Paraqitja e Krishtit në tempull, festë e dritës dhe takimit
(02.02.2010 RV)Festa e dritës (krh Lk 2,30-32), e ka zanafillën në Lindje,
ku njihet me emrin ‘Ipapánte’, që domethënë ‘takim’. Në shekullin VI u shtri edhe
në perëndim, ku mori ngjyrime origjinale: në Romë, me karakter pendestar e në Gali,
me bekimin solemn e procesionin me qirinj. Prej këndej populli i këtyre vendeve nisi
ta quante festën ‘Kandelora’ - tek shqiptarët, ‘Zoja e Qirave’. Paraqitja e Zotit
në tempull, që mbyll kremtimet e Krishtlindjes me dhuratën e Virgjërës Mari e të Jozefit
dhe me profecinë e Simeonit, i hap rrugën Pashkëve. Në Martiriologun Romak shkruhet:
“Festa e paraqitjes së Zotit, e quajtur ‘Ipapánte’ nga grekët, kremtohet 40 ditë pas
lindjes së Krishtit, kur Maria e Jozefi e çuan Jezusin në tempull, si për t’iu nënshtruar
ligjit të Moisiut, ashtu edhe për të takuar popullin e tij besimtar e të ngazëllyer,
si dritë që ndriçon njerëzit e lavdi e popullit të Izraelit”. Dëshmia e parë për
kremtimin e festës së sotme vjen nga Jerusalemi i shekullit IV e, deri në reformimin
e Kalendarit, njihet si Festa e pastrimit të Virgjërës Mari, që tregohet në Ungjillin
e Lukës. Tradita shqiptare na kujton se sot kremtohet Paraqitja e Krishtit në tempull
e pastrimi i Zojës prej ligimit të fëmijës. Sipas Ligjit të Moisiut, çdo djalë
i parë, 40 ditë pas lindjes, çohej në tempull dhe aty i kushtohej Hyjit ndërsa, në
të njëjtën kohë, e ëma, me një bekim të veçantë, pastrohej nga përlimi i lindjes e
fitonte rishtas të drejtën të merrte pjesë, me gratë e tjera, në kremtimet fetare
të tempullit. Që këtu dokja e dikurshme kishtare që gruaja, pas lindjes, duhet të
paraqitej, porsa të çohej nga ligimi i fëmijës, në Kishë, që të hynte në uratë. Për
të shprehur nënshtrimin e plotë, prindërit duhet të çonin një qengj si flije falënderimi,
ose, në se ishin të varfër, një çift pëllumba a turtuj. Krishti, që në çastet e para
të jetës deshi t’i rrinte besnik Ligjit të Moisiut. Prej këndej të përgjakurit
dhe shugurimi zyrtar ndaj Zotit. Po ashtu Zoja e Bekuar, krijesa më e pastër, pranoi
të pastrohej, ashtu si të gjitha gratë. Ndërsa Krishti fëmijë kryen këtë sjellje rituale,
një plak i del para Marisë e Jozefit e, duke e marrë foshnjën në duar të veta, njeh
në Të e dëshmon Shëlbuesin. I rrëmbyer në shpirt, këndon këngën profetike: “Tani merre,
o Zot, shërbëtorin tënd, sipas fjalës sate, në paqen tënde, sepse sytë e mi panë shpëtimin
(Shëlbuesin) që vjen prej teje (Ungjilli). Mesha e ditës paraprihet nga bekimi
i qirinjve, simbol i Krishtit, që është drita e botës e nga procesioni, i cili simbolikisht
e drejton besimtarin drejt tempullit të qiellit, drejt lumturisë së pasosur. Kremtimi
i Paraqitjes së Zotit, nga Kisha, nuk është thjesht një përkujtim historik. Të frymëzuar
nga i njëjti Shpirt i Shenjtë Zot, si Simeoni dhe të udhëhequr po nga i njëjti Shpirt
në Kishën e Mesisë, anëtarët e Kishës mund të kërkojnë “paraqitjen” e tyre te Zoti
dhe, gjithashtu mund të dëshmojnë, se edhe ata mund “të lëshohen e të shkojnë në paqe”,
meqenëse sytë e tyre panë shpëtimin e Zotit në personin e Krishtit. Gëzohu,
o hirplote, Hylindëse Virgjëreshë, se prej teje ka lindur Dielli i Drejtësisë, Krishti
Hyji ynë, që ndrit në errësirë. Gëzohu dhe ti, o plak i drejtë, që prite në
krahët e tu Shpërblyesin e shpirtrave tanë, i cili na dhuroi Ngjalljen të gjithëve. Me
lindjen Tënde, Ti Shenjtërove gjirin e Virgjëreshës dhe bekove duart e Simeonit, O
Krisht Hyji ynë. Tani Ti erdhe dhe na shpëtove me anë të dashurisë. Falu paqen
të gjithë të krishterëve e njerëzimit mbarë, o i vetmi Njeridashës e Jetëdhënës.