2010-02-02 19:16:21

Festa e Paraqitjes së Jezusit në Tempull në Bazilikën e Vatikanit.


Sot më 2 shkurt pasdite, në festën e Paraqitjes të Zotit në Tempull, Papa Benedikti XVI kryesoi lutjet e Mbrëmësores së dytë të festës së Paraqitjes së Jezusit në Tempull në bazilikën e Vatikanit, në sa Kisha kremtoi edhe Ditën kushtuar Jetës Rregulltare.
Në homelinë e rastit, Papa Benedikti XVI tha: “Në festën e Paraqitjes së Jezusit në Tempull kremtojmë një mister të jetës së Krishtit, që lidhet me urdhrin e ligjit të Mosiut që parashikonte që prindërit, 40 ditë pas lindjes të parëlindurit, të ngjiteshin në Tempull të Jerusalemit për të ofruar djalin e tyre Zotit e për pastrimin ritual të nënës )krh Es 13,1-2.11-16; Lv 12,1-8)
Në vazhdim Papa u ndal te thelbi i kësaj së kremte e vuri në pah porosinë për të gjithë ne që është takimi me Hyjin. Për t’ia arritur këtij qëllimi, sipas Benediktit XVI duhet të dimë të kuptojmë e pranojmë dëftimin e Hyjit në të Njëlindurin Birin e Tij::
“Duke lexuar në thellësi, e kuptojmë se në atë moment është vet Zoti që njerëzimit i paraqet të Birin e vet Njëlindurin, përmes fjalëve të Simeonit plak e Anës profetesh".
Duke shpjeguar edhe fjalët e Simeonit plak: “Sytë e mi panë shëlbimin” e të Profeteshës Ana ‘që u flet për fëmijën të gjithë atyre të cilët prisnin Mesinë në Jerusalem, Papa theksoi se në këtë mënyrë shpallet identiteti dhe misioni i Mesisë.
“Në realitet, Simeoni e shpall Jezusin duke e paraqitur si “shpëtimin” e njerëzimit, si “dritën” e të gjithë popujve dhe “shenjë e kundërshtimit”, sepse do të zbulojë mendimet e zemrave”. (krh Lk 2,29-35).
Më pas Papa Benedikti XVI kujtoi se më 2 shkurt, në përkim me këtë festč liturgjike, "i Nderuari Gjon Pali II, duke u sinur nga viti 1997, deshi që në mbarë Kishën të kremtohet një Ditë e veçantë kushtuar Jetës Rregulltare. Në të vërtet, flijimi i Birit të Zotit - që simbolizohet përmes paraqitjes së tij në Tempull - është shembull për çdo burrë e për çdo grua që ia përkushton tërë jetën e vet Zotit".
E duke folur për domethënien e kësaj Dite që Kisha ua kushton rregulltarëve e rregulloreve, Papa e falënderoi Zotin për dhuratën e çmuar të kësaj jete dhe të të gjitha formave të saj që ekzistojnë në Kishë. Pastaj Benedikti XVI e ftoi mbarë popullin e Zotit t’i nderojë ata, të cilët ia kanë kushtuar tërë jetën e tyre Zotit me kushtin e pastërtisë, të dëgjesës e të varfërisë së plotë, duke dëshmuar kështu praninë e Zotit në çdo kohë e vend, deri në kohët tona. E ky është shërbimi i parë që i bëjnë Kishës rregulltarët. Janë roje që shquajnë nga larg dhe që kumtojnë jetën e re shpirtërore, jetën e Zotit, e cila tashmë është e pranishme në histori.







All the contents on this site are copyrighted ©.