2010-02-01 17:27:26

Në Haiti solidaritet ndërkombëtar, por edhe trafik të miturish


(01.02.2010 RV)Instituti për mirëqënien shoqërore në Haiti vazhdon denoncimet për një trafik të paligjshëm fëmijësh, i cili është shtuar pas tërmetit të 12 janarit. Në vazhdën e rastit të 10 amerikanëve të arrestuar në kufi me Republikën Domenikane, ndërsa përpiqeshin të nxirrnin fshehurazi nga vendi 33 fëmijë, drejtoresha e institutit deklaron se ka shumë raste të tjera të vegjëlish, larguar nga Haiti pa asnjë autorizim.
Ndërkaq, vazhdon impenjimi i shumë organizatave bamirëse për të ndihmuar popullsinë. Një nga këto është edhe organizata Intersos, e cila në një zonë të shkatërruar në masën 90%, po shpërndan pako me ilaçe, gjëra për kuzhinën, ushqime, mbulesa e shtretër. Të dëgjojmë përgjegjësin e Intersosit në Haiti, Marko Roteli:RealAudioMP3
Shkatërrimi ka të bëjë me 9 ndër 10 shtëpi. Po japim ndihmën e parë me qëllim që të paktën 3 mijë vetë të kenë një tendë ku të fusin kokën, pasi, në këto ditë, presim shiun. Pas pak javësh do të fillojë sezoni i shirave, që do t’i ndryshojë krejtësisht operacionet e ndihmës. E fatkeqësisht jemi vonë. Të gjithë e dinin se ndërhyrja këtu do të ishte e vështirë, por askush nuk e imagjinonte se do të ishte kaq e vështirë. Problemi kryesor vjen nga kryeqyteti, nga bllokimi i sistemit të ndihmave, i cili ka filluar të marrë shumë material, por e shpërndan me shumë ngadalësi.







All the contents on this site are copyrighted ©.