2010-02-02 11:16:52

Shqipëri: regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike e fetare, shprehje emancipimi


(02.2.2010 RV)Regjistrimi i ri i popullsisë dhe banesave është një proces që pritet t'i përgjigjet standardeve më të mira evropiane dhe që do ta ndihmojë Shqipërinë në rrugën drejt integrimit në BE.
Për herë të parë ky regjistrim, që pritet të përfundojë brenda vitit 2011, do të japë një tablo të plotë dhe të përgjithësuar të situatës demokratike dhe social-ekonomike të Shqipërisë. Pyetësori që do u jepet shtetasve shqiptarë do të përmbajë pyetje që prekin jo vetëm gjendjen ekonomike dhe social-kulturore, por edhe përkatësinë e tyre etnike dhe fetare. Ky moment shihet si një shprehje e emancipimit të vendit që aspiron standardet e Evropës.
Sipas drejtores së INSTAT, Ines Nurja, regjistrimi mbi bazën e etnisë dhe fesë nuk përbën qëllimin primar të regjistrimit, pasi pyetjet për këto çështje janë si shumë të tjera që i përmban pyetësori. Qëllimi, sipas saj, është marrja e një informacioni të plotë mbi grupet etno-kulturore që janë në Shqipëri.
"Regjistri zyrtar i popullsisë, që do të merret me anë të këtij regjistrimi, nuk do të bëjë ndryshime mbi regjistrin civil. Pra, shifrat që do të nxirren nga regjistrimi i popullsisë ose përkatësia etnike e individëve të ndryshëm nuk do të mbivendosen mbi regjistrin civil të popullsisë", sqaron drejtorja e INSTAT.
Regjistrimi i popullsisë mbi bazën e përkatësisë fetare dhe etnike, krahas reagimeve në publik, ka sjellë dhe reagimin e politikës, duke u mirëpritur nga disa përfaqësues të saj, ndërsa është konsideruar i panevojshëm nga disa të tjerë.
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale (PDS), Paskal Milo, ish-ministër i Jashtëm, e mbështet regjistrimin mbi baza etnike si domosdoshmëri për një shtet si Shqipëria, që synon integrimin në BE.
"Duhet të dimë se sa njerëz ka në territorin tonë dhe se sa janë jashtë kufijve. Gjithashtu, regjistrimi përbën një domosdoshmëri, pasi është kërkesë e institucioneve evropiane. Pyetësori i BE-së dorëzuar qeverisë shqiptare në dhjetor 2009 përmban dy pyetje të drejtpërdrejta që lidhen me regjistrimin etnik të popullsisë. Po ashtu, ka një rezolutë të Këshillit të Ministrave të KE-së në korrik 2009, që i rekomandon qeverisë shqiptare regjistrimin etnik të popullsisë", u shpreh ish-ministri i Jashtëm, Milo, gjatë një emisioni televiziv.
Edhe për Leonard Solisin, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), regjistrimi mbi baza etnike dhe fetare është një hap në drejtimin e duhur. "Është shumë mirë të dish se cila është përbërja dhe përqindja e diversiteteve të ndryshme të popullsisë dhe për këtë nuk duhet të kemi asnjë paragjykim", shprehet zyrtari i PBDNJ-së. Pyetësori, shton ai, ka të dhëna shumë të domosdoshme dhe është një përmbushje e Konventës Kuadër e ratifikuar nga Shqipëria në vitin 1999.
Në kundërshtim me këto qëndrime është Shpëtim Idrizi, kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Unitet (PDU), që përfaqëson interesat e komunitetit çam. Idrizi thotë se është kategorikisht kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza fetare dhe etnike.
"Të gjithë biem dakord që Shqipëria ka nevojë të bëjë një regjistrim të popullsisë, madje jo vetëm të saj, por dhe të pronave, pasurive, grupeve të ndryshme shoqërore. Por, regjistrimi mbi baza etnike dhe fetare nuk është një rekomandim i detyrueshëm për shtetin shqiptar", shprehet kryetari i PDU-së.
Kjo, sipas tij, "pasi Shqipëria është akoma në një fazë tranzicioni, me migrim të brendshëm, të jashtëm dhe ku ka akoma influenca të shteteve fqinje, të cilët për shkak të një pozicioni më të favorshëm do të stimulojnë qytetarët shqiptarë të deklarojnë jo të vërtetën rreth etnisë apo fesë".
Pyetësori për regjistrimin që po shqyrtohet nga ekspertët e INSTAT dhe të grupeve të interesit do të jete gati brenda gjysmës së parë të këtij viti. Kostoja e këtij procesi, që do të nisë vitin e ardhshëm, arrin në rreth 15 milionë euro, ku 5 milionë do të mbulohen nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga donatorët. nga ATSH-ja 30.1.2010.







All the contents on this site are copyrighted ©.