2010-01-29 12:08:10

Papa në Serbi: Atë Lombardi, është vetëm dëshirë e mirë, po nuk ka asgjë të programuar.


(29.1.2010 RV)Selia e Shenjtë i priti me kënaqësi deklaratat e patriarkut të ri ortodoks serb, Irinej, i cili hamendëson një udhëtim të mundshëm të Papës në Serbi në vitin 2013. “ E dimë - komenton zëdhënësi i Vatikanit, Atë Federiko Lombardi - se është një datë shumë e rëndësishme për Kishën serbe. Të flasësh për programe udhëtimesh apo takimesh të Atit të Shenjtë është diçka e papjekur dhe e parakohshme, po - nënvizon Atë Lombardi - është një rrethanë që ne e kemi mirë parasysh e jemi të vëmendshëm ndaj ngjarjes”.
Data në fjalë i referohet 1700 vjetorit të Ediktit të Milanos me të cilin perandori romak Kostandini (që ka lindur në Nish) në vitin 313 pas Krishtit, i dha fund persekutimeve kundër të krishterëve. Ky përvjetor do të kremtohet në Nish (Nis)
Javën e kaluar, në mesazhin e urimit drejtuar patriarku Irinej, me rastin e zgjedhjes së tij në krye të Kishës ortodokse serbe, Benedikti XVI shprehi “vlerësimin e tij për shembullin e besnikërisë ndaj Zotit dhe për gjestet e hapjes ndaj Kishës Katolike” e siguroi “afërsinë e Kishës Katolike dhe angazhimin e saj për promovimin e marrëdhënieve vëllazërore e të dialogut teologjik, në mënyrë që të kapërcehen ato pengesa që ende e pengojnë bashkimin e plotë mes nesh”. Me pak fjalë, udhëtimi i mundshëm i Papës në Serbi është një dëshirë, por jo diçka e programuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.