Kardinal Rodé: po përgatiten dy dokumente të reja për jetën e shuguruar rregulltare
(02.02.2010 RV)2 shkurti është si gjithnjë, Dita e lutjes, e reflektimit dhe
e inkurajimit të jetës së shuguruar, pra të rregulltareve e të rregulltarëve kudo
që ndodhen e shërbejnë. Por është edhe dita për të parë se ç’plane ka Kongregata për
Institutet e Jetës së Shuguruar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike. Folëm për këtë me
prefektin e dikasterit, kardinalin Franc Rodé: Gjatë kohëve të fundit kemi
reflektuar mbi figurën e vëllait në Kongregatat rregulltare të vëllezërve dhe në Kongregatat
rregulltare të përziera, meshtarë/vëllezër. Konstatojmë se gjatë dhjetëvjeçarëve të
fundit numri i vëllezërve laikë është zvogëluar shumë: vëllezërit e shkollave të krishtera
– për shembull – ishin 16 mijë në vitin 1965; sot nuk e arrijnë 5 mijëshin. Është
një rënie e jashtëzakonshme. Duhet thënë se fatkeqësisht, të gjitha Kongregatat e
vëllezërve rregulltarë kanë këtë vështirësi. Ne mendojmë se një nga arsyet e kësaj
rënie është edhe mungesa e vëmendjes së Kishës ndaj figurës së të krishterit të shuguruar
si vëlla laik, e cila është një figurë autonome me identitet karakteristik. Vëllai
laik nuk është – siç mendohet shpesh e siç besojnë njerëzit – ndokush që nuk ka arritur,
nuk ka dashur, apo nuk ka mundur, për ndonjë arsye, të bëhej prift. Kemi të bëjmë
me një thirrje, që ka logjikën e vet, që ka një mision të veçantë në Kishë: e historia
na e tregon qartë këtë. Të mendojmë, për shembull, për rolin e rëndësishëm që kanë
pasur Kongregatat e vëllezërve në formimin dhe në edukimin e të rinjve, me shumë kolegje
e universitete në shumë vende. Të mendojmë edhe për shenjtërinë: janë të shumtë vëllezërit
e kanonizuar, sidomos vëllezër të shoqërive të përziera, ndër kapuçinë apo ndër jezuitë.
Kjo figurë duhet të rivlerësohet nga Kisha e për këtë do të botohet një dokument,
shpresojmë në vjeshtën që vjen. Kongregata po reflekton edhe mbi rëndësinë
e lutjes, apo jo? Disa thonë se sot, rregulltarët e rregulltaret luten tepër
pak. Nuk e di sa është e vërtetë kjo, por uroj që të mos jetë kështu. Por, e vërtetë
është se lutja paraqet sot vështirësi, që në të kaluarën, kur ritmi i jetës ishte
pak më njerëzor e nuk kishte kaq stres e zhurmë, nuk ekzistonin dhe ndoshta ishte
më e lehtë lutja, përqëndrimi, mendimi, ngritja e mendjes te Zoti. Sot, në një botë
kaq të zhurmshme si kjo e jona, lutja bëhet më e vështirë. Por ne duhet të theksojmë
nevojën absolute të lutjes për jetën shpirtërore të një rregulltari, apo të një rregulltareje.
Këtë, do të përpiqemi ta bëjmë me një dokument, që po përgatisim. Nga ana tjetër,
kardinali Kanjizares, prefekt i Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve,
më ka propozuar të bëjmë një dokument ndërdikasterial, me pjesën e parë që i besohet
dikasterit tonë dhe me të dytën, që do të hartohet nga diaksteri për Kultin Hyjnor,
mbi formimin liturgjik të rregulltarëve e të rregulltareve të reja. Edhe ky më duket
me rëndësi të madhe, pasi kemi një lloj “injorance” në këtë fushë nga njëra anë, por
edhe një lloj fantazie liturgjike, që nuk i korrespondon vullnetit të Kishës, nga
ana tjetër. Do të bëjmë kështu një dokument të vetëm, pjesa e parë e të cilit do t’i
kushtohet lutjes, ndërsa pjesa e dytë, formimit liturgjik.