2010-01-29 14:08:46

Papa Gjykatës Kishtare Romake: mos të ndahen dashuria e drejtësia


(29.1.2010 RV)Sot paradite Papa priti në audiencë në Sallën Klementina, në Vatikan, anëtarët e Gjykatës së Lartë Kishtare Romake, që njihet me emrin Rota Romana, me rastin e përurimit të Vitit gjyqësor. Në fjalimin e tij Ati i Shenjtë Benedikti XVI nënvizoi nevojën, para proceseve që kanë të bëjnë me shpalljen e pavlefshmërisë së martesës, të mos ndahen dy përmasat e drejtësisë dhe e dashurisë. “Kush i do të tjerët me dashuri të vërtetë,
- tha Papa - parasë gjithash është i drejtë ndaj tyre. Jo vetëm që drejtësia nuk është diçka që nuk ka të bëj me dashurinë, jo vetëm që nuk është një rrugë paralele apo alternative me dashurinë: drejtësia është e “pandashme nga dashuria”, është pjesë e reale dhe e pandashme e saj”. (Caritas in vertate). Dashuria pa drejtësi nuk është e tillë, por vetëm një falsifikim, sepse vet dashuria e kërkon atë objektivitet apo paanësi që e karakterizon drejtësinë, e cila nuk duhet ngatërruar me ftohtësinë çnjerëzore. Lidhur me këtë, siç ka pohuar paraardhësi im, i nderuari Gjon Pali II, në fjalimin kushtuar marrëdhënieve ndërmjet veprimtarisë baritore e drejtësisë: “Gjykatësi (...) duhet të ruhet gjithmonë nga rreziku për mos ra në dhembshuri që do të kalonte në sentimentalizëm, çoftë vetëm edhe baritor “. “Procesi e vendimi janë të lidhura thellësisht me drejtësinë e vihen në shërbim të saj”, e “operatorët e drejtësisë”, gjykatësit e avokatët, nuk duhet të flijojnë të drejtën “për dëshirat dhe pritjet që kanë palët”. Kështu pohoi Papa para anëtarëve të Gjykatës Kishtare Romake, me rastin e përurimit të Vitit gjyqësor. “Administrimi i drejtësisë, bazohet mbi “vullnetin e prerë e të qëndrueshëm për t’i dhënë Zotit e të afërmit atë çka duhet t’u japim atyre”, për çka është më shumë se kurrë i rëndësishme rizbulimi i vlerës njerëzore e të krishterë, edhe brenda Kishës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.