2010-02-01 15:16:07

Papa ipeshkvijve të Anglisë dhe Uellsit: Kisha ka të drejtë të marrë pjesë në debatin publik, në dialog me shoqërinë


(01.02.2010 RV)Papa Benedikti XVI priti sot në audiencë ipeshkvijtë e Anglisë e të Uellsit, në vizitë “ad Limina” në Vatikan. Në një kontekst prirjesh të forta drejt shekullarizimit, katolikët kanë të drejtë të dëshmojnë të vërtetat e Ungjillit, u tha Ati i Shenjtë atyre. Në qendër të fjalimit, liria e bashkësive fetare, e cila nganjëherë vihet në rrezik nga një lloj i caktuar legjislacioni, që në Britaninë e Madhe kufizon aspekte të veprimtarisë së Kishës, duke qenë kundër ligjit natyror. Kujtojmë se kohët e fundit, shteti britanik i ndaloi Kishës të bëjë një përzgjedhje për adoptimet e fëmijëve, duke mos lejuar për shembull, adoptimet e bëra nga homoseksualët. Papa u bëri thirrje ipeshkvijve të mbrojnë hapur bindjet e katolikëve:

“Fidelity to the Gospel in no way restricts…”
“Besnikëria ndaj Ungjillit – tha Papa – nuk e kufizon lirinë e të tjerëve në asnjë mënyrë”. Përkundrazi, “i shërben lirisë, duke i ofruar asaj të vërtetën”. Prandaj, ipeshkvijtë duhet të vazhdojnë të ngulin këmbë për të marrë pjesë në debatin publik, përmes dialogut me elementet e tjera të shoqërisë. Duke bërë kështu, vërejti Benedikti XVI, jo vetëm që ruhen traditat britanike të lirisë së shprehjes e të shkëmbimit të ndershëm të opinioneve, por u jepet zë edhe bindjeve të shumë personave, që nuk i kanë mjetet për t’i shprehur ato:

“When so many of the population claim to be Christian…”
“Kur kaq shumë njerëz e shpallin veten të krishterë – pyeti Papa – si mund të kritikohet e drejta për të dëgjuar Ungjillin?” Bashkësia katolike e Britanisë së Madhe duhet të flasë me një zë të vetëm, që mesazhi shëlbues i Krishtit t’i paraqitet bindshëm botës. Jo vetëm ipeshkvijtë, por edhe meshtarët e katekistët duhet të jenë të gatshëm të dëgjojnë zërin e Shpirtit Shenjt, që udhëheq krejt Kishën drejt së vërtetës e bashkimit.
Më pas, Benedikti XVI u ndal në rolin e laikëve, të cilët janë të thirrur ta përçojnë fenë tek brezat e rinj. E u tregoi rrugën për të ndjekur:

“It is the truth revealed through Scripture…”
“Është e vërteta e zbuluar përmes Shkrimit Shenjt e Traditës kishtare dhe e sqaruar nga Magjisteri i Kishës, ajo që na bën të lirë”.
Papa nuk mungoi të fliste mbi marrëdhëniet ekumenike dhe ndërfetare, të cilat kanë rëndësi të madhe në Britaninë e Madhe, për shkak të profilit të ndryshëm demografik të popullsisë. Njëkohësisht, Ati i Shenjtë u kërkoi ipeshkvijve të zbatojnë me bujari dispozitat e Kushtetutës Apostolike “Anglicanorum Coetibus”, për të pranuar ato grupe anglikanësh, që dëshirojnë të hyjnë në bashkim të plotë me Kishën Katolike. Jam i bindur, tha Benedikti XVI, që këto grupe do të jenë bekim për krejt Kishën. E pastaj, u ndal tek udhëtimi i tij i ardhshëm në vend, në vjeshtën e këtij viti:
 
“On the occasion of my forthcoming Apostolic Visit…”
“Me rastin e vizitës sime të ardhshme apostolike në Britaninë e Madhe, do të mund t’i shoh personalisht e t’i përforcoj në fe besimtarët”.
Papa përmendi shembullin e jashtëzakonshëm të kardinalit Njuman, i cili i qëndroi besnik së Vërtetës së zbuluar, duke ia kushtuar krejt jetën:

“Great writers and communicators of his stature…”
“Në Kishën e sotme, kemi nevojë për shkrimtarë e komunikatorë të mëdhenj” si kardinali Njuman, të cilin shpresojmë ta ndjekin shumë vetë. Kardinali, sqaroi Ati i Shenjtë, qe i famshëm për studimet e tij, por ishte para së gjithash meshtar i mirë, shembull për meshtarët e sotëm.
Në përfundim, Papa u kërkoi ipeshkvijve të nxisin thirrjet e reja e të vënë në dukje nevojën e meshtarit për grigjën e besimtarëve. Këta të fundit, tha Benedikti XVI, duhet t’i mbështesin priftërinjtë e t’i ndihmojnë në vështirësitë e sotme, pa i parë si funksionarë të Kishës, por si dhuratë e Zotit për bashkësinë.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.