Sot me 30 janar kalendari Kishtar përkujtoi Shën Martinën, martire
(30.1.2010 RV)Historia e kësaj vajze të re fillon nga fundi i jetës së saj,
nga varri. Mësojmë se 1.440 vjet pas martirizimit, në vitin 1534, i zellshmi papa
Urbani VIII, i impenjuar në frontin shpirtëror në kundëreformën katolike e në atë
material, në rindërtimin e kishave romake, zbuloi në nji kishë të Forit romak sarkofagun
me reliket e Shenjtores, gjë që e dëshmonte një epigraf i shkruar mbi kapakun e arkivolit.
Ringjalli, kështu, në shpirtin e romakëve devocionin për Shën Martinën, duke caktuar
30 janarin si datë të festës së saj, festë që kishte nisur të kremtohej që në shekullin
VIII.
Po kush ishte Martina, që pas disa shekuj harrese, u bë përsëri një nga
Pajtoret e Romës?
Historia flet pak për të. Lajmi më i lashtë që kemi për martiren,
është se papa Onori I i kushtoi një Kishë në Forin romak. Pesëqind vjet më pas, gjatë
gërmimeve në këtë Kishë, u gjetën varret e tre martirëve. Kaq na tregon historia.
Për
të ditur diçka më shumë, na duhet t’i drejtohemi gojëdhënës. Sipas traditës, Martina
qe diakoneshë, bijë e njërit nga konsujt më të shquar romakë të kohës. U martirizua
nën Aleksandër Severin (222-235). Sipas tregimit mbi martirizimin e saj, Martina u
zvarrit para një shtatoreje të Apolit, të cilën jo vetëm që nuk pranoi ta adhuronte,
por e rrëzoi nga piedestali dhe e bëri copë-copë. Rrëzimi i shtatores – gjithnjë sipas
gojëdhënës - shkaktoi një tërmet të fuqishëm që rrënoi krejt tempullin. E nën rrënoja
gjetën vdekjen edhe priftërinjtë e perëndisë pagane. Mrekullia u përsërit me shtatoren
e Artemidës. Kjo duhet t’i kishte shtyrë persekutorët e saj të reflektonin sadopak;
por ata përkundrazi, të tërbuar edhe më keq, vijuan të provonin tortura edhe më mizore
mbi gjymtyrët e saj të njoma. Po ajo i përballoi. Atëherë ia prenë kokën me shpatë
e gjaku i saj vaditi truallin mbi të cilin do të lulëzonte Kisha romake.