2010-01-29 15:46:41

Regjistrimi i popullsisë në Shqipëri, një bazë e mirë për të ndërtuar politika të drejta.


(29.1.2010 RV)Regjistrimi i popullsisë në Shqipëri, një bazë e mirë për të ndërtuar politika të drejta. Kështu u shpreh drejtoresha e INSTAT-it, Ines Nurja për ATSH-në
Shqipëria po përgatitet të kryej regjistrimin zyrtar të popullsisë me anë të vetëdeklarimit , një proces që për herë të parë pritet të përfshijë dhe përkatësinë etnike dhe atë fetare.
Regjistrimi që do të përfshijë dhe banesat synon të japë jep një panoramë të plotë të zhvillimeve sociale dhe ekonomike në vend dhe do të shërbejë për një bazë të mirë për të ndërtuar politika të drejta, në mënyrë që paratë publike të shpenzohen me efektivitet.
Projekti do të realizohet nga INSTAT me mbështetjen e ekspertëve ndërkombëtare. Vlera e tij llogaritet në 15 milionë euro, me donator kryesor Bashkimin Evropian, me 8 milionë euro. Qeveria shqiptare ka planifikuar për këtë projekt 5 milionë euro, ndërsa UNFPA do të kontribuojë me dy milionë dollarë, fond që do të shërbejë kryesisht për digjitalizimin e INSTAT, një punë që ka filluar që në vitin 2008.
Nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, në 28 nëntor të vitit 1912 shënohen 13 regjistrime zyrtare të popullsisë, ku ai më i fundit, i realizuar në bazë të dokumentacionit, mban vitin 1989. Regjistrimi i fundit është ai i vitit 1989, i cili është bërë në bazë të dokumentacionit. Regjistrimi i parë i plotë me vetëdeklarim është ai i vitit 2001.
Nurja: Përse kemi përfshirë në draft- pyetësor përkatësinë e fetare dhe etnike
Drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja, tregon në një intervistë për ATSH-në rreth këtij projekti të rëndësishëm, ndërsa ndalet dhe në përkatësinë fetare dhe etnike që përfshihen në draft-pyetësor, një çështje që ka ngjallur dhe debat në media.
Sipas saj, puna për realizimin e regjistrimit të ri të popullsisë ka nisur përgjatë periudhës 2008-2009, kur INSTAT ka punuar për hartimin e draft-pyetësorit, të hartografisë, logjistikës, si dhe elementëve të tjerë përbërës të këtij procesi.
"Viti 2010 është viti kur do të intensifikohen më tepër aktivitetet për regjistrimin e popullsisë, ndërsa muaji prill i vitit 2011 është momenti i punës në terren, që do të thotë se çdo familje shqiptare duhet të plotësojë pyetësorin. Pas kësaj do të përpunohen të dhënat, të cilat paraprakisht mund t'i kemi në fund të vitit 2011", tha drejtoresha Nurja.
Pyetësori është ende në formën e një drafti. Pas miratimit nga Komisioni Qendror i Regjistrimit, për të paktën 6 muaj ai do të diskutohet nga grupet e interesit, që nënkupton dhe shtimin apo heqjen e pyetjeve që nuk përbëjnë interes.
Risi e draft- pyetësorit është se ai përmban përkatësinë fetare dhe etnike, por siç shprehet drejtoresha e INSTAT ato nuk përbëjnë qëllimin primar të regjistrimit. Pyetësori është kompleks, dhe paraprakisht përbëhet nga tre pjesë, ku kryesorja ka të bëjë me kushtet në të cilat jetojnë banorët, numrin e dhomave, hapësira ku jetojnë, dhe çdo e dhënë që ka të bëjë me banesën.
"Pyetjet mbi përkatësinë fetare dhe etnike janë dy pyetje si shumë të tjera që do të ketë pyetësori. Ato janë vendosur për të marrë një informacion më të plotë për grupet etno-kulturore që janë në Shqipëri", sqaron ajo.
Sipas saj, regjistrimi i fundit në Shqipëri, në bazë të kombësisë dhe grupeve etno-kulturore është bërë në vitin 1989, ku ka pasur disa pyetje mbi kombësinë shqiptare, greke, malazeze etj.
"Mendoj se tani ka ardhur koha që të futen disa pyetje që kanë të bëjnë me grupe etno-kulturore, si grupe që kanë një gjuhë dhe zakone të përbashkëta dhe këto janë futur në draft-pyetësor", sqaron znj. Nurja.
Gjithsesi, në pyetjet për përkatësinë fetare dhe etnike, qytetarët janë të lirë, që do të thotë se kanë një alternativë që të mos përgjigjen.
Ajo theksoi se të dhënat që do të merren nga regjistrimi zyrtar i popullsisë nuk do të ndikojnë në ndryshimin e regjistrit civil, pra shifrat që do të nxirren fjala vjen nga vetëdeklarimi i përkatësisë etnike të individëve të ndryshëm nuk mbivendosen mbi regjistrin civil të popullsisë.
"Qëllimi i kësaj pyetje është për të ditur sa më mirë përbërjen nga ana etno-kulturore të popullsisë shqiptare për të marrë sa më tepër të dhëna lidhur me gjuhën e kulturën e tyre që të ndihmohen politikbërësit në politikat sociale dhe kulturore", sqaroi drejtoresha e INSTAT.
Duke folur për rëndësinë e procesit të regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë dhe banesave, ajo vuri në dukje se "regjistrimi i popullsisë është një vrojtim kompleks, që kryhet një herë në dhjetë vjet dhe mbledh të dhëna të plota socio demografike për të gjithë popullsinë shqiptare dhe jep një panoramë aktuale demografike të Shqipërisë.
"Nëse ky studim dikur kryhej në zonat urbane, nëpër rrethe, tashmë do të kemi një pasqyrë të saktë të realitetit ekonomik dhe social të Shqipërisë", tha znj. Nurja.
Ajo sqaroi se pyetësori përfshin dhe vetëdeklarimin për përbërjen e familjes, lidhjet midis tyre, ndërkohë që pyetësori individual, edhe ky pjesë e rëndësishme e procesit, përbën një pasqyrë të saktë të të gjitha të dhënave individuale të popullsisë.
Teknologjia që do të përdoret në këtë proces është e njëjtë me ato që janë përdorur në vendet më të zhvilluara të Europës, ndërkohë që sistemi i skanerëve optikë, i implementuar pranë zyrave të INSTAT, arrin të lexojë rreth 8000 pyetësorë në ditë, në mënyrën më të shpejtë dhe më të saktë.
Ky lloj informacioni do të jetë i rëndësishëm për shpërndarjen e institucioneve të kujdesit shëndetësor, arsimit, punësimit, etj. Rezultatet në bazë rajonesh, tha Nurja janë të domosdoshme në përcaktimin e politikave rajonale, por ajo që është më e rëndësishmja, është shpërndarja e popullsisë dhe njohja e karakteristikave të saj në nivel lokal.
Viti 2010 -2011 është periudha kur regjistrimi i popullsisë kryhet në të gjitha vendet e botës. "Ndërsa mënyra se si kryhet ky regjistrim është e ndryshme, pyetësori në të gjitha vendet pothuajse është i njëjtë, në mënyrë që të dhënat e çdo shtetit të jenë të krahasueshme, duke dhënë një panoramë e qartë për të gjitha vendet e botës", përfundoi drejtoresha e INSTAT.







All the contents on this site are copyrighted ©.