2010-02-02 15:39:18

Piu XII dhe hebrenjtë: dëshmia e një jezuiti në "L'Osservatore Romano"


(02.02.2010 RV)Rasti paraqitet sot gjerësisht në gazetën e Vatikanit “L’Osservatore Romano” e ka të bëjë me dëshminë e një jezuiti për qëndrimin e Papës Piu XII ndaj hebrenjve. Kujtojmë se është në përfundim Çështja e Lumnimit për Papën Paçeli, i cili ka qenë gjithnjë objekt diskutimi ndërmjet katolikëve e hebrenjve, që e akuzojnë se ka heshtur për shfarosjen e tyre nga nazistët, gjatë Luftës II Botërore.
Jezuiti në fjalë, që më vonë do të bëhej kardinali Paolo Deca, më 28 qershor 1964 botoi dëshminë e tij në “L’Osservatore della Domenica”, ku përshkruan përmbajtjen e një bisede private me Piun XII, gjatë së cilës Papa i pati thënë: “Ankohen se Papa nuk flet. Por Papa nuk mund të flasë. Nëse do të fliste do të bëhej më keq”. Pra, mund të diskutohet nëse Piu XII bëri mirë apo keq që heshti, ky është një diskutim historik, por është jashtë çdo diskutimi që vendimin për të heshtur e mori, sepse mendonte se do ta keqësonte situatën, nëse do të fliste.
Piu XII, dëshmon kardinali jezuit Deca, u dërgoi tri letra ipeshkvijve polakë, ku ngre zërin kundër mizorive naziste, por vetë ipeshkvijtë nuk i botuan nga frika se mos u bënin më keq të persekutuarve. Pastaj tregon se Papa e kishte mirë parasysh si rrezikun që vinte nga komunizmi, ashtu edhe rrezikun që vinte nga nazizmi, por në atë moment historik shihte nazizmin si problem kryesor. “Duan të shkatërrojnë Kishën e ta shtypin si hardhucën – thoshte. Për Papën nuk do të ketë vend në Evropën e re. Thonë se duhet të shkoj në Amerikë. Por unë nuk kam frikë e do të qëndroj këtu”.
Piu XII u përpoq të kontaktojë vetë Hitlerin e më vonë Ripentropin, por pa rezultat. Megjithatë, të gjitha kongregatat rregulltare e shkollat katolike kishin bekimin e tij për çdo civil, apo hebre të shpëtuar nga kthetrat e nazistëve. Në rastin e familjes Lihtner, fshehur në Abruco të Italisë, Vatikani ndërhyri pranë shtetit italian, me anë të Nunciaturës apostolike, siç dëshmohet nga dokumenti i Ministrisë së Jashtme Italiane, botuar në librin e Xhuzepe Perrit, “Rasti Lihtner”. Dëshmi tjetër e qartë në favor të Piut XII është ajo e Kryerabinit hebraik të Romës në atë kohë, Xoli, i fshehur në një familje punëtorësh, gjatë pushtimit gjerman. Kur përfundoi lufta, ai u kthye në fenë katolike e mori emrin Eugjenio, pikërisht që ta falenderonte Papën Eugjenio Paçeli për ndihmën e dhënë hebrenjve.







All the contents on this site are copyrighted ©.