga Shkodra, Gjergj Volaj nga Shkodra...Na njoftoni daten e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit - Kryetari Gjykatës Lartë: Major Niko Ceta
Njoftim: Gjykatës së Lartë Ushtarake Tiranë Gjegje shkresës suej N. 264/ 3 ex 47 dt. 30.1.1948…Ju njoftojmë se të dënuarit me vdekje u egzekutuan me daten 3.4.1948, diten e martë, ora 5.20 paradite dhe fjala e tyre e fundit ka qenë:
1. Cin Serreqi tha: -Të fala familjes dhe të m’i rrisin fëmijtë.
2-Bilbil Hajni tha: -Ju lutem të m’i jepni të fala Babës, motres dhe gruas.
Gruaja të vejë te motra në Tiranë. Revolucioni kështu i ka këto punë. Të rrojë Shqipërija!
3-Gjergj Volaj tha: Të m’i thoni shtëpisë se 58 (pesëdhjetetetë) meshët që kam lane pa i thanë të m’i thojnë. Rroftë e përparoftë Shqipnija!
4- Dulo Kali tha: - Rroftë Shqipërija. Dy vajzat të mi martojne dhe fëmijtë të m‘i çojnë në shkollë e mos të bahen si unë budallë.
5- Xhelal Hardolli tha: I thoni familjes që fëmijtë të m’i dërgojnë në shkollë dhe t’i edukojnë mirë që të jenë të aftë për Atdheun. RroftëShqipërija!
Kryetar i Gjykatës Ushtarake Shkodër – Kap.I Misto Bllaci
E tashti para se t’i hedhim nje veshtrim deshmive le te ndalemi vetem ne nje koment! Mendoj se eshte e qarte se per cilindo, por posacerisht per nje besimtar e sidomos klerik, sa rendesi ka çasti i fundit para ndarjes nga jeta dhe raporti i ndergjegjes se gjithsecilit ne kete rast me Zotin. Eshte pikerisht ky moment kur njeriu perpiqet te rrefehet me vetveten, para Zotit, pergjithsa te keqe e te gabuar mund te kete bere gjate jetes se tij. Vetem ne ate çast nuk ka mashtrim e hile.
E pra, ndaj sa akuzave e shpifjeve qe i behen, Imz.Gjergj Volaj, ne fjalen e tij te fundit, ne rrefimin e tij te fundit, ka vetem nje shqetesim. Se nuk do te mund t’i thote ato 58 meshet e porositura nga besimtaret. Tjeter nuk ka se cfare rrefen, se cfare te porosise. A ka deshmi me te madhe se kjo, per nje martir te Fese? Tjerat jane gjera tokesore, jane ne raport me njerezit, idete, pikpamjet, deshirat, aspiratat e enderrat, per te cilat duhet te jete i lire cdo njeri i kesaj bote, e mjer kush perpiqet t‘i vrase ato.
Ja tashti edhe disa nga deshmite e shumta te grumbulluara ne kete drejtim:
Dy fjalë, si zhvilloheshin gjyqet e shpifuna Popullit Shqiptar. Salla e zgjedhun ishte kinema "Rozafati". Një sallë e bukur afër Kafes së Madhe, që ma vonë u pat djegë gjatë shfaqjes së një filmi. Hymja ishte me "ftesa" për të zgjedhun, që do të brohorasin e duartrokasin, ma shumë se do të thrrasin "të pandehunit", "trathtarët", "kriminelat e luftës që kanë larë duert me gjak"; pa vra kend e pa shprazë një pushkë, po, antikomunista. Lozhet kishin të ftuem nga Tirana, nga Ministria e Mbrendëshme, nga Ambasada Jugosllave, që ndër pushime pinin kafe me prokurorët e gjykatësit. Përshëndetnin hetuesit për "suksesin" e proçesit hetimor. Shkëmbenin mendime si mund të dalë "edhe ma bukur", kush duhet arrestue prap, dhe si mund të shtohet masa e dënimit, që asnjëherë nuk asht kenë në përputhje me fajin e kryem, dhe që për fat të keq as sot, nuk bahet kjo analizë për dënimet e dhanuna t'asaj kohe, por kalohet si në padije nga organet kompetente.
Ndër lozhe kishte edhe veteranë e gra ish-partizane, ma "të ndershmet" e Shkodrës që thirrnin "varje në konop" për "fashistat gjakatarë"…Trupi gjykues kishte mbi kokë fotografinë e "Komandantit legjendar", dhe një citat për "Drejtësinë", që asnjë prej atyne që kanë mbarue shkollat e drejtësisë komuniste, nuk e kishin lexue kurrë ndër librat e tyne. Atëherë këta ishin të zgjedhun në daç për së pamit, në daç për së bamit. Mjaftonte vetëm prova e besnikërisë ndaj partisë, tjerat i fitonte gjatë punës në gjyq.
Tavolinat kishin mbulesa të kuqe, mikrofona dhe dosje, dosje e libra, sa me t'u dukë se me të vërtetë gjithshka asht e shkrueme. Në krye të vendit Kryetari i gjyqit, herë me spaleta e herë pa spaleta, simbas raset. Anash tij dy antarë të zgjedhun edhe këta "besnikë", që s'duhet kurrë të flitshin shka kanë pa në dosje, veç në fund nënshkruenin vendimin. Prokurori ishte në një tavolinë në krah të trupit gjykues, dhe “lehte” vetëm me lejen e kryetarit, që nuk guxonte kurrë me i prč fjalën, mbasi shpesh ishte ma i garantuem se ai. Këte e tregon edhe vetë fakti se të gjithë, prej Bedri Spahiut kanë përfundue në burgje si armiq të partisë, tue kenë deri ditën e arrestimit "miqtë besnikë të sajë". Kishte edhe një sekretar që vetëm shkruente. Të gjithë me "përbërje dhe përgatitje", që të pandehunit duhet t’i drejtoheshin me fjalët "zotni", e çfarë "zotnishë", kriminela, injoranta, teneqexhijë, samarxhijë, shkarpaxhijë, sarahosha, trathtarë të "shokve të vet", dhe të gjithë prej "shtresave ma të poshtra" të fshatrave ku ishin mbledhë.
Poshtë, përballë kryetarit ishte një pod i vogël dhe një altoparlant, ku flitte i "pandehuni". N'anë, të rrethuem me parmakë si në kafaz, ishin të burgosunit që pritnin vendimin e kasapit. Gjithkah policë të besimit, që duhet të vrojtonin mos të flasin njeni me tjetrin të burgosunit, ose mos marrin e napin me shenjë me ndonjë nga salla.
Zakonisht deri në salle silleshin me makina, zbriteshin pak hapa nga dera e hymjes mes thirrjesh "Plumbin ballit". Hynim në sallë ku vazhdonte kori kangën partizane "Hakmarrje rini", dhe ndër pushimet e seancave me bejtat e Ylvi Dibrës me shokë tjerë spijuj. Vetëm 1-2 minuta para ardhjes së trupit gjykues zgjidheshin duert prej prangash, që shpesh ishin dy nga dy. Kur hynte kryetari në sallë, të gjithë ngriheshin në kambë, dhe duertrokitnin për nderin e tij, tue brohoritë: "Me Enverin, me partinë, socializmin do ta mbrrijmë", por për fat të keq, nuk mujten me e xanë... se kishte qillue pak larg! Uleshin ndër stola, dhe pritej fillimi. Britmat vazhdojshin si të qejve kur grihen në coftina. Ma mirë preferoj dy orë torturë, se ato zane që nuk hiqeshin prej veshësh me ditë të tana.
Fillonte stërmundimi. Gjithshka simbas skenarit të parapregatitun. Duhej shumë kujdes në të folun, mbasi për një fjalë të gabueme, muejshe me randue shokun, ose me fillue proçesin nga e para. Kur përgjigja ishte mohim i proçesit, pa mërrijtë ne qeli fillonte dajaku. Ka pasë edhe raste që në seancën pasuese, "i pandehuni" ka pasë të drejtë me u pergjigjë i ulun në karrigë, mbasi nuk qëndronte në kambë, si Don Anton Muzaj.
Avokati shpesh pësonte fatin e viktimës që mbronte, kur fjala e tij ndikonte në opinjonin publik, nëpërmjet altoparlantave të vendosun në vende publike, ose sheshe, por që edhe ata kontrolloheshin me spijuj shka flitej në popull.
Në dalje të sallës qëndronin ata që për me forcue "besimin" te partia shanin, fyenin dhe pështyenin të lidhunit ndër pranga, që me ndonjë vështrim të mësheftë me përshëndetë ndoshta edhe për të fundit herë, nanën, gruen, vajzën, djalin apo ndonjë të afërm, përshëndetje e cila kishte mbrendë "ndoshta" edhe ndonjë "më falni", për shka do t'iu gjejnë ma vonë për shkakun tem. "Më besoni, jam i pafajshëm, ma bani hallallë...!" Kjo PËRSHËNDETJE nuk do të harrohet për sa të jetë jeta.
Eshtë ndër vesht e mij zani i fuqishëm "NË DORË TË ZOTIT", edhe sot, ashtu si ZANI I TË GJITHË MARTIRVE T'ATDHEUT, që kam pasë fatin me njoftë, ZANI që më thrret:
QENDRO SI BURRAT! Prej shumë vetëve u ndame edhe me kafshatë të bukës në gojë, dhe ishte pikërisht anmiku i vërtetë që i çoi nga sofra për me i vue hekurat ndër duer. Ata ikën mjedis xhullijve, dhe nuk i pau kush ma! Nuk i pau kush ma se ata nuk folën si u pat pëlqye me folë, për me i ndigjue populli, dhe me realizue para opinjonit skenarin falso, të Sigurimit të shtetit.
Rasat e këtilla u mbyllën me gjyqe ndër dhoma, ku ndigjues ishin vetëm xhelatët e përgatitjes së kësaj farse, që thirrej "Gjyqi i Popullit". Qendrimet burrnore në gjyqe publike, në të shumten e rasteve janë kenë krejt të paprituna prej tyne, ose kur për faje të vogla kërkonin me pushkatue njerzit, dhe me thanë: "A ndigjuet shka foli?.”
...Ma vonë mbasi u ngopën me nč, këto gjyqe i këthyen kundër agjentave të vet, ose kundër funksionarve të naltë, mbasi nuk kishin fort hall se po i dalin sekretet, se ata delshin se delshin kur të dënuemit vijshin ndër kampe, por ma shum se kurrgja ishte dëshira e madhe me u kënaqë populli, tue pa ndër bankat e të akuzuemve persekutorët e tij.
E kush nuk kënaqet tue pa para gjyqit tue i dhanë llogari krimineli kriminelit, ose xhelati xhelatit, që deri në çastin e arrestimit kanë ndërrue cingare, janë qerasë me kafe, kanë shtrue darka të shoqnuem me "shoqet" e tyne, kanë dalë bashkë në tribuna, janë puthë e rrokë tue i vu shoqi-shoqit dekorata, kanë hypë n'aeroplana tue na përshëndetë me duer, grushta e "gishta", e tue "mendue" gjithshka bashkë për këte "popull", e tash ai popull që i duartrokiti ndër mitingje, me brohoritë "Rroftë Drejtësia popullore" që po i pushkaton këta qej e bir qejsh? Vetëm kështu do të veheshin bazat e socjalizmit!”
Gjatë më se nje viti. Imzot Gjergj Volaj torturohet në mënyrat më çnjerzore. Përmes dëshmitarëve të pakët, të mbetur ende gjallë nga burgjet shqiptare dijmë se përveç torturave individuale të zakonshme, rrahje, djegie elektrike e tjera ai eshtë zhytur në gropë W.C. deri në marrje fryme. Disa herë i janë futur kunja pishe nder thonjtë, nje torturë kjo e padurueshme. I këthyer në një ulok njerëzor, ngarkuar me zingjirët e rëndë diten e natën, e mbajtën gjallë deri më 2 shkurt 1948. Atë ditë e jëma ishte lejuar ta takonte në burg. E tmerruar nga pamja e asaj gjendjeje ku ishte katandisur biri i saj, ajo filloi të qajë me dënesë. Por i biri i tha: “Nënë, mos qaj për atë që po sheh tashti. Në se don të qash, qaj më mirë për atë që do të vijë”.
Të nesermen në mengjez, Gjergj Volaj u nxorr nga qelia e tij dhe duke e marrë rëshqanë nga ato që do ta ekzekutonin, do të pushkatohej ipeshkvi më i ri katolik martir në këte shekull.
P. Konrad Gjolaj
( Shenim: Datat rreth pushkatimit qe jepen per mons. Gjergj Volajn jane nga me te ndryshmet. Ata shkojne nga viti 1947 deri ne vitin 1949. Ne i leme ato ashtu sic jane per te respektuar deshmite e gjithsecilit, por tashme behet e qarte se data e sakte eshte ajo e procesverbalit te pushkatimit dhene ne kete liber: 3.4.1948, diten e martë, ora 5.20.)
Në vitin 1934 behet famullitar i Shkrelit, një famulli e madhe malore. Më 26 qershor 1940, më pak se 35 vjeç, famullitari i Shkrelit bëhet, për çudinë e shumë tjerëve, ipeshkvi më i ri në botë, duke marrë katedren episkopale të Sapës. Predikatari i ri, gjithë zell e besim, riorganizon dioçezen dhe ndihmon në mbajtjen e bashkimit dhe dashurisë gjatë viteve të vështira të luftës e pushtimit të huaj. Në nëntor 1944, partizanët komunistë vijnë në Zadrime: Imzot Volaj arrestohet e torturohet. Lihet i lirë, por me konditë që të heqë dorë nga ushtrimi i veprimtarisë ipeshkvnore e sidomos predikimit. Mbasi fjala e tij i sillte frigë rregjimit per lirinë e saj e forcen e madhe bindëse. Pa atakuar asnjëherë Partinë dhe qeverinë, as edhe pa bëre kurrë polemika politike, ipeshkvi i ri kujton kerkesat e krishterimit dhe dënon mungesen e lirisë që sundon në vend. Megjithatë ai e vazhdon detyren e tij. Më 25 prill 1946, ai udhëheq, së bashku me ipeshkvinjtë e tjerë, festen e Zojës së Shkodrës në shenjëtoren e famshme të Rozafatit. Gjatë pretkut që mban ai mpron fenë e krishterë, që atëhere akuzohej për krime nga shtypi i regjimit dhe radioja. Ai denoncon sulmet e pushtetit kundër Kishës e Klerit dhe kerkon solemnisht që të ndalet fushata e saj kercënuese e frikëndjellse si edhe vrasja e pushkatimi i sa e sa të pafajshëmvet. Ai e perfundon prektun e tij duke i premtuar Zojës së Shkodrës dhe mësimeve të Krishtit, besimin me çdo çmim që ai ti kërkohet. Ai bën premtimin e vet solemn në emrin e tij dhe per të gjithë katolikët shqiptarë, duke ftuar mijëra besimtarët që te kenë kurajon e guximin që të bëhen mesagjeret e këtij angazhimi ndaj Zojës dhe Kishës në qytetet e fshatrat e tyre. Informuar për këte pretk të guximshëm vendosen ta bëjnë të heshtë. Kontrolli në rezidencen e tij shtërngohet edhe më shumë, fillon një fushatë e re kundër tij.
Pater Zef Pllumi
Emërimi i të nderuarit Gjergj Volaj si ipeshkëv i Sapës në Shqipërinë e Veriut, më 26 qershor 1940, nuk qe një e papritur e madhe për katolikët shqiptarë. Selia e shenjtë nuk do të mund të kishte zgjedhur një klerik më të mirë dhe një njeri në të cilin të kishte më besim grigja e saj sesa Gjergj Volaj. Pas pak Ai nisi shërbimin në ipeshkëvinë e Sapës, një nga më të rëndësishmet e Veriut. Ishte 36 vjeç, ipeshkëv më i ri i botës, gjë e ndodhur rrallë ndër ipeshkëvijtë katolikë. Në Shqipëri kjo pat ngjarë vetëm me Imzot Simon Gjeçin dhe Imzot Lazër Mjeden. Por, Imzot Volaj në moshën 40- vjeçare u bë ipeshkëvi më i ri i pushkatuar.
Imz. Zef Simoni
Ne fshatin Shiroke, ne ate shpat te malit Tarabosh, ne freskine e ajrit, qartesine e liqenit dhe ne kundermimin e blerimit te maleve, pergjithesisht nder familje peshkataresh brez pas brezi kane lindur femije, pasardhes te mire, te zgjuar, qe ne gjurmet e jetes kane mbetur emra ne ze, Koliqi, Harapi, Volaj, Rakaj, Noga, Radovani, Kokaj etj.
E kesaj natyre ishte edhe familja e peshkatarit Cuk (Lazer) Volaj. Gjegj Volaj lindi me 21 shtator 1905; me vone nje gezim i ri gezoi prinderit. Ne vitin 1910 nje ndricim i ri, lindi djali i dyte Kola. Babai, kryefamiljar vdiq i ri dhe femijet e vegjel mbeten jetime.
Ne vitin 1926, rrugen e pergatitjes per meshtar te nisur qe ne vitin 1916, kur ishte 11 vjec, te kryer ne Seminar, e plotesoi me mesimet e larta ne Padova ku u dallua ne mesime. Kardinali Dalla Costa, Ipeshkev i Padoves, e prezantoi studentin Gjergj Volaj me Delegatin Apostolik ne Shqiperi Della Pietra, si ekzemplar i ralle.
Mbahet mend, ne Shkoder me 26 maj 1946 nderroi jete Imz. Gasper Thaci. Ne meshen e pershpirtshme ceremoniale, fjalen e rastit e mbajti Imz. Gjergj Volaj. Paraqitja e Imz. Gjergj Volaj si prijes, me shkopin baritor ne dore, me gojetarine e rrjedhshme te predikatarit me force fjale, i prekur thelle nga dhimbja dhe trazimet e kohes, ka mbeutr shprehja gojore e nje fjalimi me te fuqishem i predikatarit, ku respektohej e naltohej figura fetare dhe atdhetare e Imz. Thacit, kur thirri me ze te larte :
I paharrueshem kryeipeshkev Imzot Thaci!
Ti pergjithmone shqiptar!
Ti pergjithmone meshtar, katolik , apostolik romak!
Ishte ky fillimi i fjales plot ze e force qe ushtoi edhe jashte Katedrales dhe u perhap kudo si nje definicion paralajmerues i nje vije te palekundshme te te gjithe klerit katolik qe do te vazhdonte rrugen e mundimeve ne kalvarin e madh deri ne martirizim.
...Nuk harrohet edhe jehona e fjales ne shpatin e keshtjelles Rozafat ne diten e festes se Zojes se Keshillit te Mire me 25 prill 1946. Shtegtim i vertete masiv i nje populli besimtar ne kete Shenjterore, te ardhur e te grumbulluar nga qyteti e te gjitha katundet e Shkodres per festen e Zojes. Mesha u kremtua nga Imz. Volaj. Predikatori i njohur Volaj, me ngulm, aftesi e zgjuarsi foli per devocionin e Zojes, per besen e shpresen e qendrueshme te Mprojtesja e Shkodres dhe e Kishes Katolike ne keto kohe te veshtira. Ishte predikimi i fundit. Porosi per lutje, thirrje per besim ne Zotin. Ky fjalim qe paralajmerues i fundit te shpejte.
..Ne rrethana poshterimi u arrestua Imz. Gjergj Volaj. Per akuza te paverteta u torturua mizorisht. U denua me vdekje.
..Krismat ne oret e para te mengjezeve te atyre koherave ishin gjithje ogurzeza. 3 shkurt 1947 pas vorreve, aty tek zalli i Kirit, u pushkatuan pese veta te hedhur ne nje grope. Bashke me Imz.Gjergjin ishin Cin Serreqi, Dulo Kali, Xhelal Hardolli, Bilbil Hajni.
Angjelin Nenshati- Kumbona e se Dieles, 5/6,2005, fq, 21
Pjetër Pepa
Publikue ne albanovaonline.com me 11.4.2008







All the contents on this site are copyrighted ©.